Trump: Marrëveshje fantastike sapo Britania të ketë hequr 'spirancën' nga Bashkimi Evropian

Trump: Marrëveshje fantastike sapo Britania të ketë hequr 'spirancën' nga Bashkimi Evropian

Për kryeministrin e Britanisë, Boris Johnson, ishte e njëjta muzikë që ai dëgjonte: Britanikët do të mund të bëjnë një "marrëveshje fantastike" me Shtetet e Bashkuara sapo Britania të ketë hequr "spirancën" nga Bashkimi Evropian, - i tha presidenti amerikan Donald Trump Kryeministrit Johnson gjatë një takimi dypalësh në samitin e G-7 në Biarritz të Francës, ku të dielën ata hëngrën bashkë mëngjes me vezë të fërguara dhe salcice viçi.

"Ne do të bëjmë një marrëveshje të shkëlqyer tregtare, më e madhe se sa kemi pasur ndonjëherë me Mbretërinë e Bashkuar dhe tani, pas një farë kohe, ata nuk do të kenë pengesa, nuk do të kenë spirancën rreth kyçit të këmbës së tyre...” tha Presidenti Trump.

Më vonë, Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare John Bolton tha se marrëdhënia speciale mes dy vendeve "kurrë nuk ka qenë më e fortë".

"Jam i kënaqur që shoqërova Donald Trumpin në mëngjesin e tij të punës me Boris Johnson, ku ne bashkëpunuam rreth mënyrave për të thelluar më tej marrëdhëniet tona të sigurisë dhe ato ekonomike me Mbretërinë e Bashkuar," komentoi zoti Bolton në Twitter.

Përqafimi amerikan ishte një lajm i mirëpritur për zotin Johnson, i cili ka investuar politikisht për një marrëdhënie të ngushtë me zotin Trump. Ai e prezantoi marrëveshjen e pritshme tregtare anglo-amerikane si një përbërës kryesor për të ardhmen e "Britanisë globale" që ai dhe mbështetësit e tjerë të shkëputjes nga BE-ja kanë reklamuar.

Kryeministri Johnson ka marrë nxitje nga lëvdatat e Presidentit Trump që kur i zuri vendin zonjës Theresa May si kryeministër. Udhëheqësi amerikan e ka përshkruar atë si "Trumpi Britanik" dhe ka folur me entuziazëm për partneritetin trans-Atlantik që dyshja e tyre do të krijojë.

Për një Britani që përpiqet të gjejë vendin e saj në botë pas shkëputjes nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, sfida e ardhshme do të jetë balancimi i marrëdhënieve midis SHBA dhe Evropës, thonë analistët.

Kryeministri Johnson nuk mund të lejojë të prishë marrëdhëniet me fqinjët evropianë të Britanisë, veçanërisht nëse dëshiron të gjejë një mënyrë për të dalë nga situata e bllokuar me çështjen Brexit dhe të ndahet miqësisht me BE-në.

Ruajtja e ekuilibrit nuk do të jetë e lehtë në kushtet e zgjerimit të hendekut midis Uashingtonit dhe Brukselit për një mori çështjesh kryesore, përfshirë ndryshimin e klimës, marrëdhëniet me Rusinë, nacionalizmin në rritje, rolin e multilateralizmit dhe luftën ekonomike midis SHBA dhe Kinës.

Analistët thonë se kjo do të bëhet më e ndërlikuar kur Britania do të ketë të bëjë me një president amerikan që e sheh diplomacinë si një lojë ku fituesi i merr të gjitha dhe me një presidenti francez Emmanuel Macron, i cili duket i etur për të përcaktuar linjat ndarëse midis Evropës dhe SHBA.

Të dielën, Macron i befasoi udhëheqësit e tjerë të G-7s kur njoftoi se Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif do të vinte për në Biarritz për bisedime të planifikuara në periferitë e samitit - një përpjekje për të rigjallëruar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 nga e cila amerikanët u tërhoqën vitin e kaluar.

Britanisë ka kohë që i është dashur të navigojë midis SHBA dhe Evropës, dhe që nga Lufta e Dytë Botërore është pozicionuar si ndërmjetësja diplomatike midis Uashingtonit dhe evropianëve. Ish-kryeministri britanik Toni Bler e ka quajtur Britaninë si një urë trans-atlantike.

Ky rol ndërmjetësues ka të ngjarë të jetë më i vështirë të shtyhet në vitet e ardhshme, veçanërisht nëse Britania del nga BE-ja pa një marrëveshje gjë që analistët thonë se mund të helmojë marrëdhëniet e Britanisë me Evropën.

Britanisë do t’i duhet të kompensojë humbjen e mundshme në tregti pas ndarjes me Evropën dhe është e etur për një marrëveshje tregtare me SHBA.

Në samitin e tij të parë të G-7s si kryeministër, Johnson shkeli mbi një vijë delikate, duke njoftuar se Britania mund të largohej nga BE por nuk po largohet nga Evropa. Ai ruajti unitetin me evropianët mbi Iranin, ndryshimin e klimës, tregtinë ndërkombëtare dhe Rusinë, duke iu kundërvënë, së bashku me udhëheqësin tjetër të BE-së, idesë së Presidentit Trump që Rusia të pranohet në G-7, nga i cili u nxor pas aneksimit nga Moska në vitin 2014 të Krimesë, pjesë e Ukrainës.

Megjithatë, Johnson duket se nuk e prishi marrëdhëniet e tij me Presidentin Trump. Madje edhe rivalët britanikë të kryeministrit të ri pranuan të hënën se ai arriti të ruajë ekuilibrin në sferën delikate të gjeopolitikës, ku iu desh të shkelte.

Kryeministri Johnson mund të jetë ndihmuar pa dashje nga vendimi i Presidentit Macron si mikritës i samitit për të mos lëshuar një komunikatë përfundimtare, duke shmangur vemendjen e tepruar të publikut, gjë që çoi në mbylljen e pakëndshme të samitit që u mbajt në Kanada vitin e kaluar.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë