Tri histori për Guri Madhin dhe tablotë e bukura të tij

Tri histori për Guri Madhin dhe tablotë e bukura të tij

Nga Agim Janina

Guri Madhi "Dorëzimi i armëve"

Mjeshtri

Një gazetë i kishte kërkuar të bënte një intervistë me Piktorin e Popullit Guri Madhi (1921 - 1988). Ky i fundit sapo ishte kthyer nga Kosova, ku kishte hapur një ekspozitë. Ishte gjithë frymëzim.
Trokiti në portën e apartamentit. U dëgjua një zhurmë e lehtë dhe në derë u dha piktori. 
- Oh... urdhëro... urdhëro. Mirë se erdhe ! - i dha dorën dhe e takoi me dashuri, duke picëruar sytë e vegjël. E shoqëroi në studion e madhe, ngjitur me hyrjen e shtëpisë.
- Kam një kompozim në zhvillim e sipër, foli. - Dua të ta tregoj.
Studio ish e mbushur anekënd me kompozime, portrete, ndonjë peizazh. Në krah një qoshk i vogël, rregulluar bukur, disa kolltukë dhe pranë një bibliotekë me libra dhe katalogë arti. 
Në qendër të studios ishte një telajo e madhe, ku ishin skicuar, një grup partizanësh. Kompozimi vinte në formë rrethore, në një ngritje - ulje të lehtë të figurave, ç'ka krijonte një valëzim të bukur.
- Si të duket ? - pyeti piktori.
- Nuk iu ndave temave të luftës, qeshi tjetri dhe shtoi, forma rrethore vjen bukur, veç...
- Po ? - e nxiti piktori.
- Figurat lidhen me njera - tjetrën... por ky partizani i kthyer në kurriz, në plan të parë, sikur i zë frymën kompozimit dhe e mbyll hapësirën...
Piktori qëndroi disa çaste i menduar, duke vëzhguar telajon, me duart e kryqëzuara mbi kraharor, pastaj ia bëri:
- Keni të drejtë !
Pa i lënë tjetrit rradhë për të shtuar ndonjë fjalë, iu afrua kompozimit dhe e fshiu figurën e partizanit.
" Bobo ç'bëra ! Ç'mu desh që fola" ! - ia bëri ai me vete.
Piktori si e fshiu, mori karbonin dhe me shpejtësi e shkathtësi e ringriti edhe një herë figurën e partizanit, por këtë radhë më larg të parës. Kompozimi mori më frymëmarrje.
"Mjeshtër" ! - foli përsëri me vete. Iu kujtuan fjalët e një piktori, ish nxënës i Guri Madhit, kur i kishte thënë, se kur erdhi ai në Lice Artistik, futi konceptin e vizatimit, duke filluar nga e përgjithshmja e pastaj të kalimit në imtësi.
"Ja bre, fillonte me të folurën korçare, bëjeni kokën si vezë, trupit jepini formë gjeometrike si trekëndësh..." etj., etj.
Tashmë, pa se si mjeshtërisht ai e kreu këtë gjë.
U ulën në kulltukë. Piktori mbushi dy gota me raki dhe si uroi filluan intervistën. Kujtoi Korçën e fëmijërisë, studimet në Rusi, kompozimet e ndryshme, dënimin dhe më pas largimtin nga Tirana...
Në fund mori nga muri kitaren e varur mbi një gozhdë dhe si uli sytë mbi tela, ia mori një kënge korçare...
Në shtrëngimin e telave nën gishtrinj dhe në zërin e ngrohtë ndihej një jetë e gjatë plot me kujime, mall dhe dashuri...
Guri Madhi mbeti një Mjeshtër i Madh i Pikturës Shqiptare !

Guri Madhi "Bajram Curri në Shpellën e Dragobisë" 1956

Kur të humbet drita...

