TIRANE- Në një kohë kur në Shqipëri vihet re një intensifikim i veprave kriminale, ku është përdorur ekzekutimi i personave nëpërmjet vendosjes së eksplozivit në makina, ambasada amerikane shpërndan një mesazh sigurie për qytetarët e saj ku i kërkon të bëjnë kujdes.

Ambasada i këshillon amerikanët të jenë vigjilentë kur parkojnë makinat e tyre në vende pa roje,  të shmangin parkimin gjatë natës në zona jo të sigurta si dhe të kontrollojnë mjetin për çdo send të dyshimtë.

“Raportimet e fundit në media kanë nënvizuar rritjen e përdorimit të eksplozivëve që kanë në shënjestër individë të përfshirë në konflikte biznesi apo personale. Tritoli është përdorur për të goditur makinat e individëve dhe ka lënë të vdekur e të plagosur në shumë raste. Ambasada nuk ka informacione specifike për kërcënime ndaj qytetarëve amerikanë megjithatë i kujtojmë shtetasve tanë të jenë vigjilentë kur parkojnë makinat e tyre në vende pa roje,  të shmangin parkimin gjatë natës në zonë jo të sigurta si dhe të kontrollojnë mjetin për çdo send të dyshimtë. Nëse shohin ndonjë gjë të dyshimtë të njoftojnë menjëherë policinë.”- thuhet në mesazhin që ambasada ka publikuar dje në gjuhën angleze në seksionin “Security messages for US Cityzen”, të faqes së saj online. Recent Car Explosions

Gjithashtu mesazhi i bën thirrje amerikanëve të rishikojnë planet personale të sigurisë dhe të monitorojnë mediat lokale për t’u përditësuar në lidhje me ngjarjet e fundit.

U këshillohet “të  qëndrojnë në një nivel të lartë të vigjilencës dhe të marrin hapat e duhur për të rritur sigurinë personale dhe në çdo rast të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.”- vazhdon  mesazhi. Gjithashtu ku mesazh përmban dhe numrat dhe adresat  e nevojshme ku çdo qytetar amerikan mund të kontaktojë në rast nevoje.

Vetëm dje, ditën kur është publikuar ky mesazh kanë ndodhur dy shpërthime. Në Tiranë një sasi eksplozivi u vendos në derën e apartamentit të një biznesmeni në Tiranë duke shkaktuar dëme materiale. Ndërsa në Fushë Krujë pasditen e djeshme një granatë është hedhur në pjesën e brendshme të murit rrethues.  Javën e kaluar tre persona u plagosën ndërsa një mbeti i vrarë nga shpërthimet me eksploziv.


(Foto LSA: Alarmi fals për bombë pranë ambasadës së SHBA në 17 Shkurt 2014) 

Redaksia online 
(sg/shqiptarja.com)