Agjencia Ndërkombëtare e Integritetit të Tenisit (ITIA) ka pezulluar francezin Quentin Folliot për 20 vjet. Ish-numri 488 i botës u gjobit gjithashtu me 70,000 dollarë dhe u urdhërua të shlyejë mbi 44,000 dollarë në pagesa të paligjshme pasi kreu 27 shkelje të Programit Kundër Korrupsionit në Tenis.
Sipas hetimit të ITIA-s, 26-vjeçari ishte një figurë qendrore në një rrjet lojtarësh që vepronin në emër të një organizate të trukimit të ndeshjeve. Ai është tenisti i gjashtë që sanksionohet si rezultat i hetimit, pas rasteve të Jaimee Floyd-Angele, Paul Valsecchi, Luc Fomba, Lucas Bouquet dhe Enzo Rimoli.
Folliot, i cili u ngrit në vendin e 488-të në botë në gusht 2022, u akuzua për manipulim të rezultateve të ndeshjeve, marrje ryshfeti për të shmangur garwn e plotë për qëllime bastesh, ofrim parash lojtarëve të tjerë për të trukuar ndeshje, dhënie informacioni, komplot për të kryer ryshfet dhe mosbashkëpunim me hetimin e ITIA-s, duke përfshirë shkatërrimin e provave.
Akuzat u mbështetën për 10 nga 11 ndeshjet nën hetim nga ITIA. Ato që lidheshin me një ndeshje dyshe në janar 2024 u rrëzuan. Vendimi e përshkruan Folliot si "një gur shahu të një organizate më të madhe kriminale, e cila rekruton lojtarë të tjerë dhe kërkon të thellojë më tej korrupsionin në qarqet profesionale".
LARG TENISIT - Folliot ishte pezulluar përkohësisht nga 17 maji 2024, ndalimi i tij do të skadojë më 16 maj 2044. Gjatë kësaj periudhe, ai nuk do të jetë në gjendje të luajë, të trajnojë ose të marrë pjesë në asnjë ngjarje tenisi të autorizuar ose të sanksionuar nga anëtarët e ITIA-s (ATP, ITF, WTA, Tennis Australia, Federata Franceze e Tenisit, Wimbledon dhe USTA) ose ndonjë shoqate kombëtare.
Komente