Ishte larg, shumë larg vendlindjes, mallēmadh, në Leningrad (Shën Petësburg) të Bashkimit Sovjetik. Ka vite që studion pikturë.
Letrat vinin rrallë. Sa më shumë vonoheshin, aq më shumë shtohej shqetësimi, malli për njerëzit e shtëpisë.
Guri Madhi ishte në vitin e fundit të pikturës. Kishte kohë, që kishte nisur punën e diplomës. Pasi ishte menduar dhe si kishte bërë disa skica, filloi nga kompozimi. Do bënte një tablo kompozicionale mbi Bajram Currin, duke luftuar në shpellën e Dragobisë. 
Idenë ia paraqiti drejtuesit të diplomës dhe ai u tregua entuziast. Kishte qenë studenti më i mirë.
Ngriti kavaletin, vuri telajon e madhe dhe filloi nga puna. Kërkonte diçka larg pathosit dhe heroikes. Bajram Curri ishte rrethuar e vrarë, duke luftuar. Por ai kërkonte t'i jepte një përmasë tjetër, larg thjesht të luftëtarit edhe pse do të ishte i rrethuar nga luftëtarët. Në mendje i vinin vargjet e Nolit "Trim tribun i vegjëlisë..."!
Të tillë tribun do ta bënte. Ishte gjithë emocion dhe kompozimi po mbushej dhe po ecte mbarë...
.... një pasdite e kërkuan në Dekanat. Shkoi jo pa shqetësim, duke menduar, se do t'i kërkonin të ishte më i rregullt, në disa veprimtari të zhvilluara kohët e fundit në Akademi dhe ku ai nuk kishte qenë i pranishëm. Kompozimi e kishte thithur dhe e kishte bërë të harronte gjithçka.
Sekretari i Dekanatit, një burrë i thinjur, pak i shogët, e priti në këmbë, i ngrysur në fytyrë. Një rrudhë e thellë, sikur i çante ballin e zbuluar nga flokët.
- Eja djalë, - i foli, kur Guri u dha në derë. Toni ishte i butë, gati i dhembshur, në dallim nga fytyra.
Kur i erdhi pranë, Sekretari i zgjati një letër. Ishte telegram. Vinte nga Shqipëria. Lexoi. Nuk arrinte të kuptonte. Nuk ishte e mundur. Shkurt, shumë shkurt. Pak fjalë. Mynxyrë e madhe. U trondit dhe iu shkund trupi. Kobi sillej rrotull...
"Babai vdiq..."
Pastaj vinin edhe disa fjalë të tjera. Të parat ishin si korba të zinj. Iu dhemb shpirti. Dekani e ngushëlloi dhe ai pa thënë një fjalë apo tha, u largua.
Ecte dhe nuk dinte ku shkonte. Ishte shembur jeta. Kishte vdekur babai. Ecte dhe ecte... nuk i dilnin lotët... vrapoi e vrapoi në errësirë... 
Vonë, shumë vonë u kthye në konvikt. U shemb mbi krevat dhe dënesi me dhimbje...
Ditët kalonin. Zia i ishte kallur në shpirt. Nuk mund të shkonte në varrim. Babai ishte futur në dhé. Ai nuk ishte aty t'i hidhte një dorë dhé...
Kompozimi u mbyll. Koloret u nxinë. Dhimbja e shpirtit udhëhiqte punën. Dhe shpirti ishte në zi...
Pas disa ditësh në studion e madhe, studentët do psraqisnin punët deri ku kishin shkuar. Do vinte vetë Dekani i Akademisë për t'i parë dhe dhënë mendime mbi ecurinë.
Në orën e caktuar u hap dera e studios dhe brenda hyri Dekani, shoqëruar nga profesori i Pikturës dhe Drejtuesi i diplomës. Të tre u drejtuan tek tabloja e madhe e Gurit.
Dekani u ngrys dhe mblodhi buzët. Dukej që kompozimi nuk i pëlqeu. U kthye nga Guri dhe foli:
- Prisnim shumë nga ty. Ke qenë student i shkëlqyer, me të ardhme, por me çfarë po shohim...
Drejtuesi i diplomës iu afrua pranë dhe i foli me zë të ulët:
- Sapo i ka vdekur babai...
- Ashtu ?! -ia bëri dekani.
Guri uli kokën si i zenë në faj. Fjalët ishin të rënda, shumë të rënda. Kishte studiuar e punuar me përkushtim të madh dhe...
- Kuptova... - dëgjoi Dekanin, që si i hodhi dorën në shpatulla vijoi, - Tani... më dëgjo. Lere punën. Nuk do merresh më me të. Do të shkosh në Muzeun e Hermitazhit dhe do të riprodhosh tablonë e Tiepolos...
- Por unë... nuk kam kohë. Duhet të dorëzoj detyrën... - nxitoi të fliste Guri.
- Ke kohë për ta mbaruar detyrën. Unë nuk kam qenë në Shqipëri dhe nuk e di se si është vendi juaj. Por di që jeni ballëpërballë me Italinë. Ty të ka humbur drita në pikturë. Do riprodhosh Tiepolon për të kapur dritën e vendit tënd dhe atë dritë ta futësh në kompozimin, që po krijon.
Si tha këto fjalë u largua.
Të nesërmen me lejen e marrë nga Akademia, Guri hyri në Hermitazh dhe si gjeti tablonë e Tiepolos, ngriti kavaletin dhe zuri ta riprodhojë...
Koha kaloi shpejt. Tiepolo u riprodhua. Guri iu kthye kompozimit. Drita në shpirt ishte kthyer dhe me të gjithë forcën e talentin e derdhi në kompozim, duke dhuruar një kryevepër të Pikturës Shqiptare.

