Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi ka bërë publike listën me 24 emrat e futbollistëve që janë ftuar për dy miqësoret e nëntorit. Kuqezinjtë e vegjël luajnë duelet në transfertë, me sfidën e parë që zhvillohet në San Marino në datën 16 nëntor duke nisur nga ora 18:00. Në datën 20 nëntor në orën 13:00 kuqezinjtë do luajnë sërish një test miqësor me Malin e Zi në Podgoricë.
Stafi teknik i kuqezinjve me në krye Alban Bushin ka zbardhur edhe listën e lojtarëve, teksa bien në sy tre afrimet e reja. Agan Mjaki i Groningen U-21 vjen për herë të parë te kuqezinjtë, duke kërkuar debutimin. 19 vjeçari më herët ka qenë pjesë e Maqedonisë së Veriut. Trajneri Bushi "vjedh" nga Maqedonia e Veriut edhe Arda Kurtulan të Adana Demirspor në Superligën turke. Mbrojtësi spikati me kombëtaren e moshave maqedone, teksa origjina e tij shqiptare ka bërë që djaloshi të pranojë ftesën e Shqipërisë. Pjesë e U-21 edhe Aleksandros Robi, mbrojtësi i Panathinaikos në Greqi.
Lista:
Kombëtarja U-21 e Shqipërisë luan dy ndeshje miqësore në muajin nëntor. Në 16 nëntor kuqezinjtë luajnë në transfertë me San Marinon dhe në 20 po në transfertë me Malin e Zi. Trajneri Alban Bushi ka folur për mediat pas shpalljes së listës, teksa e ka nisur me "tradhtinë" e Andrea Ndoj që la kuqeizinjtë për Greqinë. Emrat e rinj, lojtarët e Superligës dhe objektivat, këto janë disa nga temat e cekura nga Bushi.
"'Tradhtia' e Andrea Ndoj? Ndoj bëri dy zgjedhje brenda një muaji. Ka qenë lojtar i rëndësishëm për ne. Ishte më parë me ekipin U-17 të Shqipërisë. Më pas ndryshoi dhe shkoi te Greqia, kur nuk po e merrte Greqia unë e pashë në ekipin Olympiacos B për ta marrë te U-21. Kontaktova me prindërit dhe erdhën me kënaqësi. Hodhi firmën për të ndryshuar ekipin nga Greqia te Shqipëria. Ishte shqip dhe anglisht kontrata. U kthye në Greqi, mori ftesë nga ekipi i parë dhe zgjodhi mos vijë. Nuk ka aspak problem për ne, duam lojtarë që ta ndiejnë fanellën. Nëse ka dy mendje, ashtu e ndjen ai. Mos luajnë shumë me ne. Vijojmë punën, lojtarë ka Shqipëria plot. I uroj suksese Ndojit kudo të jetë.
Shans për rikthimin e Ndojit te Kombëtarja? Ne mirëpresim çdo lojtar për të qenë me ne, nëse do jetë në kapacitetin e duhur. Ai ka cilësi. Po kjo puna hajde-ik, hajde-ik, edhe vetë ai nuk do rikthim sepse bëri dy zgjedhje brenda muajit", tha Bushi sa i takon çështjes Ndoj.
Më pas Bushi u ndal edhe te lojtarët e thirrur nga Superliga shqiptare, me trajnerin që kritikoi klubet tona për mungesën e hapësirës për të rinjtë. "Rast unik" e quajti Bushi aktivizimin e të rinjve në Superligë, duke treguar vështirësitë për të zgjedhur lojtarët.
"Lista dhe lojtarët e Superligës? Pavarësisht se kemi emra të rinj, synimi ynë është që lojtarët e U-21 të shkojnë të ekipi A. Kombëtarja e madhe na ka penalizuar në një farë mënyre, sepse nëse do kishim edhe lojtarët e tjerë që u thirrën në ekipn A do bënim më mirë. Futbolli tani është bërë i lexueshëm, ne e analizojmë ekipin anglez apo gjerman kur kemi ndeshje. Kemi disa lojtarë që nuk na kanë ardhur këtë herë pasi nuk është datë e FIFA. Do i kemi në mars.
Kombëtarja A? Është një motivim për çdo trajner që t'i përmendet emri në ekipin A. Objektiv kemi lojën e mirë me U-21 dhe të dërgojmë ekipin në Europian apo Botëror.
Fryma e grupit? Superliga këtë sezon është unike, nuk ka lojtarë që të furnizojë ekipin U-21. Rast unik në botë. Klubet duhet të aktivizojmë më shumë lojtarë të rinj. Vetëm Alivoda dhe Buxhelaj kanë minuta. Duhet besim për të rinjtë. Shikoni Alivodën dhe Buxhelaj që me besim bënë mirë", tregoi "Loku".
Trajneri i U-21 ceku edhe ndryshimet nga ndeshjet e fundit, teksa i bëri jehonë afrimit të Arda Kurtulan nga Turqia dhe Pajazitit të Fulham, që e krahasoi me Demollarin.
"Ndryshime në mesin e fushës nga ndeshjet e fundit dhe Arda Kurtulan? Arda ka debutuar me Fenerbahce si talenti më i ri. Është një superlojtar që do jetë e ardhmja jonë. Lidhja me të atin, sepse kemi luajtur bashkë në Turqi bëri që ai të vijë te ne.
Brezi i tranzicionit? Shumë emra nuk janë të mëdhenj, me kalimin e kohës do jenë në nivel nëse punojnë. Këtë herë nuk kemi emra por grup. Shpresojmë mos kemi dëmtime sepse kemi grup të mirë dhe do synojmë kualifikimin këtë vit. Kemi San Marinon dhe paçka emrit nuk është i lehtë. Na mungon një sulmues i mirë që të shënojë gola. Kemi emra si Toçi, Nikqi por që nuk janë goli. Na duhet një mbrojtës i mirë, Preka nuk ka luajtur me Partizanin dhe presim të kthehet. Me Kurtulan bëhemi të fortë në mbrojtje. Kemi edhe Pajazitin nga Fulhami, e krahasoj me Demollarin. Do e shikoni me U-21 dhe shumë shpejt do jetë në ekipin A", tha Bushi.