Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari i është përgjigjur pyetjeve të drejtuara nga deputeti Tedi Blushi lidhur me trajtimin e ish-presidentit Ilir Meta në paraburgim me bazë raportin e hartuar nga Avokati i Popullit. Lamallari theksoi se raporti në asnjë rresht nuk përdor terminologjinë “trajtim denigrues dhe çnjerëzor”. Ministri tha se Ilir Meta në qendrën e paraburgimit “Jordan Misja” trajtohet në mënyrë të barabartë më çdo të paraburgosur tjetër.
“Unë e kuptoj Blushin mbi shtysën për të kërkuar interpelancë dhe për të tërhequr vëmendjen për Metën, por do të doja që kjo sallë dhe kjo interpelancë të përdoret për misionin që kemi, që është ai i përfaqësimit të qindra e mijërave qytetarëve që presin nga ne, dhe jo për diskursin e emrave të përvetshëm që opozita po dështon ta lërë pas.
Ju nuk flisni për qytetarët, nuk flisni për 2,655 të tillë me emër dhe mbiemër, gra, të mitur, kryefamiljarë që janë ende sot pa një vendim fajësie pas hekurave, ndryshe nga ne, duke dashur të përcjell dhe shqetësimin e ngritur nga KE për kohën e gjatë të qëndrimit në paraburgim apo nevojën për të ndërhyrë në kodin penal për të garantuar trajtim dinjitoz për të paraburgosurit, dhe jo vetëm për emra të përvetshëm.
Referuar raportit të AP në mënyrë të plotë, duhet të adresohen shqetësimet e ngritura nga ky raport dhe mbi të gjitha fakti nëse ky raport është një rekomandim përgjithësues. Ministra e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve janë njohur me rekomandimet e AP. Bëhet fjalë për rekomandime përgjithësuese. Nuk është një raport që konstaton shkelje konkrete apo përgjegjësi individuale; raporti në asnjë moment nuk përdor terminologjinë “trajtim degradues dhe çnjerëzor”.
Rekomandimet e këtij raporti janë në proces shqyrtimi sipas afateve ligjore. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar informacion nga IEVP Jordan Misja dhe ka forcuar mbikëqyrjen administrative me fokus parandalimin e çdo praktike që mund të konsiderohet si shkelje e dinjitetit njerëzor. Nuk ka hetim ndaj drejtuesve apo personelit të IEVP Jordan Misja, pasi nuk është iniciuar një hetim, qoftë edhe nga rekomandimet e AP. Në këtë rekomandim nuk konstatohen shkelje administrative.
U përmend edhe pretendimi për burg politik. Nuk e thotë ministri, as qeveria, dhe as AP në raport; përkundrazi, raporti konfirmon të kundërtën: nuk ka persekutim politik. Nuk kemi cenim të lirisë së shprehjes, për sa kohë që duhet një balancë.
Siguria dhe dinjiteti janë garantuar; ai trajtohet si çdo i paraburgosur, duke respektuar të drejtat dhe detyrimet, dhe duke garantuar që të trajtohet në mënyrë të barabartë, pavarësisht pozitave të mëparshme shtetërore. Sistemi penitenciar nuk mund të jetë instrument i betejës politike për interesat e ditës, as foltore parlamenti, as studio televizive”, tha Lamallari.
Lajmi kryesor:
Blushi-ministrit të Drejtësisë: Meta trajtohet në mënyrë çnjerëzore! Lamallari: Raporti i Avokatit të Popullit është i qartë, ai trajtohet njësoj me të paraburgosurit e tjerë












