Protestat e opozitës po bëhen gjithnjë e më të lodhshme dhe pa vlerë. Dashamir Shehi, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar i ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri tha se këto tubime janë bërë sikur po organizohet ndonjë festë.
Shehi theksoi nga ana tjetër se brenda PD nuk ka pasur asnjëherë demokraci. Madje sipas tij të tilla protesta bëhen edhe për të hequr vëmendjen nga zgjedhjet e 23 majit të cilat Shehi i cilëson si të pa vlera.
“Partia Demokratike i ka bërë protestat sikur po bëjnë fejesa - çdo dy javë, presim datën dhe bëjmë festën. I ka kthyer në rutinë. Protestat bëhen për një temë të caktuar, siç ishte ajo në Maqedoninë e Veriut. Protesta është rebelim popullor, ndërsa këto janë organizime partiake. Që të jetë protestë opozita duhet të aktivizojë qytetarin jo militantët.
Protesat bëhen një herë dy herë në vit, si mund të bëhen javë për javë. Unë mendoj që bëhet edhe për këto zgjedhjet që s’kanë asnjë vlerë. Berisha është i vetëm në garë. Ata duhen të merren me gjëra serioze, si reforma administrative, të merren me ligjin zgjedhor. Prandaj mendoj që nuk ka shanse që ata të vijnë në pushtet. Brenda PD nuk ka demokraci dhe as nuk ka pasur asnjëherë”, tha Dashamir Shehi.
Shehi gjithashtu nënvizoi se në 23 maj nuk ka garë, pasi fitues dihet që do të jetë Berisha. Këtë gjë ai e cilëson qesharake.
“Aty s’ka garë, do të fitojë Berisha, dhe për mua është një gjë qesharake. Funksioni bazë i opozitës në Shqipëi dhe në botë është të rrëzojë qeverinë që ka përballë, nëse nuk bëjnë atëherë nuk janë për këtë gjë. Berisha le të rrijë atje ku është ta mbajë PD-në, ne të tjerët duhet të gjejmë shtigje të reja.
Demokracia është fjalë e madhe! demokracia është liri+pluralizëm politik+instuticione të pavarura+ kulturë demokratike+ekonomi mbi mesatare. Demokraci në Shqipëri është kuptuar se iku Enver Hoxha. Ne ekonomisht kemi ndryshuar shumë, por politikisht jo”, përfundoi Shehi.
Komente










