Lindja e Mesme mbetet në tension, teksa Donald Trump njoftoi se do të nisin negociata të reja me Iranin, por Teherani e përgënjeshtroi menjëherë, duke deklaruar se aktualisht nuk ka asnjë bisedim me Shtetet e Bashkuara.

Në një postim në Truth Social, Trump akuzoi udhëheqjen iraniane për hipokrizi, duke thënë se kërkon takim, ndërsa publikisht mohon negociatat. Ai paralajmëroi se bllokada detare amerikane ndaj Iranit do të mbetet në fuqi "derisa të arrihet një marrëveshje ose një dorëzim i plotë".

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, deklaroi se Irani nuk po negocion me SHBA, por vetëm me Omanin për çështjet që lidhen me sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Sipas tij, nuk do të ketë ndryshim të situatës në Hormuz për sa kohë SHBA vazhdon presionin dhe bllokadën.

Ndërkohë, Izraeli hodhi poshtë mundësinë e tërheqjes nga Gaza. Një zyrtar i lartë deklaroi se ushtria do të mbajë pozicionet aktuale dhe do të vazhdojë operacionet kundër çdo kërcënimi. Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu bëri të ditur se i ka shprehur Uashingtonit shqetësimet për planin e mbështetur nga Trump për çarmatimin e Hamasit, duke theksuar se ai nuk pasqyron interesat e Izraelit.

Nga ana tjetër CNN raportoi se Komanda Qendrore e SHBA-së u ka kërkuar analistëve ushtarakë, përmes një emaili të brendshëm, të propozojnë mënyra "kreative dhe jokonvencionale" për të rritur presionin ndaj Iranit. Sipas rrjetit amerikan, kjo kërkesë pasqyron opsionet e kufizuara që ka administrata Trump për ta detyruar Teheranin të pranojë një marrëveshje sipas kushteve të Uashingtonit.

Burime nga Pakistani thanë se ende nuk është caktuar as data dhe as vendi për një raund të ri bisedimesh mes SHBA-së dhe Iranit, edhe pse Islamabadi dhe Katari vazhdojnë kontaktet me të dyja palët për të mundësuar rifillimin e dialogut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:32
Irani: SHBA-të mbajnë përgjegjësi për konfliktet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë

Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se mbajnë përgjegjësi për konfliktet në Lindjen e Mesme dhe përtej saj, duke hedhur poshtë akuzat se po hap fronte të reja lufte në rajon.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, komentoi sulmet e Huthëve të Jemenit, të mbështetur nga Teherani, si edhe të grupeve irakiane proiraniane ndaj infrastrukturës naftës në Arabinë Saudite.

"Sulmet e kryera nga jemenasit janë çështje e tyre. Armiqtë tanë po përpiqen me vetëdije të shtrembërojnë faktet për t'iu shmangur përgjegjësisë për krizën që kanë shkaktuar. Amerikanët janë përgjegjës për konfliktet në rajon dhe edhe përtej tij. Nuk duhet të presin që zjarri që kanë ndezur të mos përhapet edhe në zona të tjera", deklaroi Baghaei.

Ora 19:25
'Marrëveshje ose dorëzim të plotë' Donald Trump paralajmëron se bllokada detare ndaj Iranit do të vazhdojë

Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se bllokada detare e SHBA-së ndaj Iranit do të mbetet në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje ose, sipas tij, "një dorëzim i plotë".

Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump akuzoi udhëheqjen iraniane për hipokrizi, duke pretenduar se Teherani kërkon një takim dhe ka nisur negociatat, ndërsa njëkohësisht deklaron publikisht se nuk po zhvillon asnjë bisedim me Shtetet e Bashkuara dhe se kontaktet i ka vetëm me Omanin.

"Udhëheqja iraniane është jashtëzakonisht hipokrite. Kërkojnë një takim, disa do të thoshin se po luten për të, bisedimet po nisin dhe të tjera janë planifikuar për të ardhmen e afërt, megjithatë deklarojnë me krenari se nuk po diskutojnë për asgjë", shkroi Trump.

Presidenti amerikan paralajmëroi se presioni ndaj Iranit nuk do të zbutet derisa të ketë një marrëveshje ose, siç u shpreh ai, "një dorëzim të plotë".

Ora 19:23
Izraeli: Nuk ka tërheqje nga Gaza, operacionet ushtarake do të vazhdojnë

Izraeli nuk do të tërhiqet nga pozicionet e tij aktuale në Gaza dhe do të vazhdojë operacionet kundër çdo kërcënimi ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë. Këtë e deklaroi një zyrtar i lartë izraelit, disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi arritjen e një marrëveshjeje për çarmatimin e Hamasit.

Hamasi ka bërë të ditur se çarmatimi lidhet me tërheqjen e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nga Gaza dhe ndalimin e sulmeve në enklavën palestineze.

Pas një heshtjeje fillestare, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu deklaroi se i ka shprehur Shteteve të Bashkuara shqetësimet për marrëveshjen, duke theksuar se ajo nuk përfaqëson interesat e Izraelit.

Izraeli vazhdon të kundërshtojë publikisht planin aktual për çarmatimin e Hamasit në Gaza. Sipas mediave, disa zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimati, kanë shprehur pakënaqësi për qëndrimin e Tel Avivit, duke thënë se autoritetet izraelite ishin informuar plotësisht për kushtet e marrëveshjes

Ora 16:04
Teherani rrëzon një dron amerikan në Ngushticën e Hormuzit

1785765948_gdxyjioo.JPG

Mes tensioneve në rritje me Uashingtonin, mediat iraniane pretendojnë se forcat e mbrojtjes ajrore të vendit kanë rrëzuar një dron amerikan MQ-9 Reaper mbi Ngushticën e Hormuzit.

Lajmin e raportuan agjencitë Tasnim dhe Fars. Sipas Tasnim, droni u kap mes tensioneve në rritje rajonale, megjithëse SHBA-të ende nuk e kanë konfirmuar këtë.

Irani gjithashtu nuk ka publikuar asnjë foto ose video për të mbështetur pretendimin e tij. MQ-9 Reaper është një nga sistemet ajrore më të përparuara pa pilot të ushtrisë amerikane, që vlerësohet të kushtojë rreth 34 milionë dollarë.