Irani njoftoi hapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë. Lajmin e dha në faqen e tij në rrjetin social 'X' Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike, i cili tha se hapja e ngushticës do të zgjasë sa armëpushimi në Liban, që përfundon më 26 prill.

"Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit", tha Abass Araghchi, Ministër i Jashtëm i Iranit.

Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit, duke falënderuar Iranin. Por Trump njoftoi se bllokada amerikane për anijet që duan të hyjnë dhe të dalin nga portet iraniane do të vijojë.

"Bllokada detare do të mbetet plotësisht në fuqi dhe efekt vetëm sa i përket Iranit, deri në momentin kur marrëveshja jonë me Iranin të jetë 100% e përfunduar. Ky proces pritet të përfundojë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara", tha Trump.

Presidenti i SHBA foli për procesin e negociatave dhe për pikat që janë dakordësuar deri më tani me Teheranin zyrtar. Sipas tij, Republika Islamike ka pranuar të mos e mbyllë më kurrë Hormuzin. Sipas asaj që shkroi në Truth Presidenti amerikan, Irani rezulton të ketë pranuar edhe dorëzimin e uraniumit të pasuruar që disponon.

"Irani ka pranuar të mos e mbyllë më kurrë Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do ta përdorë atë si një armë ndaj botës. Do ta marrim uraniumin e Iranit me avionët tanë B2", deklaroi Trump.

Por, sipas mediave iraniane, nuk është e vërtetë që Teherani ka pranuar t’u dorëzojë SHBA-ve uraniumin e tij, siç pretendon Trump. "Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me një marrëveshje për uraniumin e pasuruar të Teheranit janë 'plotësisht të pavërteta'", ka deklaruar një burim iranian për median e Katarit Al-Araby Al-Jadeed.

Në vazhdën e reagimeve që postoi pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit, Trump bëri të ditur nisjen e një procesi më vete për paqe për konfliktin e Izraelit me Hezbollahun në Liban.

"Dakordësia me Iranin nuk lidhet me Libanin. Izraeli e ka të ndaluar nga SHBA të bombardojë Libanin. SHBA do të punojë veçmas për situatën me Hezbollahun në mënyrën e duhur. Izraeli nuk do ta bombardojë më Libanin. Ata e kanë të ndaluar ta bëjnë këtë nga SHBA. Mjaft është mjaft", tha Trump.

Ditët e ardhshme pritet që SHBA dhe Irani të zhvillojnë një takim të ri për negociatat e paqes. Reuters raportoi këtë të premte se palët do të firmosin një memorandum që do të pasohet nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda 60 ditësh.

Britania e Madhe dhe Franca do të udhëheqin një mision ndërkombëtar për të garantuar lundrimin e lirë në Ngushticën e Hormuzit. Vendimi u bë i ditur pas samitit të sigurisë detare që u mbajt në Paris.

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:02
‘Izraelit i ndalohet të bombardojë Libanin’- Media: Netanyahu u habit nga deklarata e Trump, i kërkoi shpjegim Shtëpisë së Bardhë

1775835847_donaldtrumpbenjaminnetanyahu.jpg

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thuhet se u “habit dhe u alarmua” nga postimi i Presidentit të SHBA-së Donald Trump në rrjetet sociale, i cili pretendonte se ai i kishte ndaluar Izraelit të bombardonte Libanin.

Lajmin e raportoi Axios duke cituar dy burime, njëri prej të cilëve amerikan. Izraeli thuhet gjithashtu se i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë një shpjegim për deklaratën e Trump.

Ora 19:47
Teherani: Retorika e Trump po përpiqet të na e grabisë krenarinë tonë për fitoret e mëdha që arritëm në luftë

1776448322_trdxufiii.jpg

Nënkryetari i komunikimit për Zyrën e Presidentit iranian, Seyyed Mehdi Tabatabaei, ka deklaruar se Presidenti amerikan Donald Trump, përmes retorikës së tij, po përpiqet që t’i grabisë krenarinë kombit iranian.

“‘Retorika armiqësore’ dhe ‘deklaratat e pabaza’ të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Truth Social ‘synojnë ta privojnë kombin iranian nga ndjenja e krenarisë për fitoret e mëdha të arritura në mbrojtjen e tyre të fuqishme’", tha Seyyed Mehdi Tabatabaei, nënkryetar i komunikimit për Zyrën e Presidentit iranian, sipas agjencisë së lajmeve Mehr.

