Krevat, kovë uji dhe enë...zbulohet shpella ku u fsheh për një vit nga komunistët dom Nikollë Gazulli (FOTO)

Krevat, kovë uji dhe enë...zbulohet shpella ku u fsheh për një vit nga komunistët dom Nikollë Gazulli (FOTO)

SHKODËR - Pas shumë vitesh kërkimesh është gjetur shpella ku albanologu i madh dom Nikollë Gazulli ka jetuar rreth një vit, në Vrith të Shkodrës. Lajmi është dhënë nga Artan Shkreli, zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai shkruan se ky zbulim është një tregues se sa e ashpër ka qenë regjimi komunist i asaj kohe.  Aty u gjetën tepricat e kalbura të shtratit të tij të improvizuar, shkalla e shembur dhe mjete elementare për mbijetesë; një kovë uji e ndonjë enë e vogël.

"Martiri i shndritshëm! Dje Artur Jaku dhe Niko Sheldia na bënë me dije se, pas vitesh kërkimi, u zbulua shpella ku jetoi një vit, deri ne ditën e mbrame, albanologu i madh dom Nikolle Gazulli. U pat vrarë aty gjate represionit të marsit të 1946-ës. Mjafton zbulimi i kësaj shpelle, a vrime në shkëmbin gëlqeror, për të kuptuar se si dhuna dhe egërsia komuniste, të barazueshme vetëm me anti-njerëzinë naziste, goditi Malësine e Madhe, klerin e angazhuar (për shpëtimin e gjindjes së vet) dhe mendimin më të lartë humanist të kohës. Në këtë çarje të thellë të tokës në Vrith (tregoheshin shumë legjenda, e askush nuk e dinte më ku ndodhej) u gjetën tepricat e kalbura të shtratit të tij të improvizuar, shkalla e shembur dhe mjete elementare për mbijetesë; një kovë uji e ndonjë enë e vogël. Historia e dom Nikollë Gazullit është vetë golgota disa shekullore e Shqipërisë, që kulmoi me cka do ndodhte pas përfundimit të LIIB. Varri i tij nuk dihet…", shkruan Shkreli.

Për Dom Artur Jakun, kjo gjetje e gjurmëve të një prej meshtarëve më të ditur, është gati-gati e pabesueshme, por edhe një shenjë e fortë se një njeri që është i dashuruar prej së vërteti me Zotin mund të kalojë në kufijtë e të pabesueshmes.

"Në ato anë që veç rrezja e diellit i përshkon, historia mban e ruan shenjtëri të pazëshme, histori që edhe atehere kur i takon, të ngjajnë në kufijtë e të pabesueshmes! Cfare mund të bëjë një njeri i dashuruar prej së vërteti në Zotin?! Kisha lexuar e dëgjuar për historine e vrasjes së Dom Nikollë Gazullit, por krejt në limitet e të pa imagjinueshmes, do të gjeja në atë shpelle ende gjurmet e jetës së atij që at Zef Pllumi e quante “ ndër meshtarët me të ditun”. Rrnoje në këtë shpellë, ky Hyll i paanësisë së sakrificës, martir i vërtetë i kishës. Zoti na mëshiroftë secilin që edhe pse vitet me liri, po i persekutojmë me injorancën tonë, po i vrasim me indiferencën tonë, e po i largojmë me vakësine tonë.

Prelat i gjuhës,kishës e kulturës, rrnoje 1 vit i fshehur në këtë shpellë, derisa një natë si dikur ndodhi me Jezusin në malin e udhinjve “një Judë nuk mungon kurrë”, dhe më pas u vra nga regjimi. Më ngjante kjo vizitë sikur po takoja shenjtorët e mëdhenj, kohë katakombesh, e në këto emocione, kur takon një shenjt, asgjë më shumë se ngazëllim e lutje: Bëje që zemra jeme ti përngjajë zemrës sate", shkruan Dom Artur Jaku. 

Kush është Nikollë Gazulli, një prej meshtarëve më të ditur të Shqipërisë?
Nikollë Gàzulli lindi në Dajç të Zadrimës, më 15 qershor 1895, u vra nga forcat ndjekëse të regjimit komunist (ose nga strehuesi i tij, Nikollë Prekushi) në Vrith të Malcís së Madhe. Intelektual, studiues e specialist në albanologji, si etnograf, historian, leksikograf e gjuhëtar. Zotëronte gjermanishten, italishten, latinishten dhe sllavishten; kishte njohurí dhe në frëngjisht e turqisht.

Biblioteka françeskane ishte ndalesa kryesore e Gazullit në Shkodër, si kur shërbente në famullinë e Rrjollit, ashtu edhe kur mbulonte famullinë e Shkrelit (pas 1940-ës). Ndonëse bashkëpunonte me Mjedjen e Fishtën, në atë bibliotekë gjendej kryesisht në shoqërinë e Atë Benedikt Demës. Punimet e tij të vlerësuara maksimalisht nga Norbert Jokli (të cilit mbledhjet që i dërgonte me postë Gazulli i shërbenin për të hartuar Fjalorin Etimologjik të shqipes), u kërkuan edhe nga drejtuesit e gjerdanit "Visarët e Kombit".

Për shumë vite, punoi në zonën e Malësisë së Madhe (në famullinë e Shkrelit). Duke gjurmuar në fshatrat e kësaj famullie e gjetkë, si: Kelmend, Hot, Pukë, Dajç i Bregut të Bunës, Ulqin etj., mblodhi dhe analizoi me seriozitet shkencor për vite me radhë me mijëra fjalë të rralla, shprehje frazeologjike, materiale onomastike (si: emra vendesh, lumenjsh, fisesh etj.), gojëdhëna, fakte historike, mitologjike etj., të cilat i përmblodhi në dy veprat e tij madhore "Fjalorth i ri" (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941, përfshirë në vargun "Visaret e kombit", XI, (524 faqe me 4819 fjalë), dhe "Fjalori Onomastik", botuar pjesë-pjesë në revistën "Hylli i Dritës" nga nr. 2, fruer 1939, vjeti XV, f. 120-129 e gjer në nr. 9-12, 1943, f. 391-406 (shkronjat A-K), gjithsej 21 numra të revistës, në 173 faqe, (i papërfunduar).

"Fjalorthi i ri" i Gazullit, së bashku me "Fjalorthin e ri, fjalë të rralla të përdoruna në Jug të Shqipnís", Tiranë, 1941, ("Visaret e Kombit", vëllim XII) të Pano Tases, janë të parët fjalorë krahinorë tek ne, ndërsa "Fjalori onomastik" i D. Nikollit, si i pari i kësaj natyre në shqipen, tregon se ai është themeluesi edhe i kësaj dege leksikografike. Konsiderohej një fenomen nga e gjithë elita kulturore shqiptare aq sa punimet e tij priteshin me padurim nga organet më në zë të kohës, qoftë në Republikën e re shqiptare, qoftë dhe në periodiket e monarkisë. Pas dështimit të Revoltës së Dukagjinit më 1926 vëllai i tij u dënua me vdekje, ndërsa Nikolla u burgos në vitet 1924-1930 në burgun e Gjirokastrës.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja