Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i tha Reuters se Ukraina dhe jo Rusia, po pengon një marrëveshje të mundshme paqeje.
Retorika e Trump, bie ndesh me atë të aleatëve evropianë, të cilët vazhdimisht kanë argumentuar se Moska ka pak interes për t'i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë.
Në një intervistë ekskluzive në Zyrën Ovale të mërkurën, Trump tha se Presidenti rus Vladimir Putin është gati të përfundojë pushtimin e tij gati katërvjeçar të Ukrainës. Por sipas Trump, Zelensky ishte më i rezervuar.
Trump deri më tani ka shmangur vendosjen e masave të reja ndëshkuese ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë. Megjithatë, ai disa herë ka shprehur shqetësimin se vendosja e sanksioneve të reja do të mund të pengonte përpjekjet e tij për ta sjellë Putinin në tryezën e negociatave.
Ukraina dhe SHBA-ja po punojnë në një plan paqeje me 28 pika në prag të katërvjetorit të fillimit të pushtimit nga Rusia.
Pikat kryesore të mosmarrëveshjes përfshijnë kontrollin mbi një pjesë të rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore dhe centralin bërthamor të Zaporizhjas, i cili është nën pushtimin rus.
Pengesat e tjera burojnë nga pretendimet territoriale të Rusisë, çështja e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe kundërshtimi i armëpushimit nga Moska.
Moska ka mbështetur komentet e bëra nga Presidenti Donald Trump gjatë natës, kur ai e drejtoi gishtin nga Volodymyr Zelensky, si personi që po pengon paqen mes Rusisë e Ukrainës.
Mediat e huaja raportojnë se në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters, Trump u pyet për Vladimir Putinin dhe ai tha: "Mendoj se ai është gati të bëjë një marrëveshje".
Dhe ai shtoi: "Mendoj se Ukraina është më pak e gatshme për të bërë një marrëveshje."
I pyetur pse nuk ka qenë ende në gjendje ta zgjidhë konfliktin, Trump u përgjigj: "Zelensky".
Nga ana tjetër, lidhur me këto komente të Trump, Kremlini tha se Rusia është plotësisht dakord.
“Këtu mund të biem dakord, është vërtet kështu”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
"Presidenti Putin dhe pala ruse janë gjithmonë të hapur për bisedime paqeje", vijoi ai më tej.
Peskov tha gjithashtu se Moska do të mirëpriste të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë, Steve Ëitkoff, dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner, sapo të bihet dakord për një datë për vizitën.
Komente









