Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka propozuar emërimin e gjenerallejtënantit në pension Eric Wendt si ambasador i ri amerikan në Shqipëri. Nominimi është bërë publik nga Shtëpia e Bardhë dhe pritet të shqyrtohet nga Senati amerikan.
“Eric Wendt, nga Kalifornia, të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë“, shkruhet në njoftimin për media nga Shtëpia e Bardhë.
Kush është Eric Wendt
Gjenerallejtënant Eric Wendt lindi më 7 tetor 1964, në Berkeley të Kalifornisë. Ai është një nga figurat e spikatura të ushtrisë amerikane, me një karrierë mbi tre dekada në shërbim aktiv. Ai kaloi katër vjet e gjysmë në Këmbësorinë e Lehtë dhe 30 vjet në Forcat Speciale, duke përfshirë 13 vjet komandë në nivele taktike, operacionale dhe strategjike, ndërsa shërbeu në 56 vende të ndryshme.
Ai përfundoi detyrën e tij të fundit si komandanti i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, nga i cili u largua më 29 janar 2021.
Gjatë karrierës së tij si oficer i lartë, Wendt mbajti një sërë pozicionesh kyçe në strukturat ushtarake dhe të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Ai shërbeu si Koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez në periudhën nëntor 2017 - tetor 2019.
Më herët, ai ka qenë shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA-ve, komandant i Qendrës dhe Shkollës së Luftës Speciale “John F. Kennedy”, si dhe komandant i Operacioneve Speciale në Kore. Gjithashtu, ai ka mbajtur detyrën e zëvendëskomandantit në Komandën Rajonale Veri të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Afganistan.
Wendt u emërua oficer në ushtrinë amerikane në vitin 1986 përmes programit ROTC në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, ku u diplomua në drejtësi dhe shoqëri. Ai vijoi studimet pasuniversitare në Shkollën Pasuniversitare Detare, duke marrë një diplomë master në çështjet e sigurisë kombëtare. Ai doli në pension më 1 mars 2021, pas më shumë se 34 vitesh shërbimi.
Shqipëria nuk ka një ambasador të SHBA-së që prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023. Një nominim i mëparshëm nga Joe Biden për David Kostelancik nuk u miratua nga Senati. Aktualisht, ambasada amerikane në Tiranë drejtohet nga e ngarkuara me punë Nancy VanHorn. Nominimi i Wendt duhet të kalojë në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe aprovimin final e jep Senati.
Komente











Personalitet i larte ! Shume Suksese!
Përgjigju