Gazetari italian Stefano Marcelli, i cili përmes shkrimeve të tij ka kontribuar edhe në median shqiptare, është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e gazetarit ish-korrespondentit special dhe ish-kryeredaktorit të selisë së Rai-t në Toskanë e bëri të ditur Sandro Bennucci, president i Shoqatës së Shtypit të Toskanës, raporton Corriere della Sera.

Stefano Marcelli ishte një figurë e rëndësishme e kronikës dhe politikës së Firences dhe Toskanës që nga maji i vitit 1975, kur, vetëm njëzet vjeç, iu bashkua redaksisë së Paese Sera në Firence. Ai themeloi dhe drejtoi gjithashtu revistën kulturore Reeds dhe edicionin informativ të Teleregione.

Të shumta ishin reportazhet dhe hetimet kushtuar politikës dhe administrimit të Palazzo Veçhio gjatë viteve kur kryetar bashkie ishte Elio Gabbuggiani. Më pas iu bashkua Rai-t, ku u bë kryeredaktor i selisë së Firences dhe më vonë korrespondent special. Gjatë karrierës së tij u mor me çështjet e mafies dhe terrorizmit. Ai ndoqi tragjedinë e Moby Prince, luftën në ish-Jugosllavi dhe lindjen e integralizmit në Algjeri. Gjithashtu hetoi trafikun e mbetjeve toksike në Afrikë, një hetim gjatë të cilit u rrëmbye në Nigeri. Raportoi për rënien e Murit të Berlinit, u infiltrua mes naziskinëve gjermanë dhe ustashëve kroatë dhe arriti të ndiqte gjurmët e Al Kaedës.

Përveç rrugëtimit të tij të rëndësishëm profesional, Stefano Marcelli do të kujtohet nga kolegët për karakterin e tij të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë, një cilësi që karakterizonte shumë redaksi në vitet ’80-90. Assostampa Toscana, Urdhri i Gazetarëve të Toskanës dhe Rai Toscana i shprehin ngushëllimet familjes, duke e kujtuar me një fjalë që ai e donte thellësisht, edhe jashtë profesionit: solidariteti.

Edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka ndarë një postim për të duke vlerësuar kontributin e tij në redaksitë shqiptare, teksa shpreh edhe ngushëllime për bashkëshorten e tij, gjithashtu gazetare e njohur shqiptare, Gerta Zaimi.

“Ndahet nga jeta gazetari italian që e mbylli kohën e shkrimeve në median shqiptare.

Lamtumirë kolegu dhe miku ynë Stefano Marcelli!

Një koleg dhe mik me shumë gazetarë shqiptarë, një profesionist që ndau përvojë me redaksitë më të shquara italiane dhe që spikati edhe për shkrimet e publikuara ekskluzivisht për media shqiptare dhe për realitetin politik dhe jo vetëm, në Shqipëri.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan dhimbjen për këtë humbje dhe u përcjell ngushëllime familjarëve të tij, veçanërisht zonjës së tij, koleges sonë Gerta Zaimi!”, thuhet në postim.