TIRANE - Arrest me burg është masa e sigurisë që Gjykata e Tiranës ka dhënë ndaj Qani Hysenaj, drejtuesit të automjetit taksi që u përfshi në aksidentin hekurudhor të 7 janarit ku humbi jetën një 21-vjeçare dhe u plagos rëndë vëllai i saj 20 vjeç.

Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “treshi” kur makina tip Ford me targa TR 7358 U u përplas nga treni i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës.

Kristjana Ndosha 21 vjeç nga Fushë-Arrëzi ka humbur jetën si pasojë e këtij aksidenti tragjik, ndërsa vëllai i saj Mikeli 20 vjeç mbeti i plagosur rëndë.
Kristjana dhe Mikeli banonin në zonën e njohur si Stacioni i Trenit në kryeqytet, në fund të rrugës “Jordan Misja”.

Automjeti me të cilën ata udhëtonin ishte taksi dhe drejtohej nga Qani Hysenaj. Dyshohet se gjatë momentet që makina ka tentuar të kalojë mbi shinat e trenit ka pasur një fikje të automjetit duke mbetur në mes të shinave.

Sipas gazetari të televizionit A1Report, Arsen Rusta shkak për aksidentin dyshohet të jetë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga ana e drejtuesit të automjetit, i cili është shoqëruar në polici. Shkak është bërë edhe mungesa e një trau.

Dëshmitarët e shumtë në vendngjarje i dhanë ndihmën e parë, por fatkeqësisht Kristjana ka gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa i vëllai, Mikeli u transportuar drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)