Ora 18:59
Burime nga Irani: Deklaratat e Trump për një marrëveshje për uraniumin e pasuruar janë të pavërteta

1776445230_dytuigyop.jpg

Sipas burimeve iraniane, nuk është e vërtetë që Teherani ka rënë dakord t’ia shesë uraniumin e tij SHBA-së, siç pretendon Trump.

Deklaratat e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me një marrëveshje mbi uraniumin e pasuruar të Teheranit janë "krejtësisht të rreme".

Kështu tha një burim iranian për gazetën e Katarit, Al-Araby Al-Jadeed. Ky burim thekson negociatat me Shtetet e Bashkuara mbi çështje "të diskutueshme" janë duke vazhduar, por sipas këtij burimi, nuk ka një rrugë të qartë përpara, duke pasur parasysh kërkesat "e tepërta" të Amerikës.

Ora 17:15
Trump: Izraelit i ndalohet të bombardojë Libanin, mjaft më!

Donald Trump ka dalë me një tjetër reagim në rrjetet sociale, ku këtë herë ndalet te situata në Liban dhe roli i SHBA-ve.

“Izraeli nuk do ta bombardojë më Libanin. I është NDALUAR nga SHBA. Mjaft më!!!”, thotë ai.

Në të njëjtin reagim, ai preku edhe çështjen e Iranit, duke thënë se SHBA do të marrë “të gjithë pluhurin bërthamor”, duke iu referuar mbetjeve nga sulmet ndaj objekteve bërthamore.

Trump thekson gjithashtu se nuk do të ketë shkëmbim parash: “Asnjë para nuk do të shkëmbehet në asnjë mënyrë”.

Ai shton se SHBA do të punojë veçmas me Libanin për situatën e Hezbollahut, duke lënë të kuptohet se marrëveshja nuk varet nga vetë Libani.

Ora 16:40
Trump sulmon sërish NATO-n: Tani që situata në Hormuz u zgjidh, më ofruan ndihmë, u thashë të rrijnë larg

Donald Trump i është rikthyer sulmeve ndaj NATO-s, duke e përshkruar Aleancën si një 'tigër letre' e duke i kërkuar të qëndrojë larg Hormuzit.  

“Tani që situata në Ngushticën e Hormuzit është zgjidhur, mora një telefonatë nga NATO ku më pyetën nëse kishim nevojë për ndihmë. U thashë të qëndrojnë jashtë , përveç nëse duan thjesht të mbushin anijet e tyre me naftë. Kanë qenë të padobishëm në momentin e nevojës: një tigër prej letre.” tha sot Donald Trump në një postim në rrjetin Truth Social.

Ora 16:34
Meloni: Rihapja e Hormuzit është thelbësore, Italia gati të dërgojë anije

Rihapja e Ngushticës së Hormuzit është thelbësore për stabilitetin dhe për çdo zgjidhje të konfliktit në Lindjen e Mesme. Kështu u shpreh kryeministrja italiane Giorgia Meloni pas përfundimit të samitit në Paris.

Në deklaratën për mediat, Meloni tha se Italia është e gatshme të japë kontributin e saj në misionin ndërkombëtar për garantimin e lundrimit të lirë.

Ajo theksoi se vendi mund të vërë në dispozicion edhe njësi detare, por kjo do të ndodhë vetëm pas miratimit nga Parlamenti.

Ora 16:31
Mision ndërkombëtar për Hormuzin, Britania dhe Franca në krye, Starmer: Rihapja e ngushticës është përgjegjësi globale

Britania e Madhe dhe Franca do të udhëheqin një mision ndërkombëtar për të garantuar lundrimin e lirë në Ngushticën e Hormuzit. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri britanik Keir Starmer pas përfundimit të samitit në Paris.

Ai njoftoi se misioni do të marrë formë javën e ardhshme, ndërsa në Londër do të zhvillohet një tjetër takim ku do të përcaktohet përbërja e tij.

Sipas Starmer, disa vende kanë ofruar tashmë mjete dhe mbështetje për këtë operacion.

