Dias Toleu, futbollisti 19-vjeçar, humbi jetën të enjten gjatë një ndeshjeje zyrtare të Ligës së Parë në Kazakistan, mes ekipeve Khan Tengri dhe Ekibastuz, e vlefshme për javën e 25-të të kampionatit.

Ishte minuta e 63-të, kur lojtari i Khan Tengri u rrëzua në fushë. Më pas u konfirmua që kishte ndërruar jetë, edhe pse arsyeja akoma nuk bëhet e ditur. I lindur në Almat, i riu ishte produkt i moshave të Kairatit. Me Khan Tengrin luante prej prillit të vitit 2024.

Pas lajmit të hidhur, Federata e Futbollit të Kazakistanit reagoi me një deklaratë zyrtare:

“Me trishtim të thellë japim lajmin për ndarjen nga jeta të sulmuesit të ri, Dias Toleu. Edhe pse në një moshë shumë të re, ai spikaste për pasionin e tij për futbollin dhe talentin e madh. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve dhe klubit të tij”, thuhet në reagimin e federatës kazake.

Dias Toleu