Pas tre shkrimeve të fundit që flisnin për vrasjen e Azem Hajdarit, trazirat që pasuan revolatat dhe lajmet kontradiktore (mes tyre edhe vdekja e Sali Berishës në një aksident), sot për lexuesit vjen shkrimi i fundit që rrëfen detajet orë pas ore të atij që u quajt botërisht grusht shteti në Shqipëri, duke përshkruar lajme e ngjarje që mbërrinin në ambasadën shqiptare në Romë për gjithçka të pazakontë që po gatuhej në Tiranë ato ditë.
(Vijon nga dje)
Shkrimi i dymbëdhjetë dhe i fundit
Ndeshje me armë në të gjitha pikat kryesore të komunikacionit
Dita e 15 shtatorit në qytetin e Barit vazhdonte të qe me diell dhe deti mrekullisht i bukur. Edhe Fiera del Levante e mbushur plot me njerëz si asnjëherë. Por Annamaria e kishte gojën të hidhur. Ajo pati telefonuar disa herë miqtë e saj në Tiranë dhe që të gjithë nëpër celularë apo telefona shtëpish e bënin të dëgjonte krismat e armëve.
"Ky është fundi i Ditës së Shqipërisë" u përlot ajo.
Ndërkohë në orën 13.10 të asaj të marte, 15 shtator 1998, në Tiranë protestuesit më në fund i kishin shkatërruar të gjitha zyrat e Kryeministrisë, ndërsa një granatë ishte hedhur në zyrën e kryeparlamentarit. U bastisën Gjykata Kushtetuese, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Kulturës. Për kryeministrin Fatos Nano disa demonstrues të opozitës thoshin se po e kërkonin, por ai qe arratisur. “Megjithatë do ta kapim dhe po e zumë, këmbëngulnin, do të pushkatohet".
Në orën 14.00 tek dera anësore e kryeministrisë u pengua të hynte brenda një njeri me një arkë dinamiti në duar, kurse dhjetë minuta më vonë në qendër të Tiranës u shënuan vjedhjet e para të dyqaneve. Në vazhdim filloi grabitja e Rezervave të Shtetit. Ndërkohë në TVSH spikeri tha se për ruajtjen e pasurisë private po krijoheshin patrulla me civilë të armatosur.
Paralelisht u përhap lajmi se në burgun e Tiranës, në katin e dytë të godinës, dy të burgosur, njëri prej të cilëve i dënuar me 16 vjet për krim të rendë, shkallmuan me hekurat e krevateve murin pranë derës së qelisë. Pastaj nxorën jashtë luftimit gardianët. Menjëherë pas kësaj nga të burgosurit e tjerë nisi shpërthimi i dyerve në katin e parë, duke mos kursyer asnjë qeli. Pasi të burgosurit dolën në korridor filloi edhe shpërthimi i dyerve të katit të dytë. Ndër ata që dolën jashtë qenë edhe katër nga ish-funksionarët e Partisë Demokratike të arrestuar në mes të muajit gusht. Këta që në fillim u përpoqën të distancoheshin nga turma e të burgosurve të rebeluar. Të katër u strehuan së bashku në një qeli për të qenë të grupuar para çdo të papriture. Kur rebelimi mbërriti në katin e tretë erdhën policia dhe forcat speciale RENEA, duke rivendosur gjendjen.
Ndërkohë lajme konfuze thoshin se në pikën doganore të Kakavijës, arterien kryesore të lidhjes me Greqinë, kishte pasur betejë, në tre sulme radhas, mes policisë dhe një grupi civilësh të armatosur. Një orë luftë ishte bërë për të mbrojtur edhe aeroportin e Rinasit, të vetmen portë ajrore që lidhte Shqipërinë me botën. Në afërsi të portit të Durrësit, daljen kryesore detare, një grup fshatarësh kishin bllokuar për shumë orë hekurudhën e vetme të vendit.
Ndërkaq prej qeverisë shqiptare qe lëshuar tërthorazi një deklaratë, sipas të cilës "Ky që po zhvillohet në Shqipëri është një grusht i vërtetë shteti dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta dijë”.
