Socialistët do të presin konferencën e Metës të hënën në 08:00 të mëngjesit, për të marrë më tej vendim se si do të veprojnë pas aktit të papritur marrë dje nga presidenti, për anulimin e zgjedhjeve. Gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, raporton se të enjten do të ketë seancë plenare. Deputetëve socialistë u është shpërndarë një njoftim për të qenë të pranishëm në sallë pa asnjë mungesë. Të hënën, nuk do të ketë mbledhje të grupit parlamentar dhe kjo pritet të caktohet gjatë javës.
Shqiptarja.com botoi në numrin e sotëm, Partia Socialiste mësohet se ka nisur menjëherë lëvizjet për shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës. Sipas burimeve, socialistët do të përgatisin procedurën për shkarkimin e Metës me dy të tretat e votave të Parlamentit. Arsyet dhe procedura e shkarkimit të Presidentit parashikohen në nenin 90 të Kushtetutës ku “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij”.
Kryeministri që do të largohet të hënën nga vendi për një vizitë pune në Bruksel.
Dje pas vendimit, kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur se zgjedhjet e 30 qershorit do të bëhen. Ndësa sot, nga Burreli ku vijoi fushatën elektorale, ai tha se me veprimin e djeshëm presidenti Ilir Meta shkroi fatin e tij duke humbur të drejtën për të qëndruar në zyrën e kreut të shtetit.
Por lëvizjet e mundshme të mazhorancës, për dekretin që Meta shfuqizoi janë tre. Siç gazetarja Konomi raporton,. vendimi i Metës mund të ankimohet në Gjykatën Administrative. Së dyti, shfuqizimi i dekretit nga ana e Metës, mund të anulohet me vendim Kuvendi. Skenari tjetër i mundshëm është që Komisionin Qendror i Zgjedhjeve të marrë në shqyrtim çdekretimin, të konstatojë pavlefshmërinë e tij dhe të vijojë punën për përgatitjet zgjedhore për 30 qershorin.
Të gjithë këto, do të konkludohen në një vendim ditën e hënë pasi presidenti Ilir Meta të dalë në konferencën e së hënës për të paraqitur argumentet e tij përse shkoi drejt anulimit të zgjedhjeve, dhe për të parë nëse do të ketë sërish ndonjë veprim të papritur të tij në konferencën e jashtëzakonshme.