TIRANË - Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka arritur një marrëveshje për udhëtimin falas të invalidëve pas negociatave me Shoqatën e Transportit Qytetas.

Veliaj zhvilloi sot negociata me përfaqësuesit e shoqatës kombëtare të transportit qytetas, për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar ditët e fundit me udhëtimin falas të invalidëve.

Në takim u ra dakord që shoqata e transportit qytetas të respektojë ligjin për udhëtimin falas të invalidëve duke filluar nga dita e nesërme, datë 5 korrik 2014.

Gjatë takimit u ra dakord gjithashtu, se Ministria në bashkëpunim me shoqatën e invalidëve do të ndërmarrin një plan masash për të disiplinuar skemën e pajisjes me librezat e invaliditetit, për t’u siguruar që vetëm invalidët të cilëve u takon kjo e drejtë me ligj të përfitojnë udhëtimin falas.

Pasi u njoh me shqetësimet e shoqatës së transportit qytetas, Veliaj informoi edhe një herë për masat e marra nga qeveria për të plotësuar kuadrin rregullator në këtë fushë. Ai theksoi angazhimin e plotë të MMSR-së për të siguruar zbatimin e të drejtës ligjore të invalidëve për të udhëtuar falas në transportin qytetas.

Palët ranë dakord për të mbajtur një komunikim të ngushtë dhe gjetur zgjidhje konstruktive për problemet me të cilat përballet transporti qytetas në Tiranë.


 
Redaksia Online
(a.h.shqiptarja.com)