TROPOJË - Një konflikt i nisur mes tre banorëve të zonës së Zogajve, në rrethin e Tropojës, dhe tre të tjerëve që shfrytëzojnë një minierë në këtë zonë, ka përfunduar me përdorimin e dhunës dhe armëve. 
 
Incidenti është shënuar ditën e djeshme në këtë fshat të komunës Bytyq, ndërkohë që policia ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Isa Vukaj, 52 vjeç,pasi ky person, për motive pronësie ka dhunuar e ka kanosur me armë shtetasin Ilmi Demiraj.
 
Në cilësinë e provës materiale i është gjetur e bllokuar një pistoletë tip Arminius, kalibër 38 m/m me 2 fishekë, të cilën e mbante pa leje. 
 
Po ashtu policia ka prangosur Osman Kokën, 38 vjeç dhe Elton Hajdarmatajn, 28 vjeç. Këta të fundit së bashku me Demirajn akuzohen për veprën penale “Vjedhje e pasurisë kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, pasi këta të fundit e kanë shfrytëzuar minierën pa marrë më parë lejen përkatëse.
 
Ndërkohë, ka filluar procedim penal në gjendje të lirë ndaj 2 shtetasve:  G.Vukaj, 35 vjeç, dhe F.Vukaj, 22 vjeç pasi këta 2 shtetas gjatë konfliktit kanë plagosur me mjete të forta Ilmi Demirajn, Osman Kokën dhe Elton Hajdarmatajn.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)