 

Guri Madhi "Lufta e Idriz Seferit" 1981

Gur bjeshke

Sillte nëpër duar një fotografi të vjetër, ku ishte paraqitur luftëtari Idriz Seferi. Ishte e vetmja foto e tij dhe ajo ishte shumë e vogël. Tiparet nuk shquheshin qartë dhe piktori Guri Madhi mendohej e mendohej...
Kishte lexuar dhe ishte njohur me figurën e heroit. E kishte tërhequr e joshur për të ndërtuar një kompozim. Ishte brenda temave historike, që i kishte për zemër.
Arti edhe pse është abstragim, nuk është një kuturisje, jashtë kohës dhe domethënies, kur bëhet fjalë për figura historike.
Nuk u mëdysh më. Ngriti kavaletin, vuri telajon e madhe dhe hodhi vizatimin... 
Tabloja përfundoi, e paraqiti në ekspozitë, mori vlerësime dhe si kishte kaluar ca kohë e njoftojnë që bashkë me piktorin Kujtim Buza, ishin ftuar e caktuar të hapnin një ekspozitë në Prishtinë me peizazhe dhe kompozime me temë nga shqiptarët e Kosovës. 
Midis punëve të tjera Guri Madhi ekspozoi edhe "Idriz Seferin".
Një pasdite, ndërsa shikuesit e shumtë vinin rrotull, duke parë tablotë e ekspozuara dhe piktori ishte pranë me drejtuesit e Kulturës së Kosovës, dikush njofton se po vinin djemtë e Idiz Seferit.
Piktori shtangu dhe emocionet e mbuluan. Zemra filloi t'i rrahë me shpejtësi. Ankth se nuk dinte në se e kishte kapur në ngjashmëri heroin. Tashmë do të ballafaqohej me djemtë e tij.
Në derën e galerisë u dhanë tre djemtë. Veshur me kostume kombëtare, tirqe e shajak, qeleshe të bardha në kokë. Më i vogli mbi shtatëdhjetë vjeç. Me bastunë në duar dhe duke u mbështetur tek njeri tjetri hynë brenda në sallën e madhe.
Dikush nxitoi t'i takonte dhe i shoqëroi. Piktori i ndoqi me sy. Ata erdhën rrotull tablove dhe kur u ndodhën para kompozimit u ndalën. I ngulën sytë tablosë pa folur. Pastaj më i moshuari pyeti:
- Kush e ka bërë ?
I bënë shenjë piktorit të afrohej.
- Ky është piktori !
Ata i zgjatën duart dhe u përshëndoshën.
- Si e ke emrin ? - pyeti më i moshuari.
- Guri Madhi.
Tjetri ia nguli sytë sikur të donte ta peshonte dhe foli:
- Ti nuk je Guri Madhi, por je Gur Bjeshke. Qe besa kështu ka qenë baba jonë dhe kështu në këmbë luftonte !
Plaku i hodhi duart në qafë dhe e përqafoi me dashuri. Piktori ndjeu goditjet e zemrës t'i shprehnin më shumë se fjalët mirënjohjen për atë çfarë kishte krijuar...

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Ish kreu i ARRSH-së dhe dy ortakët do hetohen në 'arrest me burg'! Apeli i GJKKO rrëzon ankimimet

Ish kreu i ARRSH-së dhe dy ortakët do hetohen në 'arrest me burg'! Apeli i GJKKO rrëzon ankimimet