Tragjeditë në plazhe, 28 të vdekur gjatë këtij sezoni vero
VLORE - Një turiste e huaj ka humbur jetën në plazhin e Radhimës në Vlorës paraditen e kësaj të diele, pasi është futur në det për t'u larë. Sipas bluve, viktima është një turiste çeke, Rusena Mejstrikova, 74 vjeç e cila po kalonte pushimet në Shqipëri. VIDEO FOTO
VLORE - Nuk kanë të ndalur tragjeditë në bregdetin shqiptar, teksa viktima e radhës është sërish një turiste e huaj, këtë herë nga Çekia, duke e çuar kështu në 28 numrin e personave që kanë humbur jetën në bregdet në vendin tonë gjatë këtij sezoni veror.
Nëse në bregdetin e Radhimës do kishte pasur roje bregdetare, qofte edhe amatore, me siguri vdekja e radhës mund të ishte shmangur.
Policia bën të ditur se ka qenë ora 11:05 kur është njoftuar përmes një telefonate se në vendin e quajtur Rexhina në Radhimë, është mbytur një person.
Sipas bluve, viktima është një turiste çeke, Rusena Mejstrikova, 74 vjeç.
(Mjeti i identifikimit, pasaportë, e turistes çeke, Rusena Mejstrikova)
Ajo ka hyrë në det për t'u larë, por ka humbur jetën vetëm pak sekonda pas kontaktit me ujin.
Pavarësisht se i është dhënë ndihma e shpejtë nga pushues të tjerë, e moshuara nuk ka mundur të mbijetojë.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje.
Ky sezon turistik mund të quhet i trishtë sa i përket numrit te vdekjeve në plazhet shqiptare.
Janë 28 persona që kanë gjetur vdekjen në bregdetin shqiptar, ku parametrat e sigurisë lënë për të dëshiruar
Kullat bregdetare dhe rojet e plazhit këtë vit kanë munguar kjo ka pasur impakt të drejtpërdrejtë në numrin e tragjedive në brigjet shqiptare.
Report Tv në fillim të sezonit turistik ngriti alarmin për mungesën e rojeve bregdetare në brigjet shqiptare, por ankesat ranë në vesh të shurdhër.
Bashkitë pretendonin se nuk kishte profesionistë, ndërkohë që shumë rinj që ishin përgatitur për këtë zanat janë endur gjithë verës rrugës si të papunë.
Më siguri nëse kullat e vrojtimi dhe rojet bregdetare do kishin qenë efektive. Bilanci i personave që kanë humbur jetën në plazhet e vendit tonë do kishte qenë më i ulët.