Tri dosje me dorëshkrime të krijimtarisë së Dom Gazullit në Arkivin Qendror të Shtetit

Tri dosje me dorëshkrime të krijimtarisë së Dom Gazullit në Arkivin Qendror të Shtetit

Dorëshkrime dhe skeda fjalori, fragmente të vyera nga puna kolosale e Dom Nikollë Gazullit, gjurmë dhe relike me vlerë muzeale; gjenden në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar.

Një zbulim i disa relikeve të përdorura nga albanologu i madh Dom Nikollë Gazulli në mesin e këtij gushti, në një shpellë në fshatin Vrith të Shkrelit, Shkodër, riktheu edhe njëherë për publikun e gjerë madhështinë e këtij martiri të albanologjisë dhe kishës shqiptare.

Objektet e gjetura dhe enët që kishte përdorur për mbijetesë gjatë kohës që Dom Gazulli fshihej nga përndjekja komuniste, risollën në vëmendje  të të gjithëve njeriun e veprave të mohuara nga komunizmi për mbi pesë dekada.

Ndërkohë që një pjesë të veprave i botoi në gjallje të tij, e të  ribotuara tashmë pas rënies së komunizmit, janë ende të panjohura dorëshkrimet e sekuestruara nga Sigurimi i Shtetit.

Mendimi i parë të çon tek arkivat e shtetit: çfarë ka aty, çfarë ruhet nga krijimtaria e tij?

Natyrisht në Arkivën Qendrore të Shtetit Shqiptar nuk gjendet asnjë dokument i përndjekjes, as rrethanat e vrasjes pa gjyq apo të  motiveve absurde të persekucionit, sepse ato janë mbajtur tepër sekret në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Tek Arkiva e Shtetit, shohim se strehohet vetëm një pjesë e vogël  nga universi i krijimtarish kolosale të Dom Nikollës. Sidoqoftë të emocionojnë këto shkronja të shkruara me penë e kartë. Janë dorëshkrime me vlerë të veçantë, që rrinë prej vitesh të prehura aty.

Çfarë përmbajnë tri dosjet

Në tri dosiet e Dom Nikollë Gazullit, që na serviri institucioni i Arkivës së Shtetit pas interesimit të gazetës “Shqiptarja.com” gjenden në të parin; Ditar, indeksi alfabetik i përdorur nga 

Dom Nikollë Gazulli, me plot shënime e fjalorthe në italisht, latinisht e shqip. Ky dorëshkrim përmbush me ekzistencën e vet vlera muzeale të veçanta. Ka dhe dy dosje të tjera; ku janë futur dhjetëra skeda me fjalë të mbledhura e të studiuara për Fjalorin Toponomastik, sipas rendit alfabetik  A- dhe -B

Nga këto dorëshkrime të ruajtura në Arkivën Qendrore të Shtetit vihet re gjenialiteti i një hulumtuesi shkencor, që me mund e përpjekje të mëdha ka bërë kërkime të fjalëve nëpër zonat më të thella të vendit, ku nuk ka pasur ndikime të pushtuesve. Dom Gazulli ishte kërkues i fjalëve autoktone, të cilat gjuhëtari i ka qëmtuar duke folur me banorët e çdo treve.

Në disa prej këtyre dorëshkrimeve vëmë re fjalë të rralla parake, si Arrnishta, ku ai e gjen në Fandrë të Mirditës, e gjen edhe në Postribë e deri në jug, në Korçë. E njëjta fjalë në fjalorin toponomastik të Dom Gazullit vihet re që kërkohet prej tij skaj më skaj të trojeve shqipfolëse, ku shpesh zbulohet edhe me një përshtatje të lehtë sipas paradigmave dialektore.

Shohim sesi emërtime të tilla si Barkaneshi gjenden në Krue, pastaj në variantin Barmashi në Kolonjë, e pastaj Bathajt në Pukë, apo më pas edhe në Tiranë, si Bastar. Dom Gazulli vëren edhe sesi rrënjët e fjalëve Kabashaj ndërrohen në Bashaj, nga njëra trevë në tjetrën, kur ka migrime mes popullsive vendase. Këto forma kërkimesh kaq skrupuloze, na bëjnë që të vërejmë me sytë tanë punën e jashtëzakonshme e rraskapitëse që ka bërë gjuhëtari i shquar për hartimin e veprave të tij. Këto vepra qëndrojnë tashmë si gurë themeli në gjuhësinë shqipe, edhe pse shpesh ai nuk zihet në gojë nga të gjithë shfrytëzuesit e punës së tij.  

Kontributi i gjuhëtarit dhe albanologut Dom Nikollë Gazulli

Dom Nikollë Gazulli ka hartuar dy vepra origjinale leksikografike që i botoi në “Visaret e Kombit” dhe “Hylli i Dritës”, përkatësisht: “Fjalori i fjalëve të rralla të malësive veriore” dhe “Fjalori toponomastik”. Nikollë Gazulli ishte i dhënë edhe pas folklorit dhe historisë, duke punuar  në terren dhe duke botuar më pas shkrime, këngë të moçme, idioma, etj.