“Rihapja e Hormuzit është një domosdoshmëri dhe një përgjegjësi globale”, u shpreh ai.

Ora 16:25
Përfundon Samiti i Parisit, Macron: Ngushtica e Hormuzit të hapet pa kushte e pa tarifa për anijet

Emmanuel Macron dhe Keir Starmer

Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet pa kushte dhe pa tarifa për anijet. Kjo ishte kërkesa e presidentit francez Emmanuel Macron pas përfundimit të samitit për sigurinë detare në Paris.

Në deklaratën për mediat, Macron e cilësoi vendimin e Iranit për rihapjen e ngushticës si “një hap në drejtimin e duhur”, por theksoi se lundrimi duhet të jetë i lirë dhe pa kufizime.

Ai falënderoi gjithashtu kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz për pjesëmarrjen në takim, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit mes vendeve europiane.

Samiti, i bashkëdrejtuar nga Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer, u fokusua te siguria e lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë.

Ora 16:20
Samiti për Hormuzin, Macron, Starmer, Meloni dhe Scholz drejt një deklarate të përbashkët

Samiti për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, që po zhvillohet në Pallatin Élysée, do të mbyllet me një deklaratë të përbashkët nga katër liderët kryesorë europianë: Emmanuel Macron, Keir Starmer, Giorgia Meloni dhe Friedrich Merz

Takimi, i nisur si një iniciativë franko-britanike, përfshin edhe Italinë dhe Gjermaninë në deklaratën përfundimtare.

Në konferencë marrin pjesë rreth 50 vende, disa fizikisht dhe të tjerë përmes videolidhjes. Mes tyre janë edhe Kina dhe India, të përfaqësuara në nivel ministrash dhe delegacionesh.

Po ashtu, pjesë e samitit është edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në nivel ndërkombëtar marrin pjesë edhe Bashkimi Europian, i përfaqësuar nga Ursula von der Leyen, si dhe Organizata Ndërkombëtare Detare me sekretarin e përgjithshëm Arsenio Dominguez Velasco.

Ora 15:54
Media: Uashingtoni shqyrton marrëveshjen me Teheranin, 20 miliardë dollarë në këmbim të uraniumit

1775481405_htrduiyfuio.jpg

Shtetet e Bashkuara dhe Irani thuhet se po negociojnë një plan trefaqësh për t'i dhënë fund luftës. Një nga elementët që po diskutohen do të përfshinte lirimin e 20 miliardë dollarëve nga fondet e ngrira iraniane nga Shtetet e Bashkuara në këmbim të heqjes dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar nga Irani, raporton Axios, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe dy burime të tjera të informuara mbi bisedimet.

Një zyrtar amerikan specifikoi se ishte një propozim amerikan, ndërsa një zyrtar tjetër e përshkroi mundësinë e një shkëmbimi parash me uranium si "një nga shumë diskutimet në vazhdim".

Sipas një propozimi kompromisi që është aktualisht në diskutim, raporton Axios, një pjesë e uraniumit të pasuruar do të dërgohej në një vend të tretë, jo domosdoshmërisht në Shtetet e Bashkuara.

Ora 15:51
Trump: Ngushtica e Hormuzit është e hapur, por bllokada amerikane do të mbetet në fuqi vetëm për Iranin

1775564169_donaldtrump.jpeg

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe e gatshme për aktivitet dhe kalim të plotë të anijeve, por theksoi se bllokada detare do të mbetet në fuqi të plotë dhe në zbatim sa i përket vetëm Iranit, deri në përfundimin e plotë të një marrëveshjeje mes dy vendeve. Sipas Trump, procesi pritet të ecë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara.

"Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për aktivitet dhe kalim të plotë, por bllokada detare do të mbetet në fuqi të plotë dhe në zbatim sa i përket vetëm Iranit, deri në momentin që transaksioni ynë me Iranin të jetë 100% i përfunduar. Ky proces duhet të ecë shumë shpejt, duke qenë se shumica e pikave janë tashmë të negociuara. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj këtij çështjeje! Presidenti Donald J. Trump",- shkruan Trump.

