TIRANE - Gazeta Shqiptarja.com zbulon sot korrespodencën mes drejtorit të Policisë Rrugore Vullnet Topalli dhe kryetarit të shoqatës së ekspertëve autoteknikë Gëzim Hoxha. Ky i fundit që më 4 maj ka vënë alarmin se automjetet e transportit publik, qarkullojnë duke mos pasur sistem frenimi dhe për pasojë kanë ndodhur edhe disa aksidente. Hetimet: Aksidenti në Himarë, nga nxehja e ferrotave dhe shpejtësia.  Dy studente mbeten në Koma. Përmirësohet shëndeti i 12 studenteve të tjera.

EKSPERTET: KONTROLLONI AUTOBUSET, JANE PA FRENA
Shoqata e Ekspertëve Autoteknikë dhe Vlerësimit të Dëmeve, nëpërmjet një letërkëmbimi vë në alarm Drejtorinë e Policisë së Qarkullimit Rrugor për situatën e autometeve të transportit publik, të cilët qarkullojnë duke mos pasur sistem frenimi dhe për pasojë kanë ndodhur edhe disa aksidente. Gazeta Shqiptarja.com zbardhi sot letër-këmbimin mes drejtuesit e policisë rrugore, Vullnet Topalli dhe kryetarit të shoqatës së ekspertëve autoteknikë,Gëzim Hoxha në muajin maj. 
Sipas Hoxhës, shumica e automjeteve të transportit rrugor që qarkullojnë në rrugët e vendit, nuk disponojnë frena ose sistemi i frenimit të tyre është në kushte tepër të dobëta teknike. Në shumicën e rasteve drejtuesit e këtyre automjeteve përdorin marrshat për uljen e shpejtësisë, ndërsa frenat thuajse nuk i përdorin në rastet e zgjidhjes së situatave të komplikuara në rrugë. Gazeta "Shqiptarja.com" disponon të plotë këtë letërkëmbim, ku tregohet se palët bien dakort për rritjen e bashkëpunimit, por që në fakt deri tani shumë pak është bërë për evidentimin e rasteve ku mjetet e transportit lëvizin pa sistemin e frenimi elektrik.