Ai ka mbledhur dhe ka analizuar për vite me radhë me mijëra fjalë të rralla, shprehje frazeologjike, materiale onomastike, si: emra vendesh, lumenjsh, fisesh, etj. Ka mbledhur gojëdhëna, fakte historike, mitologji, duke u bërë edhe bashkëpunëtori shkencor më i afërt i Nobert Joklit (që u pagua në atë kohë nga shteti shqiptar për të përfunduar misionin e fjalorit etimologjik të shqipes). Dom Nikollë Gazulli ka pasur letërkëmbime të pareshtura me Joklin, dhe kjo dëshmon frytin e vjelë nga Jokli prej tij. Është dëshmuar se në njërën prej tyre flitet për një aksident të rëndë që ka ndodhur me punën e mundimshme kërkuese të Dom Nikollë Gazullit. Një punë kolosale, që Dom Nikolla e kishte bërë për mbledhjen e fjalorit dhe të gojëdhënave i është djegur gjatë një zjarri që ka rënë në banesën e tij, aty nga vitet ‘30.

Dom Nikollë Gazulli, u shkollua në Insbruk, Austri. I pajisur me një kulturë gjermane, ai e pasuroi metodologjinë e tij kërkuese si një shkencëtar me fizionomi të plotë. Kësisoj ai ishte i vlerësuar dhe i mirëpritur në rrethet shkencore dhe intelektuale të viteve ‘30, me një vepër të shpërndarë në periodikët e kohës.

Ribotimi, rrëfimi i Ledi Shamkut: Vlera e fjalorëve të Gazullit  

Dom Nikollë Gazulli lindi në vitin 1891. Ai u vra në kushtet e një rrethimi të egër nga Sigurimi i Shetit, pa gjyq, në vitin 1946. Gjuhëtari që dha një  ndihmesë të jashtëzakonshme për shqipen, përmblodhi fjalë të saj në dy veprat e tij madhore “Fjalorth i ri”, që pasuroi me fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë, të cilin e ka botuar në vitin  1941 në Tiranë. Këtë fjalorth e ka përfshirë edhe në vëllimet e botuara, i 12-ti i “Visareve të Kombit”, me 524 faqe dhe me 4819 fjalë, dhe “Fjalori onomastik”, botuar pjesë-pjesë në revistën “Hylli i Dritës” nga shkronjat A deri në K, që ka 173 faqe, i papërfunduar.

Autori Nikoll Gazulli, është vrarë 5 vjet pas botimit të fjalorit. Me gjithë punën e tij të madhe në ato vite, pak njerëz kanë pasur mundësi që ta kenë në dorë atë fjalor. Por, pas shumë vitesh, plot 64 vjet pas botimit të tij të parë në Shkodër, në vitin 1941, studiuesja Ledi Shamku Shkreli, mori nismën për botimin e tij. Fjalori doli në dritë nga botimet “Çabej”.  

Në kohën që u botua ky libër, Ledi Shamku Shkreli, duke folur për rëndësinë e tij dhe punën e jashtëzakonshme të Dom Gazullit ka theksuar se: “Treva ku u mblodh materiali gjuhësor është nga më të pasurat dhe më të rëndësishmet e arealit geg. Fakti që Nikoll Gazulli zgjodhi enkas këtë trevë për vjeljet e tij, nuk parakupton kurrnji grimë se ky fjalor pasqyron idiolekte malësorësh. Malësia e Madhe është burimore dhe shumë pak e cenuar gjuhësisht në krahasim me Shkodrën dhe rrethinat rrotull saj. Kjo për shkak të izolimit historik të kësaj Malësie, si dhe për veçoritë gjeomorfologjike të saj. Tjetër rremb që buron gjuhë të pastër në këtë trevë, është të rrethuarit e saj nga treva shqipfolëse”, është shprehur studiuesja dhe gjuhëtarja e njohur.

Mbledhësi i palodhur i fjalëve të shqipes, duket se përmes materialeve të arkivuara në Arkivën e Shtetit, në mungesë të tij ka shërbyer si thesar studimi, i shfrytëzuar nga gjuhëtarët pasrendës. Ata janë bazuar mbi këtë fjalor, por nuk e kanë cituar asnjëherë burimin. Megjithatë, Ledi Shamku thekson se të vetmit që guxuan në atë kohë “ta citonin në studimet e tyre Gazullin, ishin Xhuvani, Çabej e pakkush tjetër, njerëz këta, me vlera morale e shpirtërore fort mirë të sprovuara. Xhuvani dhe Çabej në dy veprat e tyre: "Parashtesat e gjuhës shqipe" (1956) dhe "Prapashtesat e gjuhës shqipe" (1962), përmendin se janë mbështetur gjerësisht në renditjen e pasqyrëzave gramatikore të këtij Fjalori. Po ashtu hartuesit e Fjalorit të Gjuhes Shqipe1954; Cipo, Çabej, Domi, Krajni dhe Myderrizi deklarojnë se, pos tjerash, janë mbështetur edhe në lëndën e Fjalorit të Gazullit.”

Së fundi, duke parë këto skeda të fjalorëve të Gazullit në Arkivin Qendror të Shtetit, vihet re saktësia shkencore dhe puna kolosale, duke i shërbyer më shumë se çdokush gjuhës shqipe, në ndihmë të gjuhëtarëve të mëdhenj, që punuan për vite me radhë me “brumin” e ardhur e të përgatitur me aq mund nga Dom Nikollë Gazulli, që punoi deri në frymëmarrjen e fundit, prerë nga plumbi i tradhtisë komuniste...!  

 

Ora 07:54
Tri dosje me dorëshkrime të krijimtarisë së Dom Gazullit në Arkivin Qendror të Shtetit
  • B.K./Shqiptarja.com
    Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    • Sondazhi i ditës:
      23 Dhjetor, 23:33

      Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



    ×

    Lajmi i fundit

    Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

    Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër