Tremujori, INSTAT: 103.945 të
punësuar më shumë se 2014

TIRANE- Sipas Institutit të Statistikave, në mars 2015 shkalla e papunësisë ka rënë në 17,3%, nga 18% në tremujorin parardhës. Në raportin mbi Anketën Tremujore të Forcave të Punës për Tremujorin i 2015, vërehet se numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.039.545 persona. Numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 217.647 persona.

Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç, numri i të punësuarve është rritur me 103.945 persona, ndërkohë që numri i personave të papunë është rritur me 3.279. Gjatë tremujorit të parë 2015, 41,1 % e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 22,6 % e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni. Ja 9 pyetjet që sqarojnë situatën e punësimit në Shqipëri, nga sektorët me më shumë të punësuar, te të papunët sipas nivelit arsimor.
 
Çfarë është anketa e forcave të punës?

Anketa Tremujore e Forcave të Punës (ATFP) është një vrojtim statistikor që kryhet pranë familjeve. Objektivi kryesor i saj është të japë informacion mbi situatën e tregut të punës në Shqipëri i cili përdoret për të hartuar politikat e tregut të punës dhe për vlerësimin e efektshmërisë së tyre, si dhe për të kënaqur nevojat e përdoruesve të statistikave për të dhëna të përditësuara mbi dinamikën e tregut të punës. Baza e zgjedhjes e përdorur për ATFP bazohet në të dhënat përmbledhëse për zonat e numërimit sipas Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011.

Madhësia e zgjedhjes për ATFP për tremujorin e parë të vitit 2015 është 5.612 familje. Zgjedhja e kampionit bëhet sipas një procedure me dy hapa, ku në hapin e parë zgjidhen zonat gjeografike me probabilitet përpjesëtimor me madhësinë e zonës së numërimit, dhe në hapin e dytë, brenda secilës prej këtyre zonave gjeografike zgjidhen sipas metodës së zgjedhjes sistematike me probabilitet të barabartë një numër fiks familjesh.
 
Sa është numri i të papunëve?
Gjatë tremujorit të parë 2015 në Shqipëri, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 217.647 persona. Shkalla e papunësisë për popullsinë 15-64 vjeç është 17,3 %. Për këtë grup-moshë, shkalla e papunësisë është më e lartë për meshkujt (17,7 %) sesa për femrat (16,8 %). Krahasuar me tremujorin pararendës, vihet re një rënie e shkallës së papunësisë prej 0,7 pikë përqindje. Shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 23 % ose 5,7 pikë përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar. Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie prej 18,6 %. Për personat me arsim të mesëm profesional dhe ato me arsim deri në 8/9 vjeçar shkalla e papunësisë është përkatësisht 13,3 % dhe 14,5 %.
 
Si paraqiten treguesit e punësimit krahasuar me një vit më parë?
Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014 për popullsinë 15-64 vjeç, numri i të punësuarve është rritur me 103.945 persona. Numri i personave të papunë është rritur me 3.279. Numri i personave në moshë 15-64 vjeç jashtë tregut të punës ka rënë me 99.544. Në terma vjetorë, punësimi u rrit me 10,6 % (krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014). Rritje më të madhe vjetore në punësim patën sektorët: ndërtim me 21,7 %; shërbime jo të tregut me 12 %; shërbime të tregut me 9 %; industri përpunuese me 11 %; bujqësi me 9,9 %. Në terma vjetorë punësimi pësoi një rënie prej 3,4 % vetëm në grup-aktivitetet e industrinë nxjerrëse, Energjisë, Gazit dhe Furnizimit me ujë.
 
Si është situata e punësimit sipas sektorëve?
Gjatë tremujorit të parë 2015, 41,1 % e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 22,6 % e të punësuarve punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme). Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtare) përbën 18 % të punësimit total. Të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 9 % të të punësuarve gjithsej.

