Në një vendim të papritur, Presidenti Ilir Meta ka anuluar dekretin e firmosur prej tij, duke shfuqizuar 30 qershorin 2019, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore për kryebashkiakët e rinj. Kreu i shtetit, nuk ka caktuar datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve. Në një deklaratë për mediat shpërndarë në nisje të protestës të tetë të opozitës jo parlamentare kundër qeverisë, Meta thotë se ky vendim vjen pasi asnjë nga palët politike nuk ka reflektuar për zgjidhjen e krizës.

Po ashtu Meta fton të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë të situatës.

Arsyet për ketë vendim, Meta tha se do t'i japë të hënën në mëngjes, ku do të sqarojë "të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi", - siç ai u shpreh. 

Në përmbyllje të deklaratës, kreu i shtetit Ilir Meta ka zgjedhur të përdorë të njëjtin slogan të opozitës, "Shqipëria si gjithë Evropa!"

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama nga Berati i cili theksoi se ky vendim ishte i gabuar dhe se zgjedhjet do zhvillohen me 30 Qershor, pasi ato nuk janë të Presidentit.

Anulimi i zgjedhjeve nga Presidenti hap tashmë një skenar tjetër në krizën politike shqiptare, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, dhe kur faktori ndërkombëtar ka mbështetur gjithnjë votimin më 30 qershor.

Reagimi

DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SH.T.Z ILIR META

1.    Me shqetësimin e thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë;

2.    Duke patur parasysh domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend;

3.    Duke marrë  përgjegjësinë e lartë kushtetuese e institucionale, dhe i bindur se mbrojtja e parimeve kushtetuese është më e rëndësishme se çdo afat ligjor, si Kreu i Shtetit dhe duke iu përmbajtur betimit për t’i shërbyer ruajtjes me çdo kusht të stabilitetit, paqes sociale dhe unitetit kombëtar;

4.    Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kriter kryesor i Kopenhagës dhe në kushtet aktuale, për mungesë përgjegjësie të të dy palëve, po shkojmë drejt votimeve një partiake. Në këtë mënyrë minohet çdo mundësi për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, dëmtohet imazhi si vend anëtar i NATO-s dhe cenohet kryesimi i OSBE-në për vitin 2020;

5.    Duke ftuar të gjithë aktorët e përgjegjshëm vendas dhe ndërkombëtarë të bashkojnë kontributet konstruktive për rivendosjen urgjent të dialogut të pazëvendësueshëm politik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe që i shërben të ardhmes evropiane të Shqipërisë;

Kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019.

    Në komunikimin e parë ditën e hënë, datë 10 qershor, në mëngjes, Institucioni i Presidentit të Republikës do të bëjë publikisht me dije të gjithë argumentat shteruese kushtetues, ligjorë dhe logjikë që çuan në marrjen e këtij vendimi. 

    U bëj thirrje udhëheqësve të opozitës që protesta e sotme të zhvillohet në mënyrë tërësisht paqësore, larg çdo akti dhune.

    Njëkohësisht u tërheq vëmendjen të gjitha palëve që të shmangin çdo provokim që mund të shfaqet gjatë protestës.

    Shqipëria e para!
    Shqipëria si gjithë Evropa!