Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Bolonjës në Itali ku 12-vjeçari shqiptar Louis Pisha ka ndërruar jetë pasi ra nga kati i 8-të i pallatit aksidentalisht.
I mituri ndodhej në tarracën e një godine në Via Piave, bashkë me dy shokë të tij, kur ndodhi aksidenti fatal. Nga rindërtimi paraprak i ngjarjes nga policisë së komisariatit Santa Viola, mësohet se i mituri ka hipur mbi një dritare në çati prej plastike, transparente, i cili është thyer papritur nën peshën e tij.
Fillimisht, 12-vjeçari ka mbetur i varur dhe shokët janë përpjekur ta ndihmojnë duke e kapur, por nuk kanë arritur ta shpëtojnë. Për pasojë, ai ka rënë nga kati i tetë dhe ka ndërruar jetë në vend. Louis Pisha nuk banonte në atë pallat.
Në vendin e ngjarjes mbërritën dhe shërbimet e emergjencës, por për fat të keq i mituri ndërroi jetë. Nëna e të miturit, e tronditur, është shembur në tokë mes lotësh, duke kërkuar të dijë se çfarë kishte ndodhur me të birin.
“Ka vdekur, më thoni çfarë ndodhi”, ishin fjalët rrëqethëse të nënës së 12-vjeçarit.
Kjo është tragjedia e dytë që godet këtë zonë, pasi në vitin 2024 një tjetër i ri, 17-vjeçari Fallou Sall, humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti pranë të njëjtit pallat. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Komente