Në orën 15.00 në Spitalin Ushtarak të Tiranës një ndihmësmjeke u tha gazetarëve se "kishin ardhur deri tani 16 të plagosur, mes të cilëve dy ushtarë". Në Spitalin Civil një nga mjekët e rojës u shpjegoi njerëzve të shtypit se tek ta numri i të plagosurve i kaloi të 15 vetët. Njëri pati vdekur. Ishte ushtar i Gardës, rreth 21 vjeç.
Në këtë kohë pa asnjë urdhër nga lart shefat e komisariateve dy dhe tre të Tiranës si edhe drejtori i Policisë i kryeqytetit morën vendimin për të dalë në qendër të Tiranës dhe mbrojtur pronat dhe institucionet që po plaçkiteshin. Një duzinë minuta më pas reparti special RENEA mori në dispozicion tanke.
Në Presidencë, pasi më parë qenë larguar punonjësit, vetë kryetari i Shtetit iku në 15.30. Si përditë u shoqërua nga tre oficerët e tij. Nuk kishte dashur të ikte, por e patën larguar për arsye sigurie. Do ta vazhdonte punën në rezidencën e tij. Pasi kishin kaluar disa minuta nga ky moment katër drejtues të njohur të opozitës u shfaqën tek dera anësore e Presidencës dhe thanë se kishin me vete një mesazh dhe atë donin t'ia dorëzonin kryetarit të Shtetit. Iu kthye përgjigja se ai sapo qe larguar. "Po mirë, mund t'i bëjmë një faks?", thanë nga dërgata e porsaardhur. Iu tha se "edhe personeli është larguar". "Po një telefonatë mund të bëjmë?", vijoi njëri prej tyre. "Menjëherë", iu kthye përgjigja.
Oficeri i Gardës së Republikës u lidh me zyrën e informacionit të Presidentit në rezidencën e tij dhe u shpjegoi kërkesën e katër politikanëve të lartë të opozitës. Ndërkohë këta u ulën në kolltukët e hollit. Përgjigja erdhi pas pesë minutash: "Nuk pres ata që djegin dhe shkatërrojnë Shqipërinë".
Në orën 16.00 u bë e njohur një deklaratë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës: "SHBA nuk do të njohin dhe nuk do të punojnë me një qeveri që vjen në fuqi nëpërmjet dhunës". Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, sapo pati bërë të ditur: "Shkelja e ligjit dhe e rendit mund të keqësojnë konfliktin në Kosovë. NATO është e angazhuar të çojë përpara sigurimin dhe stabilitetin në Shqipëri".
Pas kësaj Sali Berisha bëri këtë deklaratë: “...ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë që në këto çaste të rënda për vendin, të ruajnë gjakftohtësinë, të vetëpërmbahen, të shmangin çdo lloj shkatërrimi dhe t'i japin mundësi zgjidhjes politike të kësaj krize të thellë, të krijuar nga arrestimi në mesnatë i 6 ish-shtetarëve të lartë të vendit dhe vrasjes barbare politike, të projektuar nga kryeministri Fatos Nano dhe të ekzekutuar nga zyrtarë të lartë të policisë, të liderit të demokracisë, liderit të dhjetorit, zotit Azem Hajdari...Ftoj edhe njëherë kryeministrin Fatos Nano të japë dorëheqje...” Pastaj Berisha i qe drejtuar gazetarëve: “Prej jush unë mora vesh se ka demonstrues përpara televizionit. I bëj thirrje demonstruesve të mos prekin RTV, personelin e Radiotelevizionit, gazetarët e Radio-Televizionit, asnjë institucion, sepse ato janë pasuri kombëtare. Ne jemi për ndërtimin, ne jemi për kushtetutshmërinë, sikundër duhet t'i siguroj shqiptarët se në çdo rrethanë Partia Demokratike nuk përdor dhunën për të ardhur në pushtet. Ky është një qëndrim parimor i pandryshueshëm i kësaj partie...”
