Në dhjetor të vitit të kaluar Rusia dërgoi dy avionë bombardues në Venezuelë, atyre u janë shtuar së fundmi edhe dy avionë ushtarakë. SHBA e sheh me shqetësim prezencën ruse në këtë vend dhe kërkon tërheqjen e njësive ruse. Pas takimit me Fabiana Rosales, bashkëshorten e presidentit të përkohshëm venezuelan, Juan Guaido, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se "Rusia duhet të dalë jashtë prej aty."
Më parë edhe zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence kishte deklaruar, se vendosja e ushtarëve rusë në Venezuelë është provokim. Rusisë i kërkohet të ndërpresë çdo lloj mbështetjeje për presidentin në post, Nicolas Maduro. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur, se nuk do të bëjmë sehir, kur Rusia shton tensionet në Venezuelë.
Moska nga ana e saj e hodhi poshtë kërkesën e Trump dhe e quajti "përzierje në çështjet e brendshme të dy vendeve". Trump do t'i parashkruajë Rusisë se çfarë duhet të bëjë dhe çfarë të lerë, tha kreu i komisionit parlamentar në Këshillin e Federatës, Konstantin Kosatçov për agjencinë Interfax. Sipas të dhënave të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Sacharova, vendosja e ushtarëve në Venezuelë është pjesë e një marrëveshjeje mes dy vendeve për bashkëpunimin ushtarak. Ajo është "në përputhje të plotë" me kushtetutën venezuelane.
Trump: Të gjitha opcionet në tavolinë
Rusia mbështet Nicolas Maduron. Kundërshtari i tij, Juan Guaido mbështetet nga SHBA dhe afër 50 shtete të tjera edhe shtetet europiane që e njohin Guaido si president të përkohshëm. Lufta për pushtet u ashpërsua, pasi Guaido u vetëshpall president i përkohshëm. SHBA përpiqet prej javësh të detyrojnë Maduron për dorëheqje. I pyetur, nëse SHBA do ta rrisin edhe më tej presionin, Donald Trump u përgjigj se "të gjitha opcionet janë në tavolinë."
Ndërkohë Guaido ka paralajmëruar protesta të reja të mëdha. Ai bëri thirrje për një protestë masive të shtunën kundër ndërprerjes së energjisë elektrike në vend që gati e paralizoi vendin një javë. Maduro ka bërë përgjegjës SHBA për sulme kibernetike, kurse kundërshtarët e tij bëjnë përgjegjëse mungesën e investimeve në infrastrukturë, korrupsionin dhe keqmenaxhimin e burimeve si shkaktare të krizës në vend. Ndërkohë popullsia venezuelane po braktis masivisht vendin. Më shumë se 3 milionë venezuelanë janë larguar ndërkohë nga vendi. DW