Cilët prej sektorëve kanë shënuar rritje më të madhe?
Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i katërt 2014 në tremujorin e parë 2015 është: 3 % në sektorin e shërbimeve jo të tregut; 2,4 % në bujqësi; 1,9 % në aktivitetet e industrisë nxjerrëse, Energjisë, Gazit dhe Furnizimit me ujë. Pati rënie të numrit të të punësuarve në aktivitetet e ndërtimit me 2,3 %; në industrinë përpunuese prej 5,3 %; dhe me 0,8 % në sektorin e shërbimeve të tregut.
 
Sa është numri i të punësuarve dhe vetëpunësuarve?
Gjatë tremujorit të parë 2015, pesha që zënë në punësimin total të punësuarit me pagë është 42,2 %. Të vetë-punësuarit (punëdhënës ose të vetë-punësuar pa të punësuar të tjerë me pagë) përbëjnë 26,3 % të të punësuarve në tërësi, ndërsa punëtorët pa pagesë të familjes përbëjnë 31,5 % të punësimit total.

Pesha që zënë të punësuarit me pagë rritet me rritjen e nivelit arsimor. Nga të punësuarit me arsim të lartë 85 % janë të punësuar me pagë dhe vetëm 3,9 % janë të punësuar si punëtorë pa pagesë të familjes. Tek të punësuarit me arsim të mesëm profesional dhe me arsim të mesëm të përgjithshëm përqindjet që zënë të punësuarit me pagë janë përkatësisht 45,2 dhe 47,8 %.
 
Si ndikon arsimi në punësim?
Shkalla e punësimit (grup-mosha 15-64 vjeç) është më e lartë për të punësuarit me arsim të lartë (65,5 %) pasuar nga ata me arsim profesional (65,3 %). Të dhënat tregojnë se përqindja e të punësuarve me pagë është më e lartë për personat me arsim të lartë dhe e kundërta vërehet tek të punësuarit me arsim 8/9 vjeçar ku mbizotërojnë punëtorët pa pagesë të familjes. Po të analizojmë të punësuarit me arsim të mesëm, shkalla e punësimit është më e lartë për personat me arsim të mesëm profesional krahasuar me personat që kanë kryer shkollën e mesme të përgjithshme, përkatësisht 65,3 dhe 46 %.
 
Cilët janë treguesit e popullsisë ekonomikisht jo-aktive?
Gjatë tremujorit të parë 2015 numri i personave të moshës 15-64 vjeç jashtë tregut të punës dhe që nuk po kërkojnë punë ose nuk janë të gatshëm për të punuar (ndryshe popullsia ekonomikisht jo-aktive) është 737.673. Krahasuar me tremujorin pararendës, numri i personave ekonomikisht jo-aktivë është rritur me 1,6 %. Për grup-moshën 30-64 vjeç numri i personave ekonomikisht jo-aktivë është rritur me 3,9 %. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2014, popullsia ekonomikisht jo-aktive e moshës 15-64 vjeç është
reduktuar me 11,9 %. Popullsia e moshës 15-64 vjeç e klasifikuar si ekonomikisht jo-aktive përbën 37 % të popullsisë në moshë
pune.
 
Sa prej jo-aktivëve nuk kërkojnë punë?
Nga ATFP rezulton se 13,2 % e popullsisë ekonomikisht jo-aktive e moshës 15-64 vjeç janë në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 8,8 % janë në paaftësi të përhershme. 12,8 % e personave ekonomikisht jo-aktivë të moshës 15-64 vjeç janë të papunë të dekurajuar. Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 70,1 % të të rinjve ekonomikisht jo aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo aktivë, 10,2 % klasifikohen si të papunë të dekurajuar ndërsa në popullsinë më të rritur të moshës 30-64 vjeç ky grup përbën 15,7 % të popullsisë ekonomikisht jo aktive të kësaj grup-moshe.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 11 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Përmbytjet e Vlorës/ Qeveria dëmshpërblen 375 familje të prekura me mbi 61 mln lekë, shpërndahen dhe 355 pajisje elektro-shtëpiake

Përmbytjet e Vlorës/ Qeveria dëmshpërblen 375 familje të prekura me mbi 61 mln lekë, shpërndahen dhe 355 pajisje elektro-shtëpiake