
Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Store, ku ka shkruar për çështjen e Groenlandës.
Sipas mediave të huaja, në letrën drejtuar Kryeministrit norvegjez, Trump ka shkruar se tani mund të mendojë për atë që është e drejtë dhe e përshtatshme për Shtetet e Bashkuara dhe se "bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total të Groenlandës".
Trump ka shkuar edhe më tej kur ka thënë se përderisa nuk ka marrë çmimin Nobel për paqen, nuk ndihet më i detyruar që të mendojë për paqen.
"Meqenëse vendi juaj ka vendosur të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen, pavarësisht se kam ndihmuar në ndalimin e më shumë se tetë luftërave, nuk ndihem më i detyruar të mendoj ekskluzivisht për paqen, edhe pse ky do të jetë gjithmonë një objektiv mbizotërues", shkruante më tej Trump në letrën e tij.
Letra e siguruar nga Bloomberg, e lidh qartë dështimin e Çmimit Nobel me kërcënimet ndaj Groenlandës. "Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi kontroll të plotë dhe total mbi Groenlandën", përfundon ai në letër.
Kujtojmë se çmimi Nobel për Paqen, në fakt, nuk jepet nga qeveria norvegjeze, por nga një komitet i pavarur, i cili vendosi t'ia japë Çmimin Nobel për vitin 2025 udhëheqëses së opozitës venezueliane, Maria Corina Machado.
“Danimarka nuk mund ta mbrojë Groenlandën nga Rusia apo Kina, dhe pse duhet të ketë të drejta pronësie gjithsesi? Nuk ka të dhëna të shkruara; është thjesht se qindra vjet më parë një anije zbarkoi atje, por edhe ne kishim anije që zbarkuan atje", vijon më tej letra e Trump.
"Unë kam bërë më shumë për NATO-n se kushdo tjetër që nga themelimi i saj dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara", shkroi Trump.
Lajmi kryesor:
Përplasje për Groenlandën/ SHBA-të paralajmërojnë Evropën: Beteja jonë është e vërtetë