Ora 15:47
Europa paralajmëroi mungesë disa javore, Polonia mban rezerva të mëdha karburanti për avionët! Zv.ministri: Nuk rrezikohemi

1776433739_fgxtudftu.jpg

Polonia ende nuk ka publikuar të dhëna nga rezervat e saj të karburantit për avionë, sipas zëvendësministrit të energjisë së vendit, ndërsa linjat ajrore evropiane po shqetësohen gjithnjë e më shumë për mungesa karburanti nga lufta me Iranin.

“Nuk ka rrezik për mungesë të karburantit për avionët, por situata në Evropë është e vështirë dhe situata ndërkombëtare do të tregojë se çfarë do të ndodhë më pas”, tha zv.ministri Milosz Motyka.

Ndërprerja e furnizimit vjen nga bllokada e Ngushticës së Hormuzit, e cila është një kalim jetësor për një të pestën e furnizimeve globale të naftës dhe LNG-së.

Fatih Birol, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, dje vlerësoi se Evropës i kanë mbetur "ndoshta gjashtë javë" karburant për avionë, duke paralajmëruar për anulime të mundshme të fluturimeve.

Ora 15:20
Përse është kaq thelbësore hapja e Ngushticës së Hormuzit

1775916539_hormuzi.webp

Ngushtica e Hormuzit është një rrugë kritike transporti detar përmes së cilës transportohet afërsisht 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë.

Gjeografia e ngushticës i ka lejuar Iranit ta përdorë atë si levë gjatë gjithë kësaj lufte, duke i penguar në mënyrë selektive anijet të kalojnë nëpër rrugën e ngushtë ujore dhe duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës gjatë kësaj periudhe.

I kufizuar në veri nga Irani dhe në jug nga Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), korridori - vetëm rreth 50 km (31 milje) dhe rreth 33 km i gjerë në pikën e tij më të ngushtë - lidh Gjirin me Detin Arabik.

Ngushtica është mjaftueshëm e thellë për tankerët më të mëdhenj të naftës bruto në botë dhe përdoret nga prodhuesit kryesorë të naftës dhe LNG-së në Lindjen e Mesme.

Në vitin 2025, rreth 20 milionë fuçi naftë dhe produkte nafte kaluan nëpër Ngushticën e Hormuzit në ditë, sipas vlerësimeve nga Administrata Amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA). Kjo është një vlerë prej gati 600 miliardë dollarësh (447 miliardë paund) tregti energjie në vit.

Nafta nuk vjen vetëm nga Irani, por edhe nga shtete të tjera të Gjirit si Iraku, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ora 15:10
Trump: Irani ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është hapur plotësisht për kalimin e anijeve, faleminderit

1775626987_donaldtrump.jpg

Presidenti Donald Trump ka shkruar në rrjetet sociale se "Irani sapo ka njoftuar se ngushtica e Iranit është plotësisht e hapur dhe gati për kalim të plotë. Faleminderit!"

Pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi 10-ditor mes Izrael-Liban Irani ka rihapur Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet tregtare deri në përfundimin e kësaj marrëveshje.  Presidenti Trump ka reaguar menjëherë në Truth duke e falenderuar Iranin. 

Ora 15:00
10 ditë armëpushim mes Izraelit e Libanit, Irani: Hormuzi do të jetë i hapur në këtë periudhë

1773829396_abbasaraghchi.png

Foto: Abbas Araghchi

Irani ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur derisa të zgjasë armëpushimi Liban-Izrael.

“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, në rrugën e koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Portet dhe Organizata Detare e Republikës Islamike të Iranit”, shkroi në X ministri i jashtëm i Iranit Abbas Araghchi.

Ora 14:15
Irani: Ne nuk do të pranojmë një armëpushim, le të përfundojë konflikti përgjithmonë

1775649202_luftaniran.JPG

Irani nuk pranon një armëpushim të përkohshëm, por dëshiron që konflikti të përfundojë "një herë e përgjithmonë" nga Libani në Detin e Kuq.

Kështu deklaroi Zëvendësministri i Jashtëm iranian Saeed Khatibzadeh në margjinat e një forumi diplomatik që po zhvillohet në Antalia, Turqi.

"Ne nuk po pranojmë asnjë armëpushim të përkohshëm, konflikti duhet të përfundojë një herë e përgjithmonë dhe duhet të mbulojë të gjitha frontet "nga Libani në Detin e Kuq", tha zyrtari.

