Një fenomen i habitshëm politik është instaluar muajt e fundit në politikën shqiptare. Valës së hetimeve e procedimeve të drejtësisë së re në kurriz të qeverisë, i është mbivendosur një fushatë masive e opozitës për të destabilizuar maxhorancën. Një maxhorancë që ndodhet në ditët e saj të më të errëta qëkurse është në pushtet nga viti 2013.
Asgjë të keqe s’ka në këtë synim të opozitës për të përfituar nga goditjet e Spak mbi ministrat e deputetët socialistë. Çdo opozitë do të kishte vepruar njëlloj në këto rrethana të cilat kanë vënë pikëpyetje serioze mbi vijimësinë e mandatit të katërt të PS.
Ka vetëm një “asteriks” ky konstatim. Një specifikë që e bën paksa të dyshimtë dhe hipokrite këtë sjellje. Sonte në shesh ishin dy nga tre kryetarët e opozitës tradicionale (një tjetër opozitar i ri qëndronte në skaj të protestës me pak dhjetra përkrahës). Sali Berisha dhe Fatmir Mediu ishin aty fizikisht, ndërkohë që mungonte Ilir Meta, i ndodhur në kushte paburgimi. Që të tre, pra edhe Berisha, edhe Mediu, edhe Meta, janë subjekte hetimi e gjykimi të drejtësisë së re. Berisha e Meta me akuza korrupsioni, Mediu në gjykim për ngjarjen e Gërdecit. Edhe ajo një histori korrupsioni të lyer me gjak.
Të tre krerët politikë të këtyre partive, së bashku me nja dy duzina deputetësh e zyrtarësh të lartë të tre forcave politike, prej muajsh merren me akuzat ndaj Veliajt, Ballukut, vetë Ramës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë socialistë, përfshirë figura pranë tyre që aktualisht kanë rënë në rrjetën e hetimit të Spak. Ndërkohë janë edhe vetë subjekt hetimi e gjykimi nga e njëjta drejtesi.
Ndodhemi pra përballë një situate kur të akuzuar nga Spaku në krye të protestës, kërkojnë largimin e kundërshtarëve politikë gjithashtu të akuzuar nga prokuroria dhe gjykata speciale që ndodhen nëpër zyra. Me fjalë të tjera “spakistët” e rrugës po kërkojnë dorëheqjen e “spakistëve” të shtetit.
Është pak të thuash se ky ambiguitet qëndron në themelin e klimës së ftohtë që rrethonte vetë protestën, me pak mijëra militantë të sjellë me makina nga ana e anës. Një qytet me një milion banorë si Tirana nuk “mjafton” të mbushë një shesh, por duhen sjellë njerëzit nga Tropoja e Erseka me furgona të dera e Kryeministrisë!
Besueshmëria e atyre që sfidojnë përcakton masën e njerëzve që ndjek. Ndryshe sfida hollohet me ujë e kthehet në sfilatë. Prej javësh Berisha organizon Foltoren e tij me 200 veta në bulevard. Në mesin e dramës penale socialiste, Doktori shfaq rregullisht pafuqinë e tij në shesh duke konfirmuar se nuk do të jetë në gjendje të përfitojë nga asnjë rrethanë e përshtatshme që i sjell në derë fati.
Kjo që po na shohin sytë po konfirmon katërcipërisht se sot, gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, në Shqipëri është instaluar situata paradoksale ku një parti politike ka si kundërshtar jo një tjetër parti politike, por një institucion drejtësie! Për PD dhe Berishën Edi Rama fiton edhe tre palë zgjedhje të tjera. E thotë sheshi i protestës së sotme. E thotë edhe ngulmimi i demokratëve për të mbajtur një lidership të plakur, të konsumuar dhe nën akuzë. Nga Amerika dhe nga Altin Dumani.
Spakistët e rrugës janë po aq në hall dhe nën trysni sa spakistët e qeverisë. Vetëm se të parët bëjnë sikur s’ka ndodhur gjë dhe kjo përcakton mpakjen dhe defaktorizimin e tyre gradual. Partia që ndjek hallet e shefit, jo partia që ndjek hallet e votuesit. Këtë pamë edhe një herë më tepër sonte në shesh!/Javanews
Komente











