TIRANE, 7 Dhjetor /ATSH/- Në Tregun e këmbimit valutor, këtë fund javë, monedha vendase Lek ka humbur pikë kundrejt valutave kryesore euro dhe dollar.
Të dielën një dollar u këmbehet me 113.30 lekë, duke regjistruar një ngritje të lehtë kundrejt të fillim javës, që shënoi nivelin prej 113.15 lekë, ndërsa ka shënuar një fitim javor prej 0.8%, sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Tendenca e forcimit të monedhës së gjelbër ka qenë në të njëjtën linjë me ecurinë e saj në tregjet ndërkombëtare, ku dollari të enjten përparoi në $1.2280 për një euro, nieli më i lartë që nga gushti 2012.
Për euron, tendenca ka qenë krejt e kundër në raport me bursat ndërkombëtare. Ndonëse monedha e përbashkët është në nivelet më të ulëta në dy vite, në Shqipëri ajo mbahet e fortë, duke qëndruar mbi 140 lekë.
Të premten, një euro këmbëhej në tregun vendas me 140.11 lekë, pothuajse në të njëjtat nivele me fillimine javës.
Aktorët e tregut shpjegojnë se është pikërisht euro e fortë, ajo që po e rrit dollarin në tregun vendas. (në mënyrë që të mbahet kursi i kryqëzuar në nivele të njëjta me tregjet ndërkombëtar, mosrënia e euros po reflektohet me rritjen e dollarit).
Sipas tendencës sezonale, në ditët e fundit të vitit ka një forcim të monedhës vendase si rrjedhojë e rritjes së prurjes së valutës nga emigrantët, megjithëse vitet e fundit kjo prirje është zbehur, për shkak të tkurrjes së remitancave, që vijnë kryesisht nga Italia e Greqia.
/f.n/