Ishte afërsisht ky moment, kur nga qyteti i Shkodrës prefekti lajmëroi shtypin se ardhja e përditshme e refugjatëve nga Kosova përmes Malit të Zi, shkaktuar nga dhuna e shtetit serb, kishte vazhduar me ritme më të mëdha. Nga 1500 të njëzetë e katër orëve më parë të grumbulluarit në Pallatin e Sportit, në konviktin e Universitetit, në tregtoren e madhe të qytetit apo të bujtur nëpër shtëpitë e vendasve qenë bërë 4000.
Studiuesja ruse Ivanovna: në atë që po ndodh në Tiranë nuk ka politikë, por thjesht Kanun të Lekë Dukagjinit
Teleteksti i RAI-t e dha lajmin e ri në orën 21.58. Ai njoftonte opinionin publik italian se “sipas Qeverisë së Tiranës: dështoi grushti i shtetit".
Të Ngarkuarit me Punë në ambasadën shqiptare në Romë i kishte bërë përshtypje një lajm i shpërndarë në Tiranë, në prag të mbrëmjes, nga disa radio private dhe ndërkohë kishte zënë vend në edicionin e posaçëm të TVSH-së për Kosovën. Lajmi thoshte se "Fatos Nano, pasi i leu duart me gjak deri në bërryl, u arratis për në Itali. Gjendet në Bari, në Fiera del Levante".
Por e vërteta qe ndryshe. Kryeministri një ditë më parë ishte larguar për në Maqedoni dhe sot, në 16 shtator, rreth orës 11.00, ishte parë në pikën doganore të Qafë Thanës një makinë Volvo e blinduar e ambasadorit shqiptar në Shkup. Brenda saj kishte qenë Fatos Nano, por askush këtë nuk mund ta dallonte, përfshi edhe dy makina të komisariatit të Librazhdit, të cilat e pritën dhe e shoqëruan drejt Tiranës. “Volvo” kishte ulur perdet. Me këtë eskortë në hyrje të qytetit të vogël të Librazhdit u bashkua edhe një makinë e tretë e vetë shefit të komisariatit të tij. Kur kolona mbërriti në Qafën e Kërrabës, përtej Elbasanit, kreu i qeverisë shqiptare u prit nga një grup tjetër shoqërimi i ardhur nga Tirana. Tashmë më e përforcuar autokolona nxitoi për në kryeqytet. Në Tiranë eskorta do të bëhej edhe më e madhe: bodigardë, policë, oficerë të krimeve, agjentë të SHIK-ut.
Si për të mos mjaftuar diversioni i lajmit se Fatos Nano qe arratisur në Itali, të Ngarkuarit me Punë ajo ditë i kishte bartur edhe një ngjarje tjetër të papritur. E kishte telefonuar nga Moska një mikesha e tij, studiuese, Julia Ivanovna. Ajo nisi t'i flasë për Kanunin e Lekë Dukagjinit, temë që përherë e kishte pëlqyer dhe pasqyruar në botimet e saj. Veç këtë herë në zë kishte mjaft entuziazëm. Ngjarjet e fundit në Tiranë ja kishin përforcuar mendimin se Kanuni kishte peshë të madhe në Shqipëri, madje edhe politike. "Kjo është e mahnitshme", shtoi ajo.
Në Moskë, kur ishte ambasador, për përmasat e influencës së Kanunit të Lekë Dukagjinit ata të dy kishin bërë deri edhe polemikë, sepse qëndronin tepër larg njeri-tjetrit. Diplomati shqiptar qe me tezën se shqiptarët po ja shkurtonin brezin e ndikimit, duke i hapur vend shoqërisë moderne, Julia Ivanova mbronte tezën e kundërt: autoriteti i Kanunit po zgjerohej dhe kjo gjë e bënte vend mjaft origjinal dhe ekzotik Shqipërinë.