Në letrën që kryetari i kësaj shoqate Gëzim Hoxha që i dërgon Drejtorit të Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor z. Vullnet Topalli thuhet se: "Nisur nga aksidentet që kanë ndodhur në mjetet e shërbimit publik, shoqata e ekspertëve autoteknikë, ka ndërmarë një nisëm për studimin e gjëndjes teknike të mjeteve të transportit public rrugor dhe kryesisht të autobuzave dhe mikrobuzave". Më tej në letër thuhet se shkak për fillimin e këtij studimi u bënë veçanërisht rastet e autobuzave të përfshirë në aksidente rrugore, pasi gjatë kryerjes së ekspertizave ka rezultuar se këto mjete nuk kanë gjëndje të mirë teknike, veçanërisht në sistemin e frenimit. Drejtuesi i kësaj shoqate Gëzim Hoxha në letër, tregon se inspektorët e shoqatës kanë tentuar të vetëm të kryejnë disa kontrolle, por kanë hasur në kundërshtimin e drejtuesve të mjeteve. Kontrolli pritet që të kryhet në Tiranë dhe Durrës, si qytete që kanë dhe numrin më të madh të mjeteve të transportit publik.
PERGJIGJJA E TOPALLIT
Në përgjigje të kërkesës tuaj për grumbullimin e informacionit të nevojshëm për kryerjen e studimit mbi gjëndjen teknike të mjeteve të transportit publik rrugor, kryesisht të autobusëve dhe mikrobusëve, ju bëjmë me dije se Drejtoria e Policisë Rrugore është e gatshme për çdo lloj bashkëpunimi në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore dhe me cilindo ent të interesuar në këtë fushë. Por në kushtet që Drejtoria e Përgjisthme e Shërbimeve të Transportit Rrugor zotëron "data bazën" mbi kontrollin teknik dhe personelin përkatës për kontrollin e specializuar në rrugë, mendojmë se do të ishte shumë frytdhënëse që ti drejtoheni për bashkëpunim.
AUTOBUSI I 1988
Autobusi që u rrëzua në Himarë, nuk ishte brenda standardeve të përcaktuara nga Bashkimi Europian. Nga dokumentet që kanë dalë në dritë del se mjeti me targë EL 2274 B, marka Benz, tipi 303 është i vitit të prodhimit të vitit 1988. Ai është në pronësi të shtetasit Ardjan Daka, ndërkohë që pasha e tij është 11420 tonë. Sipas drejtorit Vullnet Topalli autobusi që u përfshi dy ditë më parë në aksident, ka qenë i rregullt, pasi ka kaluar kontrollin teknik këtë vit. Topalli ka thënë gjithashtu se drejtuesi i autobusit kishte patentë për këtë mjet që prej 13 vjetësh, ndërsa theksoi se rruga ka pasur sinjalistikën e duhur dhe se nuk ka qënë e mbushur me inerte apo guralecë. "Rruga është e pajisur dhe me mbrojtësen anësore metalike standarde, ndriçues fosforeshent anësor përgjatë gjithë kthesës në të dy anët e rrugës, asfalti ishte i thatë, i pastër dhe pa mbetje. Po ashtu nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit, shtetasi Pëllumb Çela ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse, të klasit DE, që në vitin 1999 dhe kjo leje drejtimi ishte rinovuar deri në vitin 2014. Ndërkohë që automjeti në fjalë ka rezultuar të ketë kryer kontrollin e fundit teknik me datë 26 prill të këtij viti"-u shpreh drejtori Vullnet Topalli.
Nxehja e ferotave
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Himarë, dy prokurori kanë filluar hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë, ku humbën jetën 13 persona dhe u plagosën mbi 20 të tjerë. Nga të dhënat paraprake burime pranë prokurorisë së Vlorës thanë se aksidenti ka ndodhur si rezultat i shpejtësisë së madhe të mjetit dhe nxehjes së ferotave dhe tamburëve të frenimit. Ky konkluzjon ka ndodhur si rezultat i marjes së dëshmive të të mbijetuarave dhe personave të tjerë që kanë parë mjetit të devijonte nga rruga dhe më pas të rëzohej në humnerë. Sipas të dhënave paraprake del se nxehja e ferotave dhe tamburëve të frenimit ka ndodhur për shkak të përdorimit të shpeshtë të frenave nga ana e drejtuesit të mjetit. Pëllumb Çela nuk ka udhëtuar me shpejtësi të ulët në kthesa, me qëllim që të ulte përdorimin e frenave, por ka ecur në rrugë me shpejtësi duke sjellë një përdorim tejmase të frenave, duke sjellë nxehjen e ferotave dhe tamburave. Në gjuhën teknike, në rast se ferotat nxehen ato dalin jashtë funskionit. Ndërkohë që lidhur me këtë ngjarje të rëndë prokuroria e Elbasanit ka bërë sekuestrimin e dokumentacionit në kompaninë "Llixha 2001" si dhe ka marë në pyetje administratorin dhe menaxherin e kësaj kompanie. Sipas burimeve, momentalisht po shihet nëse drejtuesit e kompanisë,kanë respektuar orarin që një drejtues mjeti duhet të udhëtojë gjatë ditës.

HETIMET PER AKSIDENTIN NE HIMARE
Dy prokurori, ajo e Vlorës dhe e Elbasanit,  kanë filluar hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë të ndodhur dy ditë më parë pranë Himarës. Në aksident humbën jetën 13 persona, mes tyre 11 studente të vitit të tretë të Universitetit "Aleksandër Xhuvani", shoferi dhe i fejuari i një studenteje, kjo e fundit e plagosur bashkë 25 studente të tjera. Nga të dhënat paraprake burime pranë prokurorisë së Vlorës thanë se aksidenti ndodhi si rezultat i shpejtësisë së madhe të mjetit dhe nxehjes së ferrotave dhe tamburëve të frenimit. Konkluzioni erdhi si rezultat i marrjes së dëshmive të të mbijetuarave dhe personave të tjerë që kanë parë mjetit të devijonte nga rruga dhe më pas të rëzohej në humnerë.
(sg/shqiptarja.com)