ITALI - Mbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Milanos në kuadër të një hetimi për prostitucion me të mitur, bën me dije 'Gazzetta dello Sport'. Futbollisti 27-vjeçar ka marrë njoftimin zyrtar për nisjen e procedimit penal dhe pritet të merret në pyetje në ditët në vijim.

Emri i Bastonit lidhet me hetimin ndaj një agjencie eskortash në Cinisello Balsamo, e cila, sipas akuzës, organizonte mbrëmje dhe festa luksoze për klientë VIP, mes tyre edhe futbollistë. Ai është futbollisti i parë që hetohet në këtë çështje.

Sipas dokumenteve hetimore, dyshohet se në qershor të vitit 2020 Bastoni ka pasur një takim me një vajzë që në atë kohë nuk kishte mbushur ende 18 vjeç. Hetuesit pretendojnë se kontakti është organizuar përmes një bashkëpunëtori të agjencisë, gjë që mbështetet nga biseda e përgjuar gjatë hetimeve.

Megjithatë, rasti mbetet i paqartë. Vajza, e marrë në pyetje si dëshmitare, ka deklaruar se mes saj dhe Bastonit nuk ka pasur asnjë marrëdhënie, ndonëse në dosjen hetimore ekzistojnë të dhëna që dokumentojnë takimin e tyre.

Përveç Bastonit, autoritetet kanë ftuar të japin deklarime edhe futbollistët Daniel Maldini, Riccardo Calafiori dhe Kevin Bonifazi. Ata nuk janë nën hetim, por do të dëshmojnë vetëm në cilësinë e dëshmitarëve.

Avokati i Bastonit, Salvatore Scuto, ka mohuar çdo përgjegjësi të klientit të tij.

“Klienti im mohon të ketë pasur një marrëdhënie me një vajzë që e dinte se ishte e mitur. Ftesa për t’u paraqitur para prokurorëve është bërë pa na vënë në dijeni të detajeve të hetimit. Do të vlerësojmë nëse do t’u përgjigjemi pyetjeve të prokurorisë”, deklaroi ai.

Hetimi i Prokurorisë së Milanos vijon, ndërsa autoritetet synojnë të zbardhin aktivitetin e agjencisë dhe rolin e personave të përfshirë në këtë çështje.