Më në fund mund të themi se edhe ne kemi shtet. Ishin parë fillesat e tij më janar 2011, kur Prokuroria nxori mandat-arrestet për gjashtë gardistët që tejkaluan kompetencat dhe vranë e plagosën për arësye shtetërore. Pastaj kaluan tre vite të tjerë të errët, ku forca e shtetit barazohej me inatet personale apo dëshirat e individit. Tani shohim sërisht ngrehinen e Shtetit të dalë në sipërfaqe me kurajo.

Dhe bashi i kësaj anijeje që e pandehnim të mbytur njëherë e përgjithmonë për Shqipërinë tonë, e që quhet shtet ligjor, është pikërisht institucioni i Prokurorisë. Më saktë, Prokurori i Përgjithshëm, pse për fat të keq, për mungesë të kulturës në qeverisjen demokratike, një institucion publik tek ne barazohet gjithnjë me dinjitetin dhe integritetin e njëshit të tij. Kundërveprimi i Prokurorisë ndaj skandalit që ka tronditur paqen dhe qetësinë e çdo vatre shqiptare, njëlloj si gjakderdhja e 21 shtatorit 2011, ishte kurajoz dhe profesional.

Grupi i prokurorëve ndër më të mirët që ne kemi, pasi dëgjoi akuzat dhe kundërakuzat e protagonistëve të denoncimit për vrasjen e mbetur në tentativë të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, vendosi t’i kërkojë Parlamentit të arrestojë denoncuesin-deputet dhe një tjetër deputet të përfshirë nga denoncuesi si kallzuesi i parë i vrasjes. Me akuzën e kallzimit të rremë dhe deklaratave jo të vërteta përpara Prokurorit. Pavarësisht se sa ka të drejtë apo jo Prokuroria e Shtetit Shqiptar, një gjë është e sigurtë. Ky institucion veproi tërësisht i pavarur nga humoret e politikës dhe interesat afatshkurtra të saj.

Veproi i bazuar në ligj dhe në mendimin e tij profesional, e për këtë duhet përshëndetur nga të gjithë ne qytetarët e këtij vendi. Kush shprehej se Prokurori i Përgjithshëm ishte peng i njeriut që e caktoi në atë pozicion (ish-Kryeministri i vendit), tani i duhet të gëlltisë opinionin e tij të pasaktë, pse ky veprim i Prokurorisë shkon ndesh me pretekstin e opozitës kryesore të sotme, për betejën e saj tërësisht të drejtë të dekriminalizimit të politikës.

Me këtë veprim të Prokurorisë vihet disi në vend ai imazh tërësisht i grisur i vendit tonë si një vend normal. Pse, si mund të quhemi normalë dhe me shtet demokratik, nëse Kryetari i Parlamentit porosit eliminimin fizik të një apo dy anëtarëve të Parlamentit?! Kjo damkë, për sa kohë mbante hijen e dyshimit për denoncimin e kryer në Prokurori, ishte një turp i madh për gjithë ne shqiptarët dhe për vendin tonë. Veprimi i Prokurorisë shqiptare, i institucionit që i pari i takon të shprehet nëse një kallzim është profesional, bazohet në të vërteta, apo jo, na largoi nga ky turp i paparë, edhe pse jo tërësisht.

Nëse Kuvendi zbaton apo jo kërkesën e Prokurorisë, kjo ka mirëfilli pak rëndësi. Shteti e dha opinionin e tij dhe ky opinion, në gojën e institucionit të akuzës, ishte, më në fund, tërësisht i zhveshur nga interesat e politikës së ditës. Ja përse na takon që si qytetarë, nëse do të dalim ndonjëherë më nëpër sheshe apo rrugë kryesore të vendit, të mos dalim për interesat dritëshkurtra të partive në garën për pushtet, por krahas kërkesave për më shumë punësim e përgjegjësi publike, të dalim për të mbrojtur institucionet që na përfaqësojnë aq mirë kur sillen demokratike dhe me kurajo.

Të mbrojmë institucione si Prokuroria, Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive(që po bën një punë të lavdërueshme sot me hetimet e tij për pasuritë e nëpunësve të rëndësishëm të Shtetit) apo Kontrolli i Lartë i Shtetit (që ka rritur me herë numrin e kallzimeve penale ndaj abuzuesve publikë në vitet e fundit).

Me këto institucione mbrohen interesat e të gjithë neve, kur ato i dalin ndesh partive apo segmenteve të caktuara qeveritare, të dëshiruara për arësye të ndryshme, që të shkelin ligjin. Këto gardiane dhe garante të shtetit tonë ligjor duhen njohur mirë dhe përkrahur. Këtë nuk do ta bëjë as qeveria, as partitë politike, por duhet ta bëjmë ne qytetarët dhe media e përgjegjshme e vendit.                     


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)