Në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të Rinj dhe U23, që po zhvillohet në Durrës, sportistja shqiptare Enkileda Çarja dhuroi një paraqitje të shkëlqyer, duke fituar tri medalje dhe duke ngritur lart flamurin kuqezi në një prej kompeticioneve më të rëndësishme të peshëngritjes europiane.

Në disiplinën e shkëputjes, Çarja e nisi garën me sukses, duke realizuar provën e parë me 98 kilogramë. Pas një tentative të pasuksesshme në 100 kilogramë, ajo u rikthye fuqishëm në provën e tretë, duke ngritur me sukses 101 kilogramë dhe duke siguruar medaljen e bronztë.

Spektakli i saj vijoi në disiplinën e shtytjes, ku sportistja shqiptare tregoi forcë, vendosmëri dhe një formë të shkëlqyer sportive. Pas provës së suksesshme me 118 kilogramë, ajo realizoi edhe 120 kilogramë, përpara se të arrinte kulmin me ngritjen e 123 kilogramëve në provën finale.

Kjo paraqitje e jashtëzakonshme i siguroi Enkileda Çarjës dy medalje argjendi në shtytje dhe dygarësh, si dhe medaljen e bronztë në shkëputje, duke e kthyer paraqitjen e saj në një tjetër sukses të rëndësishëm për sportin shqiptar.

“Jam shumë e lumtur për rezultatin se është bërë një punë shumë e madhe. Kam sakrifikuar jashtëzakonisht shumë sepse s’ka patur ditë që s’kam ndjerë dhimbje gjatë përgatitjeve. Megjithatë dhash maksimumin dhe arrita ta bëja krenare Shqipërinë. I falenderoj shumë të gjithë ata që më mbështeten dhe them se me besim arrihet çdo gjë,”-u shpreh peshëngritësja Enkileda Carja.

“3 medalje sot për Shqipërinë janë gjë shumë e madhe për Shqipërinë. Enkileda vjen pas një dëmtimi shumë serioz, por si një sportiste e talentuar, ndër më të mirat në të gjithë evropën, tregoi se ka një shpirt të jashtëzakonshëm gare. Kjo falë një pune serioze,”-u shpreh presidenti i Federatës Shqiptaret ë Peshëngritjes Elez Gjoza.

Europiani i Peshëngritjes në Durrës po sjell emocione, rivalitet dhe rezultate të nivelit të lartë, duke e kthyer Shqipërinë në qendër të vëmendjes së komunitetit europian të këtij sporti.