Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur hapur zhgënjimin e tij ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke njoftuar se do të shkurtojë afatin e vendosur më parë për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Shkoj mirë me të, por kemi diskutuar katër herë dhe më pas Putini lëshon raketa mbi qytete dhe vret njerëz. Kjo nuk është mënyra e duhur”, deklaroi Trump përpara takimit me kryeministrin britanik Keir Starmer në Skoci. Ai theksoi se do të ulë afatin e mëparshëm prej 50 ditësh, duke shtuar: “Do të jap vetëm edhe 10-12 ditë nga sot, sepse mendoj se e di tashmë përgjigjen e tij”.
Trump bëri të ditur se në rast se Rusia nuk arrin një marrëveshje brenda afatit të ri, SHBA do të ndërmarrë masa të reja, duke përfshirë sanksione dhe ndoshta tarifa sekondare.
“Nuk dua ta bëj këtë ndaj Rusisë. E dua popullin rus, është një popull fantastik”, theksoi ai.
Duke e cilësuar konfliktin si “një luftë vërtet të përgjakshme”, presidenti amerikan shtoi se arritja e një marrëveshjeje është “çështje logjike” dhe duhet të ndodhë sa më shpejt.
“Shumë njerëz po vdesin. Duhet të ndodhë diçka shpejt”, u shpreh ai.
Trump gjithashtu njoftoi se nuk ka më interes të bisedojë me Putinin: “Kishim pasur një bisedë shumë të hapur, por bombardimet vazhduan. Nuk më intereson më të flas me të”.
Deklaratat e presidentit amerikan u bënë gjatë qëndrimit të tij në Skoci, pas takimit me kryeministrin britanik, dhe u raportuan nga Sky News.
Komente










