Seanca e radhës për ish-kreun e bandës së Lushnjës, Laert Haxhiu, është shtyrë për në datën 3 qershor për shkak të mungesës së 2 avokatëve. Clevio ka kërkuar që të paraqitet në GJKKO për të dëshmuar në datën 10 qershor për shkak të angazhimeve të tij personale.  

Kësaj radhe, në seancë do të dëshmonte personazhi i Tik-Tok Kleviol Ahmeti dhe reperi Rigels Rajku, i njohur ndryshe si Noizy për episodin e tritolit të vendosur në biznesin e këtij të fundit.

“Nuk di gjë për këtë ngjarje, po përgatitem për një koncert këtu në Tiranë. Po. Kam patur konflikte me Noizyn. Jo, skam kërkuar ndihmën e Laert Haxhiut. Unë jam palë dëmtuese, siç është ai me tritol unë jam me grushte. Babai i tij vjen dhe thotë që nuk e njoh. Më njeh shumë mirë. Duhet të mbajnë përgjegjësi. Më ka gjuajtur, më çuan të burgu, e kanë gjuajtur me tritol, ku di gjë unë çfarë problemesh ka ky. Unë eci me blind nga frika e Noizyt se jep lekë ai për të më vrarë. Jo, skam bërë kallëzim se nuk mi merr njeri parasysh”, tha ndër të tjera Kleviol Ahmeti.

Noizy dhe Clevio janë në mesin e 60 dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Haxhiut, i cili po gjykohet si kreu i një grupi kriminal për 14 krime të rënda, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë. Laert Haxhiu akuzohet si porositës i tritolit që u vendos në lokalin e Noizyt në Durrës.

Rreth 100 gr tritol shpërtheu në biznesin e Noizy në qershor të vitit 2022. Dëmet materiale në dyqanin e veshjeve dhe lokalin që ndodhen në katin e parë e të dytë të një pallati pranë zonës bregdetare të Durrësit ishin të mëdha. Lënda plasëse ishte vendosur në murin e jashtëm të biznesit dhe ishte ndezur me fitil përcjellës.

SPAK dhe i penduari i drejtësisë, Artan Tafani zbuluan së tritoli ishte vendosur me urdhër të Laert Haxhiut si për përgjigje për dhunimin e shokut të tij, Kleviol Ahmeti nga shokët e Noizyt.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë