TIRANE- Vetëm një ditë pas protestës së përgjithshme të furgonave 8+1 që futi në kaos trafikun në Tiranë dhe shkaktoi konfrontime me policinë , drejtuesit e autobusëve dhe taksive 4+1 kanë paralajmëruar dje qeverinë se nëse nuk i shkon deri në fund reformës që ka nisur do të jenë ata që do të dalin në rrugë për të protestuar. Federata e Sindikatave të Transporteve ka mbështetur reformën e nisur nga Ministria e Transporteve, për të eleminuar transportin e paligjshëm dhe krijimin e një shërbimi sa më cilësor për qytetarët.

Krerët e Sindikatës bëjnë të ditur se në të gjithë vendin qarkullojnë 21 mijë furgona të paliçensuar që konkurojnë në mënyrë të pandershme 2100 furgonat dhe 1500 taksitë 4+1 të liçensuara. “Ka diskriminim të madh dhe shkelje të ligjit. Duhet të kishte 10 herë më pak furgona se taksi. Ne mbështesim kërkesat e Shoqatës së Autobusëve dhe reformën e qeverisë ndaj furgonave”, u shpreh kreu i Federatës së Transporteve Gëzim Bardhi.

Federata e Transporteve ka sqaruar se problemi i informalitetit dhe konkurencës së pandershme ka 17 vjet që është evident por kërkesat e tyre gjithmonë kanë ngelur pa zgjidhje. “Nëse qeveria tërhiqet nga reforma, do jemi ne që do të bllokojmë rrugët”, është shprehur kreu i Federatës së Sindikatave të Transportit në kundërshtim të kërkesave që bënë dy ditë më parë shoferët  e furgonave 8+1 dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura. Ditën e hënë Federata e Transporteve ka lajmëruar se në orën 12:00 do të vazhdoj protestën e saj në mbështetje të 5700 autobuzëve që punojnë në mënyrë të ndershme dhe të liçensuar prej 20 vitesh në Shqipëri.

Reagon Ministria e Transporteve
Zv/ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Ylli Manjani,në një reagim zyrtar  ditën e djeshme ka treguar edhe një herë vendosmërinë e institucionit të tij për respektimin e ligjit në lidhje me furgonat 8+1.“Liçencën drejtuesit e furgonëve e kanë marrë në çdo komunë apo bashki që kanë aplikuar. Pika 5 thotë, ndalohet shërbimi taksi i udhëtarëve në linjë të rregullt, që korrespondon me detyrimin që ka neni 37 i ligjit për transporte”, është shprehur Manjani.

Sipas zv/ministrit,  një prej alternativave për furgonat 8+1 mund të jetë akomodimi në akset rrugore që nuk përshkohen nga autobuzët.“Kemi hedhur idenë dhe jemi gati ta bëjmë që shërbimi taksi i furgonëve 8+1 mund të shtrihet jo vetëm brenda juridiksionit të Bashkisë, por brenda qarkut”, tha Manjani. Në deklaratën e bërë gjatë protestës nga Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto u theksua se pronarët e taksive 8+1 kanë vetëm liçensë taksie dhe nuk mund të zhvillojnë transportin interurban. Manjani e ka quajtur të politizuar protestën e djeshme duke u shprehur se asnjë kërkesë nuk mund të cënojë standartet e transportit dhe se të gjithë duhet të punojnë në mënyrë të ndershme.

Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)