Khatibzadeh deklaroi se Pakistani është i angazhuar në përpjekjet e ndërmjetësimit që synojnë arritjen e një zgjidhjeje më të gjerë dhe se Republika Islamike mbetet e përkushtuar për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit.

Ora 10:26
10 ditë armëpushim mes Izraelit e Libanit, banorët e zhvendosur rikthehen në shtëpitë e tyre

Qytetarët libanezë të zhvendosur kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi armëpushimi 10-ditor i dha fund luftimeve gjashtëjavore midis Izraelit dhe grupit të armatosur Hezbollah.

Pamjet tregojnë dhjetëra njerëz që udhëtojnë në këmbë dhe me automjete, duke u drejtuar drejt zonave të tyre të banimit, përfshirë qytetin e Sidonit në jug të Libanit.

Ora 08:48
Starmer dhe Macron udhëheqin takimin e 40 vendeve për Hormuzin, në fokus rikthimi i lundrimit

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të kryesojnë më vonë gjatë ditës një takim me aleatët për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta për të rikthyer lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Teherani e ka mbyllur praktikisht këtë rrugë ujore strategjike pranë bregdetit të Iranit si përgjigje ndaj sulmeve SHBA-Izrael, ndërsa SHBA ka nisur bllokadën e saj ndaj porteve iraniane, gjë që ka çuar në rritje të çmimeve globale të energjisë.

Rreth 40 vende pritet të marrin pjesë në takimin e kësaj pasditeje, tha zyra e Keir Starmer, duke shtuar se udhëheqësit do të “përqendrohen në mbështetjen e armëpushimit delikat në rajon dhe në sigurimin që rrugët e transportit detar të rihapen dhe të mbrohen nëpër Ngushticë në afat të gjatë”.

Starmer pritet të thotë në takim se “rihapja e menjëhershme dhe pa kushte” e Ngushticës “është një përgjegjësi globale”, tha Downing Street.

AFP raporton se në ftesën e Francës thuhet se do të diskutojnë për vendosjen e mundshme të një “misioni mbrojtës shumëkombësh ushtarak, për të siguruar lirinë e lundrimit.”

Ora 08:23
Trump shfaqet optimist për luftën në Iran: Do të përfundojë shumë shpejt, negociatat mund të rifillojnë gjatë fundjavës

Donald Trump ka dhënë një deklaratë të shkurtër gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë lidhur me luftën në Iran.

“Do të them se lufta në Iran po shkon shumë mirë” dhe se ajo “duhet të përfundojë shumë shpejt”, u shpreh ai.

Presidenti amerikan nuk dha më shumë detaje, por lavdëroi ushtrinë amerikane për aftësinë e saj në rrëzimin e raketave.

Më vonë, pasi ishte konfirmuar dakordësimi i Iranit për të hequr dorë për 20 vjet nga pasurimi i uraniumit, ai shtoi se negociatat e reja mund të rifillojnë që këtë fundjavë.  Uashingtoni dhe Teherani janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje, tha Trump.

Ora 08:18
Trump thirrje Hezbollahut: Shpresoj të sillet mirë, duhet të ketë paqe!

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, i bëri thirrje Hezbollahut, grupit militant të mbështetur nga Irani në jug të Libanit, që të respektojë armëpushimin me Izraelin që ka hyrë në fuqi.

“Shpresoj që Hezbollahu të sillet mirë dhe si duhet gjatë kësaj periudhe të rëndësishme,” shkroi presidenti në Truth Social. “Do të jetë një moment i madh për ta nëse e bëjnë këtë. Jo më vrasje. Duhet më në fund të ketë paqe!”

Në një postim tjetër, ai e përshkroi ngjarjen si një ditë “historike” për Libanin.

“Po ndodhin gjëra të mira!!!”, u shpreh Trump.

Një zyrtar izraelit tha se Izraeli do të përgjigjet ushtarakisht gjatë armëpushimit vetëm ndaj “kërcënimeve të menjëhershme nga Hezbollahu”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të enjten se një marrëveshje paqeje më e qëndrueshme do të kërkojë që grupi i mbështetur nga Irani të çarmatosej.