"Sulmi ndaj Kryeministrisë nuk ka brenda saj asgjë politike, është vetëm rit rigoroz i Kanunit", vazhdonte në telefon arsyetimin e saj ajo, "Në Kanun thuhet se arkivoli bashkë me atë që ka humbur jetën vendoset tek dera e vrasësit. Më së pari për të treguar botërisht se ky është vrasësi dhe se pikërisht në atë derë ka gjak për të marrë".
Seli partie e pajisur me tanke dhe e mbushur me militantë të armatosur
Dy tanket që morën pjesë në pushtimin e institucioneve shtetërore dhe të televizionit publik pas tërheqjes nga sulmi i forcave të rendit u vendosën përpara selisë së Partisë Demokratike. Bashkë me tanket u rreshtuan deri 400 vetë të armatosur me mitraloza dhe armë të tjera të lehta këmbësorie. Ndërkohë policia bllokoi plotësisht, me anë të dy barrikadave prej betoni, rrugën që kalonte para PD-së dhe shkonte në drejtim të Parlamentit. Po ashtu në pikat zotëruese mbi godinën e Ministrisë së Rendit si edhe në disa ndërtesa përreth Partisë Demokratike ajo vendosi njerëz të armatosur, madje edhe snajper.
Në kundërpërgjigje, përgjatë gjithë natës, përkrahësit e PD-së vendosën roje të armatosur me mitraloza mbi vetë godinën e selisë dhe nga pallati afër saj ndoqën me dylbi me reze infra të kuqe, deri në të gdhirë, lëvizjet e policisë.
Nënkryeministrit shqiptar Kastriot Islami në “La Repubblica”: "Tani Berisha duhet të iki, është një kriminel, do ta arrestojmë".
Në mëngjesin e 16 shtatorit 1998, e mërkurë, në ambasadën shqiptare në Romë Diplomati i Parë, duke skicuar strukturën e raportit ditor, nxori më në pah “La Stampa", në të cilën shkruhej se në komisionin e Jashtëm të Parlamentit senatori Xhulio Andreoti e kishte kritikuar ministrin e Jashtëm Lamberto Dini, duke ftuar drejt për drejt shërbimet e fshehta italiane që të hetonin trafikun e armëve midis Kosovës dhe Shqipërisë për të verifikuar lidhjet e mundshme të tij me vrasjen e Azem Hajdarit. Dini pati dhënë përgjigje të menjëhershme, duke dashur të përgënjeshtronte çdo hipotezë lidhjeje midis krizës shqiptare dhe luftës në Kosovë: "Ngjarjet në Tiranë janë fryt i luftës së brendshme. As Berisha dhe as Fatos Nano nuk kanë interes për të nxitur përleshjet në Kosovë".
Si të spikatur Diplomati i Parë theksoi edhe çfarë shkruante "La Repubblica". Këtu botohej një intervistë e nënkryeministrit shqiptar Kastriot Islami me titullin "Tani Berisha duhet të iki, është një kriminel, do ta arrestojmë".
Shumë arbëreshë në Fiera del Levante
Sidoqoftë "Dita e Shqipërisë" në Fiera del Levante e Barit u realizua në ditën e programuar, më 16 shtator. Nga që në pavijonin e caktuar, ku u paraqitën kryesisht prodhime të artizanatit shqiptar, nuk kishte shumë vend për pjesëmarrësit e shumtë, veprimtaria u zhvendos për në Pallatin Mezzogiorno. Këtu disa mbetën në këmbë, kurse në tribunë, brenda afërsisht një ore, foli një këshilltar i kryeministrit shqiptar si edhe disa përfaqësues të nivelit të dytë. Po ashtu edhe një grup intelektualësh që dëshironte të paraqiste para opinionit italian imazhin e keqpërdorur të vendit të tyre. U pa me interes dokumentari "Trashëgimia kulturore" e një italiani, si edhe folën disa sipërmarrës vendas. Këta, edhe pse dukeshin të tronditur, deklaruan se nuk do t'i ndërprisnin lidhjet me Shqipërinë.
Ndërkohë vëzhgues të vëmendshëm vunë re se në Fiera Del Levante, në ndryshim nga ditët e mëparshme, ishin trefishuar karabinierët dhe në hyrje qe bërë më i imtë kontrolli i shqiptarëve.
