TIRANE - Pas bërjes publike të kryebashkiakut të Tiranës Lulzim Basha të projektit të tramit të linjës Kombinat-Kinostudio, gazeta Shekulli, ka marrë në intervistë ekspertin për çështjen e transportit publik, Sabedin Çeliku, i cili është shprehur se ky projekt është i paarsyeshëm për Shqipërinë, duke shtuar se 9 km tramvaj do t’i kushtojnë vendit 120-155 milionë euro ose 13-17.5 milionë euro për km. Duke shtuar këtu edhe mjetet lëvizëse që do të realizojnë projektin atëherë kjo shifër është thuajse sa ajo e ndërtimit të Rrugës së Kombit.
 
“I gjithë projekti është 30 kilometra. Kështu e ka parashikuar Basha, ndërkohë që para dy ditësh na prezantoi projektin e vetëm 9 kilometrave në për linjën Kombinat-Kinostudio. Në shifra konkrete, gjejmë se 9 kilometra kushtonin 120 deri 155.5 milionë euro. Me pak fjalë për një kilometër shpenzojmë 13 deri në 17.3 milionë euro, ndërkohë që vendet e tjera e kanë bërë me kosto më të ulët. Shifrat që na dha Basha janë në stratosferë për Shqipërinë, për 9 kilometra të saj. Këtu duhet të llogarisni që çmimet që bëri publike kryebashkiaku janë pa llogaritur mjetet lëvizëse që do të realizojnë projektin, pasi këto nuk përfshihen në koston e projektit fillestar. Në fund do të kemi një faturë si ajo e Rrugës së Kombit që në fillim kishte një çmim tjetër dhe në fund një tjetër. Përfundimi: Fatura tjetër, edhe pse projekti nuk u përfundua deri në fund.” theksoi eksperti.
 
Sipas Çelikut Shqipëria nuk ka nevojë për një projekt të tillë, duke qenë se me përmirësimin e transportit publik të autobusëve, sipas tij është e mjaftueshme për një qytet si Tirana.
 
“Trami nuk i shërben qytetarëve aq shumë sa i kushton, nëse përmirësohet shërbimi që ofrohet nga autobusët. Ne jemi një vend i vogël dhe lëvizja e qytetarëve përballohet edhe me autobusë, por me një kusht, përmirësimin e kushteve dhe shërbimit që gjen në to. Këtu autobusi qëndron 10 minuta në stacion dhe stacionet janë afër me njëri-tjetrin. Basha prishi trenin për Bulevardin. Të mbyllë njëherë këtë projekt, pastaj të flasim për tramvajin.” shprehet Çeliku

Më poshtë intervista e plotë:

Çfarë menduat pasi e dëgjuat deklaratën e Z. Basha dje për projektin e tramit? 

“Kemi përfunduar projektin e menaxhimit të trafikut në kohë reale, i cili po funksionon dhe po jep rezultatet e veta maksimale në menaxhimin më të mirë të trafikut në Tiranë. Projekti i bulevardit dhe lumit të Tiranës ka nisur e po vijon zbatimin. Brenda këtij muaji i propozojmë Këshillit Bashkiak autorizimin e Bashkisë së Tiranës, për dhënien me koncesion të terminalit multimodal të pasagjerëve, stacionin që i ka munguar në dekada autobusëve ndërurbanë, trenit dhe tramit, me mbështetjen e ekspertizës më të mirë dhe fondeve të Bankës Europiane për Rindërtim e  Zhvillim”, deklaroi kryebashkiaku Basha gjatë prezantimit të projektit për tramin. E para gjë që më erdhi ndër mend ishte: Mbaro njëherë projektet që ke nisur. Trami nuk i shërben qytetarëve aq shumë sa i kushton, nëse përmirësohet shërbimi që ofrohet nga autobusët. Ne jemi një vend i vogël dhe lëvizja e qytetarëve përballohet edhe me autobusë, por me një kusht, përmirësimin e kushteve dhe shërbimit që gjen në to. Këtu autobusi qëndron 10 minuta në stacion dhe stacionet janë afër me njëri-tjetrin. Basha prishi trenin për Bulevardin. Të mbyllë njëherë këtë projekt, pastaj të flasim për tramvajin. 

Mirëpo, ai e prezantoi projektin e tramvajit? Sa e mbështesni ju këtë projekt? 

Basha të gjithë këtë prezantim e lidh me premtimet që ka bërë gjatë fushatës elektorale. Por ky projekt nuk mund të mbetet thjesht një çështje premtimi elektoral. Është një çështje financimi, parash  të shpenzuara, të marra borxh. Unë nuk mendoj se Shqipëria mund të përballojë një projekt si ky në këto kushte. E mira është që të rregullojmë sistemin e transportit që kemi. 

Mendoni se ka një kosto të madhe? 

Po, sepse oferta më e lirë dhe më e arsyeshme për Shqipërinë vjen nga Algjeria. Ajo mund të na sigurojë tram me kosto të ulët dhe të përballueshme nga një vend i vogël e i varfër si Shqipëria. Por kryebashkiaku shkon e falënderon francezët në deklaratën e tij. Dhe Franca ofron çmimin më të lartë për tramin, sepse cilësia e tij është më e mira në tregun botëror. Si mundet që bashkiaku Basha të kërkojë realizimin e një projekti që ka kosto marramendëse për ne? Për mua Shqipëria nuk ka luksin që të ndërtojë këtë tramvaj, sepse më shumë se i ndihmon ata, rëndon ekonominë e shtetit dhe ekonominë e taksapagueseve gjithashtu. 

Në shifra konkrete? 

I gjithë projekti është 30 kilometra. Kështu e ka parashikuar Basha, ndërkohë që para dy ditësh na prezantoi projektin e vetëm 9 kilometrave në për linjën Kombinat-Kinostudio. Në shifra konkrete, gjejmë se 9 kilometra kushtonin 120 deri 155.5 milionë euro. Me pak fjalë për një kilometër shpenzojmë 13 deri në 17.3 milionë euro, ndërkohë që vendet e tjera e kanë bërë me kosto më të ulët. Shifrat që na dha Basha janë në stratosferë për Shqipërinë, për 9 kilometra të saj. Këtu duhet të llogarisni që çmimet që bëri publike kryebashkiaku janë pa llogaritur mjetet lëvizëse që do të realizojnë projektin, pasi këto nuk përfshihen në koston e projektit fillestar. Në fund do të kemi një faturë si ajo e Rrugës së Kombit që në fillim kishte një çmim tjetër dhe në fund një tjetër. Përfundimi: Fatura tjetër, edhe pse projekti nuk u përfundua deri në fund. 

Si është realizuar trami në vendet e tjera? 

Është realizuar vite më parë. Ne sot dëshirojmë të fusim në treg një teknologji transporti si të re kur në fakt nuk është e re. Gjithnjë e më shumë shtetet po ndërtojnë metro. Dëmtimi mjedisor është edhe më i vogël nën tokë. Trami po përdoret gjithnjë e më pak edhe në vendet e vogla dhe të varfra.. Edhe Rumania ka zgjedhur të ndërtojë një metro 70 kilometra, që është një vend jo shumë i pasur. Ndaj mendoj se kjo është një teknologji e vjetër që po na e shesin si të shtrenjtë dhe si të re.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)