TIRANE- Tre mesazhe telefonike që janë dërguar nga numri i Eduart Belegut, dyshohet se nuk janë shkruar nga dora e tij. Bëhet fjalë për tre sms me tekst: “Ato që më dhe sot ishin 76.000 USD dhe jo 80.000 USD. Nga Dhjetori 2004 më ke dhënë 127.000 USD. Takohemi ora 16. Tek noteri tek gjykata. Edi Belegu”, “Po më shqetësojnë prapë për ato problemet e vjetra”, “…mendoj të largohem disa ditë…”. Të tre këto mesazhe ekzistojnë dyshime të forta se nuk janë shkruar nga biznesmeni Eduart Belegu, por nga persona të tjerë që e kanë rrëmbyer. Një fakti i tillë sipas burimeve të prokurorisë, lidhet edhe me dëshminë e gruas së Belegut, e cila në deklarimet e saj ka shtuar se dyshonte shumë në mesazhin që Belegu i kishte dërguar Nashos, pasi sipas saj, Eduarti nuk shkruante asnjëherë emrin e tij në fund të mesazhit.

Biznesmeni i njohur është zhdukur mëngjesin e 23 marsit 2010 pa lanë asnjë gjurmë. Prokuroria dhe policia kanë hetuar për gati një vit me rradhë me qëllim gjetjen e provave materiale, por në fakt nuk është konstatuar asnjë provë që të faktonte dyshimet për Thanas Manopullin. Momentalisht dosja “Belegu” fle në sirtarët e policisë së Shtetit, si dosje pa autor. Ndërkohë prej disa vitesh nuk është kryer asnjë veprim hetimor në të.

Shkrimi u publikua sot (07.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)