Në Tiranë ndërkaq, pasditen e 16 shtatorit, rreth orës 17.00, u pa ish-presidenti Sali Berisha që doli nga shkallët kryesore të godinës së Partisë Demokratike për t'u ulur më pas në kafenë brenda saj. Pikërisht në këto çaste njerëzit e armatosur ndezën një furgon të policisë, të cilin e kishin marrë gjatë revoltës në bulevardin kryesor dhe me lëvizje duarsh dhe thirrje zëlarta ftuan policinë që ta merrte. Pa shkuar ora 18.00, ndërsa në godinën e afërt të Parlamentit qenë mbledhur deputetët e koalicionit qeverisës dhe po mbanin një minutë heshtje për Azem Hajdarin, një person që doli nga selia e PD-së paralajmëroi se Sali Berisha kishte urdhëruar dorëzimin e tankeve, pasi ishte arritur marrëveshja për të mos u arrestuar asnjë nga njerëzit e armatosur.
Këtij urdhri në fillim nuk deshi t'ì bindej askush, por shpejt mes pakënaqësisë së përgjithshme njeri prej të armatosurve flaku i pari në mënyrë demonstrative armën e tij dhe dy jelekët antiplumb që mbante në trup. Në këto momente ai kërkoi që të njëjtën gjë ta bënin edhe të tjerët. Kështu tanket u shoqëruan gjer në afërsi të Urës së Lanës, saktësisht te udhëkryqi me rrugën e Elbasanit, atje ku vetë policia pati caktuar venddorëzimin.
Emrat e bukur të grave të Ambasadës dhe leku shqiptar që nuk u trondit prej trazirës politike
Në 17 shtator tek “Planet Hollywood” Diplomati i Parë arriti dy minuta më vonë nga ora e takimit me mikun e tij, gazetarin e njohur italian të lidhur fort me qarqe të larta të vendit të vet. Ai po e priste saktësisht ku edhe e kishte zakon: aty ku mbaronte sheshi Barberini dhe pak metra më poshtë vinte klubi i famshëm amerikan në Romë.
Këtë ditë nuk mungoi Bruno Kalvo të sillte pesëdhjetë kopje të albumit të tij "Albania", por nuk u bë fare i gjallë italiani që pati ofruar idenë e një "book instant" për Fatos Nanon. D’Agostino, botuesi i libërthit paraqitës “Shqipëria, mrekullia e vitit 2000”, erdhi me projekt për një linjë ajrore mes Romës dhe Tiranës. Pati mbërritur nga regjisori i filmit në përgatitje “Welcome Albania”, Fabricio Maria Korteze, një ftesë për pjesëmarrje në martesën e tij me gazetaren e RAITRE, Vania. Kurorë do të vinin në Kishën San Xhovani in Laterano dhe darka do të bëhej në vilën Brankaço. Kjo ftesë e gëzueshme kaloi dorë më dorë tek gratë e Ambasadës, diplomate apo bashkëshorte të punonjësve. Ngazëllenin. U ishte rizgjuar vajzëria. Kishin që të gjitha emra të bukur: Venera, Jerina, Donika, Flora, Lejda, Mira, Zana, Fatbardha, Dori, dy Edat dhe dy Verat,Genta, Poli, Esmaja, Zhani.
Atë ditë të 17 shtatorit erdhi nga Tirana edhe një faks, në të cilin lajmërohej se po vinte ambasadori i ri dhe se i Ngarkuari me Punë duhej të kthehej në Ministrinë e Jashtme për të filluar si drejtor i departamentit të Evropës.
Pas tërë këtyre ngjarjeve, ndërkohë, u vu re se Leku nuk kishte ndryshuar pozicionet e tij në kurbën e këmbimit të valutave. Një USD qe 148 lekë. Duke dëshmuar kështu se gjithçka që pati ngjarë në Tiranë, nuk ishte pasojë e një krize të brendshme të shoqërisë dhe e vendit, por thjesht luftë për pushtet e një grupi politikanësh.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)