Laçi dhe Vllaznia luajnë nesër në orën 14:00 për raundin e nëntë të Superligë. Nga Shkodra foli trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric. Numri një i kuqebluve "qau" mungesat si edhe foli për kushtet e munguara të një fushe me bar natyral, pasi ekipi i tij i zhvillon stërvitjet në "Reshit Rusin" me bar artificial.
“Nesër sfidë e mirë për t’i treguar tifozëve tonë ku do mbërrijmë. Po vuajmë me shumë lojtarë që mungojnë, por objektivi im nuk është të ankohem, por t’i jap mundësinë lojtarëve që të luajnë. Tani është momenti për disa lojtarë që të tregojnë pse janë pjesë e Vllaznisë.
Për këtë javë nuk ishim të vendosur kush do të luajë, po nga sot do të jemi më të vendosur për nesër. Kemi 24 orë kohë për të marrë të gjitha masat, që të marrim tri pikë me Laçin.
Rikthehet Gruda - Shumë i lumtur që Gruda është rikthyer. Për momentin jemi të përqëndruar te lojtarët që do luajnë në formacion, nuk e di si do shkojë. Ai ka qëndruar në kontakt me ekipin dhe jam shumë i lumtur që është rikthyer në stërvitje.
Laçi me trajner të ri - Duhet të jemi të fokusuar te loja jonë. Do jetë sfidë ndryshe, trajner i ri që do implementojë gjëra të reja në lojë. Nesër duam t’i bëjmë dhuratë tifozëve tri pikë, e dimë që jemi pa tifozë po jemi mësuar gjatë karantinës që kemi luajtur pa ato.
Si e shihni ndeshjen? Objektivi për nesër është të marrim vetëm tri pikë. Ne jemi ekip në rritje, kushtet nuk kanë qenë mirë, nuk kemi bërë stërvitje në fushë me bar natyral po në fushë që nuk lëviz shumë topi, si “Reshit Rusi”, po shpresojmë nesër të japim maksimumin.
Formacioni - Nesër nuk do të ndryshojmë ndonjë gjë nga ndeshjet e fundit, vetëm lojtarët ndonjë ndryshe për shkak të mungesave. Ne nuk varemi vetëm nga 11 lojtarë, jemi ekip që duam të rritemi çdo ditë dhe puna është t’i rrijmë sa më afër lojtarëve për t’i rritur.
Talenti Delaj - Kam thënë në të kaluarën se Delaj ka talent, sidomos pas paraqitjeve të tij dhe jam i lumtur që ekipi ka arritur firmosjen se na duhet dhe për të ardhmen”, u shpreh Brdariç.
Me 14 pikë, një më pak se Partizani, Vllaznia mban vendin e dytë dhe ka bërë një nisje shumë të mirë të sezonit. Ndërkohë Laçi me vetëm tri pikë ende nuk e ka shijuar fitoren e parë dhe është ekipi i parë këtë edicion me këtë statistikë. Për këtë situatë dhe vendin e fundit, nga Laçi u largua Armand Cungu dhe vendin e tij e zuri italiani Francesco Moriero.