Kryeministri kanadez Mark Carney mbështeti sot në Parlamentin Europian propozimin për një marrëdhënie të re mes Kanadasë dhe Bashkimit Europian, vetëm një ditë pasi Ursula von der Leyen hodhi idenë që Ottaëa të bëhet anëtari i parë i asociuar i BE-së. Carney tha se Kanadaja dhe Europa, edhe pse nuk kanë kufij të përbashkët, lidhen nga vlerat dhe interesat e përbashkëta.

 'Kanadaja dhe Europa nuk janë të lidhura nga kufij gjeografikë. Ne jemi të lidhur nga një afinitet elektiv, nga një zgjedhje e rinovuar dhe, për këtë arsye, edhe më e fortë. Kanadaja dhe Europa së bashku janë më të forta" tha Carney. 

Carney e paraqiti afrimin me BE-në si një mënyrë për të forcuar sovranitetin e Kanadasë, duke theksuar se kjo nuk synon krijimin e një blloku rival ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Nuk po propozoj një bllok të tretë, me qëllim që të bëhemi një fuqi e madhe rivale. Ne nuk kërkojmë pushtet për të sunduar të tjerët. Përkundrazi, synojmë reziliencën, në mënyrë që askush të mos kontrollojë tregjet tona të hapura, sovranitetin tonë apo të kërcënojë demokracitë tona" tha ai. 

Ideja u bë publike të mërkurën nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila propozoi që Kanadaja të bëhet vendi i parë me statusin e “anëtarit të asociuar” të BE-së. Ky status nuk ekziston aktualisht në traktatet europiane dhe do të kërkonte përcaktimin e një kuadri të ri marrëdhëniesh.

Propozimi synon ta çojë bashkëpunimin përtej marrëveshjes tregtare CETA, duke përfshirë mbrojtjen, energjinë, mineralet kritike, inteligjencën artificiale, teknologjinë, sigurinë kibernetike, Arktikun dhe kërkimin shkencor.

Por propozimi ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të presidentit amerikan Donald Trump. Ai tha se afrimi Kanada-BE është për të qeshur dhe paralajmëroi tarifa të reja ndaj Europës nëse e konsideron nismën armiqësore.

"Nëse e konsideroj në çfarëdo mënyre një akt armiqësor, do të vendos tarifa shumë të rënda ose do të ndaloj tregtinë me Europën" tha Trump. 

Pavarësisht reagimit amerikan, KE ka deklaruar se partneriteti me Kanadanë nuk është kundër askujt, por synon forcimin e përbashkët të Europës dhe Kanadasë.

Tashmë pritet që detajet e marrëdhënies së re të diskutohen më tej, me një samit Kanada-BE të parashikuar në Montreal në fund të tetorit.