Gjatë gjithë fushatës elektorale presidenciale, Donald Trump i kishte paralajmëruar amerikanët të mos votonin kundërshtaren e tij, Kamala Harris: “Ajo do t’ju çojë në luftë, ndërsa unë jam presidenti i paqes dhe do të mendoj vetëm për përmirësimin e jetës së amerikanëve”, kishte premtuar, duke nxitur ovacione mes mbështetësve. Edhe disa demokratë i kishin besuar. Por që kur u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, njeriu që ëndërronte çmimin Nobel për Paqen ka vendosur ndoshta një rekord: mes sulmeve ajrore dhe goditjeve të synuara kundër vendeve të huaja, ai është presidenti që në historinë amerikane i ka shpallur më shumë luftë botës. Disa nga paraardhësit e tij kanë drejtuar konflikte të vërteta, shumë më të mëdha dhe me pasoja shumë më tragjike, Koreja e Harry Trumanit, Vietnami i Lyndon Johnsonit dhe Richard Nixonit, Iraku i Bushëve, por pas sulmit të koordinuar me Izraelin kundër Iranit, Trump e ka shndërruar Lindjen e Mesme në një fuçi baruti dhe ka vënë në alarm Europën

Ka tashmë më shumë se një vit që manjati urdhëron sulme ushtarake në mbarë botën, kundër organizatave terroriste dhe bandave kriminale. Gjithçka nisi më 1 shkurt 2025, kur Shtetet e Bashkuara bombarduan në Somali pozicionet e grupit terrorist të Shtetit Islamik. Dyzet ditë më pas, më 13 mars, forcat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA-të, së bashku me inteligjencën irakiane, vranë një lider të Shtetit Islamik me një “sulm ajror preciz”. Midis marsit dhe qershorit, Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme detare dhe ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen, në një operacion që shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, e kishte vënë në rrezik duke dhënë koordinata ushtarake në një bisedë të pakriptuar, ku gabimisht ishte përfshirë edhe një gazetar.

Në qershor, pas negociatave për çështjen bërthamore, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Izraelit, i cili kishte goditur Teheranin në “luftën 12ditore”, duke sulmuar tre objekte bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan, duke përdorur bombardues B-2 dhe raketa Tomahawk të lëshuara nga nëndetëset. Menjëherë pas kësaj, Trump shpalli triumfalisht “zhdukjen e plotë” të objekteve dhe eliminimin e kërcënimit bërthamor.

Në shtator, në Detin e Karaibeve dhe në Oqeanin Paqësor nisën sulmet ndaj anijeve të trafikantëve të dyshuar venezuelianë të drogës, të cilat brenda tre muajve çuan në më shumë se njëqind të vdekur. Më 19 dhjetor, Shtetet e Bashkuara sulmuan Shtetin Islamik në Siri, kësaj here në përgjigje të një atentati të kryer nga grupi terrorist ndaj një baze ushtarake amerikane.

Më 16 janar, komanda amerikane kreu një sulm në veriperëndim të Sirisë, duke vrarë Bilal Hasan al-Jasim, i lidhur me Al-Kaedën dhe i dyshuar për planifikimin e pritës në të cilën, në dhjetor, kishin humbur jetën dy ushtarë amerikanë. Terroristët e ISIS-it ishin vënë në shënjestër edhe në Nigeri, ditën e Krishtlindjes, në një sulm ajror të cilësuar nga Trump si “vdekjeprurës” për dhjetëra luftëtarë islamikë.

Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një operacion të bujshëm në Venezuelë, duke kapur presidentin Nicolás Maduro. Sipas burimeve nga Karakasi, gjatë sulmit amerikanët vranë më shumë se njëqind persona. Në mes të këtyre sulmeve, “presidenti i paqes” njoftoi se do të merrte kontrollin e Panamasë, do ta aneksonte “në një mënyrë apo në një tjetër” Groenlandën dhe zbuloi synimin për të përvetësuar “në mënyrë miqësore” Kubën. Në Havanë kanë nisur të mendojnë se mund të jenë objektivi i radhës./ La Repubblica