SHKODER - Dy persona nga Shkodra u arrestuan nga policia në një operacion të koduar "Transportuesi" pasi mundësonin kalimin e paligjshëm përmes kufirit të gjelbër në Hanin e Hotit drejt Malit të Zi të emigrantëve të paligjshëm nga Pakistani dhe Maroku.
Ata u kapën duke transportuar me makinë 4 marokenë drejt Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Shofer ishte Prek Rrasa 35 vjeç nga Shkodra, ndërsa në pranga ra edhe 32-vjeçari Tom Kacoli si bashkëpunëtor.
Gjithashtu te tregu i këpucëve në qëndër të qytetit Shkodër, janë gjetur 8 pakistanez, të cilët pranuan se kishin rënë dakort me të arrestuarit që kundrejt vlerës 200 euro, t’i transportonte në Malin e Zi. Në këtë treg punonte i arrestuari, Tom Kacoli. Pikërisht në këtë treg, siç policia njofton, të arrestuari fshihnin emigrantët e paligjshëm dhe më tej i transportonin me grupe drejt Malit të Zi nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Gjithashtu hetohen në gjendje të lirë G. L. 49 vjec, banues në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, pronari i tregut, për vepren penale, “Punësim i paligjshëm” dhe A. D. 52 vjeç, banues në fshatin Dobraç Shkodër, i punësuar si rojë i tregut, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.