Itali - Një 20-vjeçar shqiptar, Rogert Ajdini, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident në vendin e punës në Valtopina të Italisë. I riu, banues në Trevi, po merrte pjesë në punimet për asfaltimin e rrugës Santa Cristina, kur dyshohet se u shtyp nga rulit asfaltues që po drejtonte.
Mediat italiane shkruajnë se mjeti dyshohet se u përmbys për arsye që ende nuk janë bërë të qarta. Kolegët e të riut njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës, por, pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, plagët e marra rezultuan fatale. Në vendngjarje mbërritën ambulanca, zjarrfikësit dhe helikopteri i shpëtimit, ndërsa karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar se si ndodhi përmbysja e mjetit.
Punimet në rrugën Santa Cristina ishin ndërmarrë nga Bashkia e Valtopinës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe i ishin besuar një kompanie të specializuar. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal. Kryetari i Bashkisë së Valtopinës, Gabriele Coccia, shprehu ngushëllimet për familjen e të riut, duke e cilësuar humbjen si një tragjedi të rëndë.
Vdekja e 20-vjeçarit shqiptar vjen në një periudhë kur Italia është përballur me disa aksidente fatale në vendet e punës. Sipas medias italiane brenda tri ditësh, numri i punëtorëve që kanë humbur jetën në rrethana të tilla ka arritur në shtatë.
Përfaqësues të institucioneve italiane kanë ngritur shqetësimin për sigurinë në punë, duke kërkuar që humbjet e jetëve gjatë ushtrimit të profesionit të mos trajtohen si një realitet i zakonshëm. Hetimet për aksidentin në Valtopina vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të tragjedisë.









Komente
Komento