Transport falas në Tiranë? Qori në Report Tv: Vetëm nëse lë mënjanë problematikat e tjera! S’do ‘shuajmë’ ndërtimin, e orientojmë jashtë qendrës

Arlind Qori, kandidati për bashkinë Tiranë në zgjedhjet e 14 majit komentoi premtimin e Belind Këlliçit për transport publik falas duke thënë se mund të realizohet por vetëm nëse lihet mënjanë çdo problematikë tjetër.

Në një intervistë në Report Tv për emisionin ‘Kontrast’ me gazetarin Denis Minga, Qori i cili kandidon nën siglën e ‘Lëvizja Bashkë’ tha se nuk është e parealizueshme, por Tirana ka edhe çështje të tjera që kanë nevojë për përmirësim, jo të shkojnë të gjithë paratë në transport publik falas.

Duke iu referuar planit që edhe ai vetë ka, Qori tha se kryeqytetit i duhet plan i ekuilibruar jo të fokusohen vetëm në një problem. Ai sugjeron transport publik falas vetëm për një kategori të caktuar ndërsa për të tjerët thotë se duhet të paguajnë për shërbimin.

“Ne do kërkojmë transport falas për studentët, pensionistët, të papunët dhe për ata me ndihmë ekonomike. Do vijojë për ata me aftësi ndryshe dhe veteranët. Nuk jemi për transport falas për të gjithë sepse ai që ka mundësi ta paguajë, le ta paguajë. Ne propozojmë biletë elektronike. Në parim gjithçka mund të bëhet. Ideja për transport falas nuk është utopike por problematike sepse nuk ka vetëm këtë. Ne na duhen edhe shkolla, edhe ujësjellës i ri. Na duhet plan i ekuilibruar. Bëhet edhe transporti po i çove të gjitha paratë aty. Tirana ka shumë nevojë për korsi të dedikuara. Transporti në Tiranë ka nevojë. Qytetarët duhet të orientohen drejt transportit publik. Tirana është katastrofë urbane ndaj na duhet plani i ri, konceptimi i ri. Të mos jetë e nevojshme që çdo njeri të dyndet në qendër të qytetit”, tha Qori.

Arlind Qori bëri me dije se do të publikojë nesër planin që ka për ndryshimin e kryeqytetit. Qori u shpreh se programi me 10 shtylla është i fokusuar në plan urbanistik, strehim, transport publik dhe politika të reja fiskale.

“Ka shumë ndryshim dhe në retorike. Bëjmë opozitë duke thënë të vërtetë. Kur flasim për katastrofën urbanistike të Tiranës, s’themi që ka fajin vetëm Veliaj por përmendim emrat e oligarkëve. Mënyra si bëjmë opozitën është e vërtetë, e guximshme dhe s’fal askënd. Do kemi program me 10 shtylla për qytetin që përfshin planin urbanistik, çështjen e strehimit se çmimet e apartamenteve kanë arritur në stratosferë. Ne na duhen politika të reja fiskale, por edhe të ndërhyrjes së shtetit në mënyrë që të jenë me çmim të përballueshëm. Kemi një program për transportin publik, si një kompani publike duhet ta nisë nga administrimi i një linje për të vijuar në linja të tjera”, tha Qori.

Analisti Lorenc Vangjeli e pyeti se si mund ta rregullojnë industrinë e ndërtimit, e cila është motor zhvillimi dhe ka shumë të punësuar. Qori tha se synimi i tyre nuk është ta shuajnë si sektor por ta orientojnë që të zhvillohet jashtë qendrës së qytetit.

“Me industrinë e ndërtimit janë të lidhur jo vetëm ata që i quani oligarkë po rreth 180 e ca industri të tjera dhe profesione që jetojnë mbi këtë motor zhvillimi. Edhe nëse është ndërtuar keq, por çfarë mund të bëjmë mirë”, tha Lorenc Vangjeli.

“Ne s’duam ta shuajmë sektorin e ndërtimit, por ta orientojmë jashtë qendrës. S’ka më vend. Është ta shkatërrojmë edhe atë pak vend që na ka mbetur. Ne e kemi një model ekonomik ku marrim paratë, hedhim e ndërtojmë kulla, shkatërrojmë qytetin edhe mbesim në vend numëro”, tha Qori.

Më tej u shpreh se Lëvizja Bashkë ka synim që të luftojë për të ndrequr padrejtësitë.

“Është sfidë politike qytetare, është e një lufte kundër oligarkisë dhe korrupsioni. Jemi për të marrë votën e çdo qytetari të ndershëm. Po bëjmë fushatë derë më derë dhe jemi duke u pritur goxha mirë, shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës sistemi i kalbur politik i bazuar te korrupsioni. Lufta jonë është për të tashmen, të nesërmen dhe për të ndrequr padrejtësitë”, tha Qori.

Arlind Qori është i prerë që nuk do mbështesë asnjë prej kandidatëve të tjerë në zgjedhjet e 14 majit. I pyetur së për kë do e orientonte votës nëse Erion Veliaj dhe Belind Këlliçi shkojnë në balotazh, Qori thotë se nuk bëhet palë me të keqen pasi “nuk na duhet rruga drejt greminës, por rrugë emancipuese dhe progresiste.”

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vloniati: 24/04/2023 19:40

    jepini voten arlindit,,jepjani brezit te ri te pa korruptuar,,votove per kellicin ke marre saliun dhe meten,,,votove per erionin ke marre edi ramen dhe bandat,,,,popull shqiptar sill ndryshimin,,nuk ka hajer shqiperia me dy partite hajdute....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'

Puna e SPAK në 2024, Dervishi: Po u zbardh çka ndodhur me Ervis Martinajn bie piramida e krimit! Petraj: Si u privatizua CEZ do hap 'Kutinë e Pandorës'