Të tjera detaje kanë dalë nga tragjedia me 6 viktima në Athinë, tre prej të cilëve janë shqiptarë.
Sipas burimeve nga mediat greke, mes viktimave nga tragjedia që ndodhi në zemër të Athinës janë Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, të cilët ishin martuar së fundmi, si dhe Eris Cani dhe bashkëshorti i saj, Florin Hoxha.
Katër të vdekurit kishin marrë me qira një apartament në katin e parë të ndërtesës. Tre prej tyre me origjinë shqiptare dhe Ian Alexander Kirkpatrick me shtetësi amerikane.
Një dimension edhe më tragjik i ngjarjes është fakti që Florida Hoxha dhe bashkëshorti i saj Ian Alexander Kirkpatrick, sipas asaj që zbuloi i afërmi i tyre, ishin në Greqi për muajin e mjaltit.
"Ndërtesa që u shemb në Plaka rreth 13 orë më parë besohet se ka strehuar kushërinjtë e mi, Ianin dhe Floridën. Ata janë në Greqi për muajin e mjaltit", shkroi i afërmi i tyre në një postim në rrjetet sociale, duke kërkuar informacion, pas lajmit se pasaportat me emrat e tyre ishin gjetur nën rrënoja.
Në të njëjtën kohë, mësohet se çifti tjetër që ishte me ta, Eris Cani dhe Florin Hoxha, prisnin një fëmijë.
Dy viktimat e tjera të tragjedisë janë çifti i të moshuarve që jetonin në katin e dytë të ndërtesës.
Ata janë Athena Paparescu dhe Edmond Hings, nga 77 vjeç, me origjinë britanike, sipas informacioneve të deritanishme.
Ndërkohë po zhvillohen hetime për shkaqet e sakta të shpërthimit vdekjeprurës, ku pista kryesore është ajo e rrjedhjes së gazit.
Megjithatë, ekspertët pritet të shqyrtojnë të gjitha të dhënat nga vendi i ngjarjes, për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi saktësisht incidentin tragjik.
Lajmi kryesor:
Shpërthimi shemb godinën në Athinë, 6 të vdekur, mes tyre 3 shqiptarë! Ekipet e emergjencës nxjerrin trupat nga rrënojat (EMRAT+VIDEO)







