Ish-zv.kryeministri dhe Ministër i Jashtëm shqiptar në kohën e qeverisjes së parë të PD, deputeti demokrat Tritan Shehu në
një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se në Kuvendin prej 140 deputetësh ka ishbashkëpuntorë të Sigurimit të Shtetit. Por nga ana tjetër ka mohuar të ketë të tillë në qeveri. Për më tepër ai ka nënvizuar faktin se PD e ka
bërë një ligj Lustracioni në fundin e vitit 1995, të cilin PS në pushtet pas vitit 1997 e abrogoi, ndërkohë që për të e majta ka shërbyer gjithnjë si penguese për miratimin e një ligji të tillë. Teksa ka deklaruar qëndrimin e PD për hapjen e dosjeve, Shehu akuzon Topin për moshedhjen e firmës për ligjin e miratuar të Lustracionit. Ndërsa në lidhje me fotot e Berishës me ish-udhëheqësit dhe familjen e Enver Hoxhës, Shehu thotë se si mjek i shkëlqyer Berishës ia kishin nevojën të gjithë dhe kudo.

Si e konsideroni debatin që ka shpërthyer mes Topit, Biberajt nga njëra anë dhe mazhorancës nga ana tjetër në lidhje me ish-spiunët, ligjin e Lustracionit dhe lidhjen me nomenklaturën komuniste?
Partia Demokratike gjithonë ka qënë për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit dhe për një politikë lustracioni ndaj të kaluarës, për të krijuar premisa më të mira në zhvillimin shoqëror të Shqipërisë, ecjen para të saj në rrugën e integrimit të vendit. Ne miratuam një një ligj të tillë në fund të vitit 1995, të cilin dhe e aplikuam. Por pas vitit 1997 dhe pas fitores së Partisë Socialiste, ky ligj u nxor jashtë funksionit nga mazhoranca e majtë e atëhershme.

Por ju pas tetë viteve në opozitë erdhët në pushtet, ku keni shtatë vite në qeverisje, ndërsa ligji për Lustracionin ende nuk është miratuar. Si e komentoni një zvarritje të tillë?
Partia Demokratike ka theksuar gjithnjë se hapja e dosjeve është një detyrë qytetare për të sqaruar të kaluarën dhe për të bërë purifikimin e shoqërisë shqiptare në konceptin e vlerave. Madje ne kemi insistuar gjithnjë për të pastruar politikën shqiptare nga njollat e së kaluarës, pasi ka qënë një nga angazhimet tona si forca e parë opozitare që rrëzoi komunizmin. Shqipëria ka qënë vendi ku janë kryer krimet më të egra në kohën e diktaturës, krahasuar me të gjitha vendet e tjera të lindjes. Megjithatë ne jemi i vetmi vend në tërë evropën ish-komuniste që nuk ka një ligj të tillë, kjo për pasojë e mosdashjes së të majtës politike, e cila e ka penguar intensivisht miratimin e këtij ligji. Madje dhe një ligj i cili siç e theksova ishte miratuar dhe kishte nisur aplikimin në fund të vitit 1995 u abrogua nga e majta.

Po ka pasur një draft në vitin 2008 nga Biberaj, i cili u rrëzua, ndërkohë që ligji tjetër për Lustracionin u nuk u firmos nga Presidenti, u quajt i pavlefshëm nga Komisioni i Venecias dhe u hodh poshtë më pas nga Kushtetuesja...?
Unë di që mazhoranca ka miratuar një ligj shumë të mirë Lustracioni dhe me konsulencë ndërkombëtare. Unë mendoj se një përgjegjësi ka dhe Presidenti Topi që nuk e firmosi atë ligj që PD e miratoi, për zbardhjen e dosjeve të komunizmit.

Ka akuza nga ana e të majtëve, por dhe përfaqësuesve të djathtë se në qeveri dhe në grupin parlamentar të PD ka ish-bashkëpuntorë të Sigurimit të Shtetit apo të lidhur me nomenklaturën komuniste. Vlerësimi juaj?
Nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë që në radhët e mazhorancës ka ish-bashkëpuntorë të Sigurimit të Shtetit. Në qeveri s'ka asnjë bashkëpuntor, por ka një vullnet të palëkundur për të hapur dosjet dhe për të vënë në jetë një ligj të tillë. Por mund të them që në Kuvend, në hapësirën prej 140 deputetësh ka ish-bashkëpuntorë të Sigurimit të Shtetit. Janë 140 deputetë. Nga ana tjetër sot ka një shtim të prezencës së njerëzve të lidhur me nomenklaturën, ka një shtim fatkeqësisht kohët e fundit në PS, e cila është kthyer në ato praktika që janë dhe si pasojë e remineshencave të vjetra, që lidhen me ide dhe individë prezentë të asaj pjesë të shoqërisë së kaluar.

Por ama foto me eksponentë të rëndësishëm të diktaturës komuniste dhe familjen e diktatorit ka kryetari aktual i mazhorancës...?
Sali Berisha ishte një mjek i shkëlqyer, një kardiolog i shkëlqyer, një nga mjekët më të mirë që ka pasur Shqipëria, dhe e vetmja gjë që ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe ka qënë shpëtimi i jetës së njerëzve dhe zhvillimi i shkencës mjekësore shqiptare. Berisha është themeluesi dhe promotori i kardiologjisë invazive shqiptare dhe një nga figurat më të shquara të shkencës së kadiologjisë shqiptare. Ky ka qënë realieti, askush s'mund ta mohojë. Si mjek i shkëlqyer dhe në kohën e diktaturës ia kishin nevojën dhe kudo kryente detyrën e tij, duke shëruar që nga njerëzit më të thjeshtë e deri tek njerëzit më të rëndësishëm. Dhe asnjëherë nuk ka munguar të japë ndihmën e tij për shpëtimin e njerëzve, pavarësisht se kujt pjesë të shoqërisë i takonin ata. Ashtu siç dhe ka qënë promotori dhe udhëheqësi i Lëvizjes demokratike shqiptare, njeriu më i rëndësishëm për rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe demokratizimin e vendit.
(sg/shqiptarja.com)