Tregtia e armëve, Rama:
Këmbanë alarmi në vend

Tregtia e armëve, Rama: <br />Këmbanë alarmi në vend
TIRANË - Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu sot shqetësimin e tij për hijet e dyshimit që lidhin Ministrinë e Mbrojtjes me trafikun e armëve, ndërsa refuzimin e këtij dikasteri për një kontroll parlamentar e cilësoi si një “shqetësim shumë serioz për sigurinë kombëtare”. Ky refuzim “është një tjetër tregues i degradimit të institucioneve të këtij vendi”, tha kryesocialisti, ndërsa përshëndeti kërkesën e Komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare për kryer kontrolle pranë ministrisë së drejtuar nga Arben Imami.

“Edhe skandali më i fundit që hedh dyshime të rënda mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes është një këmbanë alarmi për aktivitetin e kësaj ministrie”, tha kreu i PS gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të kësaj force politike. Ditët e fundit Shqiptarja.com ka publikuar disa artikuj investigativë ku zbulohen lidhjet e disa drejtuesve të lartë të këtij dikasteri me tregtarë armësh. Asnjë reagim zyrtar mbi këto denoncime publike nuk ka mbërritur deri tani nga Ministria e Mbrojtjes.

Rama u shpreh i shqetësuar edhe për “degradimin që po ndodh me arsimin, konkretisht me provimin e maturës shtetërore”. Sipas tij, “shitja masive e tezave, kopjet e zbuluara masivisht, flasin qartë për një degradim”. Por “mbetet ende një punë e madhe për t’u bërë për të arritur deri në fund ndjeshmërinë e familjeve shqiptare” ndaj këtyre temave, theksoi kreu i PS.

REFORMATIMI I KQZ DOMOSDOSHMERI
Një nga temat e trajtuara nga Rama ishte edhe ajo e Reformës Zgjedhore. Kreu i socialistëve u shpreh i gatshëm për dialog dhe kompromis, por theksoi se kjo nuk mund të ndodh kurrë nëse nuk pranohet reformimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, “akuzat e përditshme tanimë të Kryeministrit, të kryetares së Kuvendit, dëshmojnë në fakt vullnetin e mbrapshtë për të mos e realizuar reformën”.

“Është e qartë ajo që kërkojmë ne – tha Rama - Nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri në rast se nuk ka reformim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo bazohet në gjetjet dhe rekomandimet e vetë raportit të ODIHR-it. Reformatimi i saj është një domosdoshmëri. PS e ka të pamundur që të tërhiqet në emër të çdo kompromisi kur është fjala për të reformatur KQZ-në”, tha Rama.

Përsa i përket Reformës Zgjedhore, tre janë temat kryesore për socialistët: KQZ, materialet zgjedhore dhe numërimi e identifikimi i zgjedhësve.

“Refuzoj të konsideroj të mirëqenë çdo thirrje që i kërkon Partisë Socialiste të ngrihet mbi interesin partiak pasi asnjë nga këto pika nuk është në interes partiak” por në interes të vendit, tha Rama.

“KQZ pak ditë më parë dha një tjetër provë që është një vegël e pushtetit – shtoi Rama - duke e bërë praktikisht të pamundur referendumin për importin e plehrave përpara zgjedhjeve të ardhshme. Reformatimi i saj do të sillte qetësinë”.

KOMPROMISI I TAKON MAZHORANCES
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me palën tjetër për korrektimin e sistemit duke gjetur një kompromis të suksesshëm. Por koha nuk pret dhe praktikisht edhe afati i ri rrezikon të digjet”, theksoi kreu i socialistëve. Rama tha se tashmë i takon mazhorancës që të tregojë dëshirën për kompromis. “PS i ka bërë të gjitha hapat për gjetjen e kompromisit. Tani është rradha e palës tjetër që të mos qëndrojë në pozicionet e vjetra”, tha ai. Por “nuk mund të bëjmë kompromis bazuar mbi asgjë, shpjegoi ai.

BERISHA INDIFERENT MBI BULQIZEN
Rama denoncoi edhe indiferencën e Kryeministrit Berisha ndaj vdekjes së një tjetër minatori në Bulqizë. Ai foli për një “mur të indiferencës së plotë që ndan shtetin me familjet që për mbijetuar paguajnë me koston e humbjes së jetës së anëtarëve të tyre”. “Fatkeqësisht këto ndodhi shumë të hidhura” sipas Ramës “vërtetojnë drejtësinë e analizës sonë, kthjelltësinë e këndvështrimit tonë” se zona të caktuara interesi “janë nën kontroll të krimit të organizuar”.

Rama tha se mbi këto çështje PS do të vazhdojë të kërkojë një interpelancë parlamentare me Kryeministrin Berisha. “Mbetet megjithatë me shumë rëndësi që ne të vazhdojmë të këmbëngulim për interpelancën e Kryeministrit, që është një akt i detyruar, që ai refuzon ta bëjë duke shkelur mbi çdo normë parlamentare”.

Petro Koci: Refuzimi i kontrollit parlamentar mbi Ministrinë e Mbrojtjes përbën një dëshmi alarmante për pakontrollueshmërinë e qeverisjes së sotme.
Kjo ngjarje e rëndë antidemokratike tregon se tashmë Republika Parlamentare është ç'bërë dhe është kthyer në Republikë kryeministrore, e rrezikshme për qytetarin, e leverdisshme për qeveritarin.
Bllokimi i kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin duhet të alarmojë komunitetin ndërkombëtar dhe sidomos Aleancën Euroatlantike.
Dërgimi i kontigjenteve ushtarake në Afganistan apo në vende të tjera ku sfidohet paqja nuk është dhuratë kryeministrore, por kontribut i popullit shqiptar, prandaj ambasadorët euroatlntikë sduhet të mbyllin sytë përballë shkeljes së rëndë të standarteve të Aleancës.
Në këto kushte edhe këshillimi për konsensus çfarëdo, në kurriz të standarteve demokratike po kthehet në investim pa të ardhme dhe që i shërben fshehjes së krizave e jo zgjidhjes së tyre, kapjes dhe jo bërjes së shtetit.
Opozita duhet ta kushtëzojë dialogun e mëtejshëm të saj me qeverinë me zbatimin e standarteve të shtetit ligjor


(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

DINAMIKA/ Çfarë dimë deri më tani për vrasjen e Martin Canit? Ende mungon ekspertiza e vdekjes! Shoku i autorit dërgohet në vendin e ngjarjes, tregon si nisi sherri

DINAMIKA/ Çfarë dimë deri më tani për vrasjen e Martin Canit? Ende mungon ekspertiza e vdekjes! Shoku i autorit dërgohet në vendin e ngjarjes, tregon si nisi sherri