Tre ndeshje larg nga trofeu i Champions League është Bayern Munich, me gjermanët që mposhtën 4-3 Realin e Madridit dhe në fazën gjysmëfinale do përballen kundër kampionëve në fuqi të PSG-së. Skuadra e Vincent Kompany tregoi nivel të lartë loje, ndërsa riktheu rezultatin në favor edhe pse Real Madridi kaloi tre herë në avantazh.

Pas ndeshjes trajneri i bavarezëve tha se të tijtë treguan karakter dhe e merituan të jenë në gjysmëfinale.

"Kualifikimi? Kemi bërë gjënë më të rëndësishme në futboll, treguam karakter. Kemi qenë tre herë në disavantazh ndaj Real Madridit, ishte e vështirë, megjithatë fituam 4-3. Edhe mënyra si luajtëm është e rëndësishme, sidomos për tifozët. Të fituarit është pjesë e punës sonë, por edhe t’u dhurojmë tifozëve tanë diçka të veçantë.

Trofeu? Ëndërrojmë për diçka të madhe që nga fillimi i sezonit. Në gjysmëfinale do të luajmë kundër kampionëve në fuqi të Evropës, që janë në formë shumë të mirë, mezi po presim. Jam i lumtur dhe krenar për skuadrën time.

Ndeshja? Gjëja më e rëndësishme për mua është se djemtë luajtën pa frikë. Nuk mjafton vetëm ta thuash këtë, duhet edhe ta tregosh. Dhe e bënë. Shpesh janë detajet ato që vendosin nëse fitojmë apo humbasim. Thelbësore për mua është që pas ndeshjes të mos qëndrojmë duke pyetur veten ‘çfarë ishte kjo’, por përkundrazi, të kemi dhënë gjithçka në fushë", tha Vincent Kompany për 'Prime Video'.

Pas ndeshjes foli edhe Harry Kane, sulmuesi i Bayern Munich që shënoi një gol në këtë ndeshje. Këtë sezon Kane ka shënuar 50 gola në të gjitha kompeticionet.

 "Ishte një ndeshje e vështirë. E dinim se do të ishte e tillë kundër Real Madridit në Champions League. Ata kanë qartësisht një lidhje të veçantë me këtë kompeticion dhe gjithmonë duhet të luash në nivelin më të lartë për t’i mundur dhe për t’i eliminuar", tha Kane.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:20
Po jeton sezonin më të mirë në karrierë, Harry Kane rekord kundër Real Madridit: Duhet të kesh nivel më të lartë për t'i eliminuar

1776327719_harrykane.jpg

Sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, ka hyrë në historinë e Champions League duke vendosur një rekord unik përballë Real Madridit. Anglezi është bërë lojtari i parë që regjistron gol ose asist në pesë ndeshje radhazi kundër gjigantit spanjoll.

Kane ka qenë vazhdimisht vendimtar kundër madrilenëve, duke kontribuar drejtpërdrejt në gola si në ndeshjet brenda ashtu edhe jashtë fushe, si në fazat me eliminim direkt ashtu edhe në ato të grupeve.

Pesë paraqitjet e fundit të Harry Kane kundër Real Madridit në Champions:

Asistim në vitin 2017 (me Tottenham Hotspur), asistim në vitin 2024, gol në vitin 2024, gol në vitin 2026, gol në vitin 2026.

Harry Kane po përjeton sezonin më të mirë në karrierë, pasi deri tani ia ka dalë të shënojë 50 gola. 31 gola anglezi 32-vjeçar i ka shënuar në Bundesligë, 12 në Champions League, 6 në Kupën e Gjermanisë dhe 1 gol në Superkupë.

Pas ndeshjes së fituar 4-3 kundër Real Madridit dhe golit të shënuar, Kane tha se për të mposhtur 'Galaktikët' duhet të jesh në një nivel më të lartë.

"Ishte një ndeshje e vështirë. E dinim se do të ishte e tillë kundër Real Madridit në Champions League. Ata kanë qartësisht një lidhje të veçantë me këtë kompeticion dhe gjithmonë duhet të luash në nivelin më të lartë për t’i mundur dhe për t’i eliminuar.

Pjesa e parë ishte pak kaotike, e nisëm në mënyrën më të keqe të mundshme, por u rikthyem mirë në lojë. Megjithatë, lojtarët e tyre në tranzicion mund të të dëmtojnë shumë dhe kjo është ajo që na ndëshkoi. Në pjesën e dytë thamë të ishim pak më të duruar. E dinim se me kalimin e kohës do të bëheshim më të fortë dhe arritëm t’i shfrytëzonim rastet tona në fund", tha Kane.