Përplasja mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, ka marrë përmasa të reja pas një deklarate të pazakontë publike nga ky i fundit. Powell publikoi një video të paplanifikuar, ku foli për presion të drejtpërdrejtë politik dhe veprime të paprecedenta nga administrata amerikane.
Në qendër të debatit është zyrtarisht kostoja 2.5 miliardë dollarësh e rikonstruksionit të godinës së Rezervës Federale, çështje për të cilën Trump ka shfaqur interes personal, duke inspektuar vetë punimet. Megjithatë, Powell deklaron se kjo është vetëm një justifikim dhe se thelbi i konfliktit lidhet me pavarësinë e politikës monetare dhe vendimmarrjen për normat e interesit.
Sipas tij, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së i ka komunikuar Rezervës Federale hapjen e hetimeve penale lidhur me dëshmitë e dhëna për projektin e rikonstruksionit. Powell e cilësoi këtë si një veprim “të paprecedentë”, duke theksuar se presioni penal vjen si pasojë e refuzimit për të ndjekur preferencat politike të presidentit në vendimmarrjen për normat e interesit.
"Kërcënimi për padi penale vjen si pasojë e faktit që Rezerva Federale i vendos normat e interesit bazuar në vlerësimin tonë më të mirë që është në shërbim të publikut dhe jo preferencave të presidentit. Gjithçka që po ndodh ka të bëjë me mundësinë që do të ketë Rezerva Federale për të vendosur këto norma bazuar në fakte dhe të dhëna ekonomike apo politika jonë monetare do të ndikohet nga presioni politik dhe intimidimi" tha ai të hënën.
Powell paralajmëroi se çështja nuk ka të bëjë vetëm me tregjet amerikane apo kreditë hipotekare, por me stabilitetin e sistemit financiar global, duke e cilësuar pavarësinë e Rezervës Federale si një shtyllë kyçe për besimin në tregjet ndërkombëtare.
Rezerva Federale e SHBA-së, institucioni më i fuqishëm monetar në botë, ka një rol kyç në stabilitetin financiar global.
Mandati i Jerome Powell përfundon në maj dhe pritet që administrata Trump të emërojë një pasardhës më të afërt politikisht.
Megjithatë, vendimmarrja për normat e interesit merret nga një komitet dhe jo vetëm nga kryetari, çka e bën situatën edhe më të ndjeshme për tregjet amerikane dhe globale.
Komente








