Presidenti amerikan, Donald Trump, ka rikthyer në vëmendje çështjen e Groenlandës, duke e cilësuar ishullin strategjik si “dhuratën më të madhe” që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë ndonjëherë nga Evropa.
Gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan, Trump komentoi marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës, duke bërë një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen për shkak të rëndësisë gjeopolitike të Groenlandës.
“Evropa ishte e mirë. Ata thjesht u dhanë Shteteve të Bashkuara dhuratën më të madhe që kemi marrë ndonjëherë. E dini çfarë ishte? Groenlanda”, deklaroi Trump gjatë intervistës.
Fragmenti përkatës i bisedës u publikua edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit në llogarinë e tij zyrtare në platformën X, duke i dhënë më shumë vëmendje deklaratave të presidentit amerikan.
Groenlanda, e cila është një territor vetëqeverisës në kuadër të Mbretërisë së Danimarkës, ka qenë prej kohësh në qendër të interesit të administratës Trump për shkak të pozicionit të saj strategjik në Arktik, pasurive të konsiderueshme minerale dhe rëndësisë për sigurinë kombëtare amerikane. Interesi i Trump për ishullin është shoqëruar edhe me deklarata të përsëritura për marrjen e kontrollit të tij, duke shkaktuar tensione diplomatike me Danimarkën dhe partnerët evropianë.
Në shtator, Shtetet e Bashkuara, Danimarka dhe Groenlanda nënshkruan një marrëveshje që synon të ulë tensionet dhe të përcaktojë një bashkëpunim më të gjerë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Sipas marrëveshjes, parashikohet zgjerimi i rolit të ushtrisë amerikane në Groenlandë, përfshirë hapjen e rrugës për krijimin e dy bazave të reja ushtarake dhe vendosjen e sistemit të mbrojtjes kundër raketave “Kupola e Artë”, një projekt i promovuar nga presidenti Trump.





Komente
Komento