Rigles Rajku, i njohur me emrin e artit Noizy është thirrur nga GJKKO për t’u bërë pjesë procesit ndaj Laert Haxhiut, si viktimë e veprës penale.

Përveç Noizyt, pjesë e procesit mund të bëhet edhe babai i tij Bashkimi dhe e motra.

Sipas procedurës, në kushtet kur dosja ndaj Laert Haxhiut ka kaluar për gjykim, pjesë e këtij procesi mund të bëhen edhe viktimat e vepres penale të cilët mund të përfaqësohen me avokat ose zgjedhin të mos marrin pjesë asnjë herë.

Gjykata është e detyruar të lajmerojë viktimat e veprës penale me qëllim njohjen me procesin, por edhe mundësine për të folur në gjyq.

Rreth 100 gr tritol shpërtheu në biznesin e Noizy në qershor të vitit 2022. Dëmet materiale në dyqanin e veshjeve dhe lokalin që ndodhen në katin e parë e të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit ishin të mëdha. Lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të biznesit dhe ishte ndezur me fitil përcjellës.

SPAK dhe i penduari i drejtësisë, Artan Tafani zbuluan së tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut si për përgjigje për dhunimin e shokut të tij, Kleviol Ahemeti nga shokët e Noizyt.